22 Shkurt, 2022 - 8:30 pm
Era Berisha
PEN Qendra e Kosovës po vazhdon aktivitetet e veta kulturore e letrare paraparë me projektin më të ri me titull “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, për të shënuar kështu mbrëmjen e nëntë me radhë në kuadër të këtyre mbrëmjeve që shtëpinë po e gjejnë në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, ku edhe u mbajt një tjetër diskutim i radhës që kësaj here çoi diskutimin mes panelistëve dhe të pranishmëve në një nivel tjetër, shkruan KultPlus.
Siç jemi mësuar tashmë të presim orën 17:00, edhe sonte erdhi në pah rëndësia e veçantë e mjaft aktuale e temës të titulluar “Letërsia në kohë krizash”, temë kjo që tash e sa kohë po konsiderohet se është duke ndodhur në shoqërinë tonë e që në fakt është kthyer në një normalitet. Shkrimtarë, artdashës e letrarë të rinj, patën rastin të dëgjojnë nga afër dy perspektiva mjaft të ndryshme por që në thelb trajtonin aspekte kyçe të temës së paraparë.
Ishin shkrimtari Milazim Krasniqi dhe shkrimtari Gëzim Aliu, të cilët ishin të ftuar për të hyrë në thellësitë e temës e për të folur nga ana e tyre gjerë e gjatë. Nën moderimin e Ibrahim Berishës, bisedimet paraprake mes tyre veçse kishin filluar, për të vazhduar kështu deri në një prezantim ku të dy nga ta parashtruan arsyet e ndryshme prej të cilave letërsia gjendet në këtë krizë nga e cila është kapluar.
“Letërsia në kohë krizash”, temë kjo që kësaj here arriti që të krijojë një debat më të gjallë, është një temë që prek një aktualitet që ka tash e sa kohë që po qëndron në neutralitet për arsye se është normalizuar. Është konsideruar se letërsia e mirëfilltë artistike shqipe fillon diku në vitet njëzet të shekullit të kaluar, pra, pak a shumë, është një letërsi artistike njëshekullore. Pra, nga ky shekull, 45 vjet janë kultivim i një letërsie përgjithësisht në shërbim të një regjimi diktatorial ku kjo periudhë konsiderohet se nuk duhet të shmanget, të mohohet, të demonizohet, por të studiohet në mënyrë shkencore, sepse nuk është vetëm periudhë letrare, por edhe periudhë historike e kulturore, ekonomike, politike e sociale e popullit shqiptar.
Ndërkaq, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Ibrahim Berisha, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke folur pak për temën e duke theksuar se kriza gjithmonë do të jetë e pranishme në shoqërinë tonë.
“Kjo është tema e parafundit që kemi paraparë për këtë projekt. Vetë nocionet janë shumë të gjera por trajtohet konteksti estetik dhe social. Përgjigjet qe do të vinë nga diskutimet besoj se do të na sqarojnë më shumë se çfarë shkaktojnë këto kriza në letërsi. Shoqëria jonë jemi gjithmonë shoqëri e luftës dhe gati çdo herë jemi në njëfarë lloj të krizës. Prandaj, kriza është gjithmonë e pranishme”, thotë Berisha.
Në këtë ngjarje për të diskutuar më gjerë rreth krizave të vazhdueshme që po shkaktojnë deformime të rënda në zhvillimet sociale, ekonomike, politike si dhe kulturore, foli shkrimtari Gëzim Aliu.
“Krizat janë normalitet në hapësirat tona. Stabilitetet, në të gjitha fushat e jetës, kanë qenë të rralla, jetëshkurtra, lehtësisht të thyeshme. Krizat e vazhdueshme shkaktojnë deformime të rënda në zhvillimet sociale, ekonomike, politike, sigurisht edhe kulturore. Gërshetimi i robërive dhe fukarallëkut, ka prodhuar shumë maskarallëk dhe maskarada. Meqë krizat fatkeqësisht janë bërë normalitet, nuk është aq e lehtë të vërehen keqzhvillimet në shoqërinë tonë, sado që kujtojmë se është e lehtë. Po, sepse ende jemi në një krizë, por sigurisht shumë më pak të rëndë se të mëhershmet. Është kriza e tranzicionit, e shndërruar në rrethrrotullim me përparim të ngadalshëm drejt daljes”, thotë Aliu.
Sipas tij, letërsia e mirëfilltë artistike shqipe fillon diku në vitet njëzet të shekullit të kaluar, pra, pak a shumë, është një letërsi artistike njëshekullore. Nga ky shekull, 45 vjet janë kultivim i një letërsie përgjithësisht në shërbim të një regjimi diktatorial ku kjo periudhë konsiderohet se nuk duhet të shmanget, të mohohet, të demonizohet, por të studiohet në mënyrë shkencore, sepse nuk është vetëm periudhë letrare, por edhe periudhë historike e kulturore, ekonomike, politike e sociale e popullit shqiptar.
“Mirëpo, puna krijuese letrare e shkrimtarëve shqiptarë, kështu pra edhe arritja e plotë, e dëshiruar, e baraspeshës së sipërpërmendur, ndërpritet dhunshëm nga Lufta e Dytë Botërore e pastaj nga imponimi i doktrinës së realizmit socialist. Zhvillimi i mëtutjeshëm i letërsisë shqipe duhej t’u nënshtrohej qëllimeve të propagandës komuniste. Letërsia pra thjesht bëhet mjet i propagandës së regjimit diktatorial. Pasojë e kësaj politike: pak libra të shkruar e të botuar në atë periudhë, kanë tipare tejkohore artistike, pra edhe vlerë estetike, por mund të jenë lëndë interesante për studime të ndryshme, jo vetëm letrare. Në Kosovën nën Titon, ndonëse nuk ishte imponuar metoda e realizmit socialist, pra shkrimtarët mund të mos e zbatonin, presioni i regjimit komunist jugosllav kishte ndikuar në brendësinë e letërsisë, që përgjithësisht del politike e ideologjike. Pra, është letërsi me funksion. Derisa në Shqipëri kishte funksion (rol) nacional-komunist të shpërndarjes të së “vërtetës historike” të komunizmit dhe krijimin e “njeriut të ri”, në Kosovë, letërsia e kishte funksion (rol) ruajtjen e esencës kombëtare shqiptare dhe çlirimin nga sundimi sllav”, thotë ai.
Për Aliun, deri në rënien e komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, letërsia shqipe nuk arrin ta krijojë, e aq më pak ta anojë, baraspeshën mes ideologjisë, angazhimeve e detyrave kontekstuale dhe ligjësive të veta estetike, artistike.
“Populli shqiptar është futur në shekullin e njëzetë pa qenë në gjendje të shkruajë e të lexojë. Mbi nëntëdhjetë për qind e njerëzve nuk kanë ditur shkrim e lexim. Kjo mjeshtëri e panjohur zotërohej në nivel të lartë vetëm nga pak njerëz. Gjyshërit e stërgjyshërit tanë, me ndonjë përjashtim të rrallë, kanë qenë analfabetë. Shumica nga ne i mbajmë mend gjyshërit tanë, edhe nga ana e babës, edhe nga ana e nënës. Besa, nderi, mikpritja etj., kanë qenë virtytet e gjyshërve tanë. Po ashtu, edhe gjakmarrja, “virtyt” kanunor edhe ky. Dhe, deri diku, këto virtyte na shquajnë edhe sot e kësaj dite”, thotë Aliu.
Krejt në fund ai theksoi se këtu te ne ndodh që shumë nxënës të papërgatitur për shkollim superior, shpesh gjysmanalfabetë e analfabetë funksionalë, duke mos gjetur punë dhe mundësi për ta realizuar veten, në mënyrë që t’i shtyjnë edhe nja tri apo katër vjet të jetës së tyre rinore, regjistrohen fare lehtë nëpër universitetet e shumta dhe madje nganjëherë edhe arrijnë të doktorojnë.
Ndërsa, shkrimtari Milazim Krasniqi foli rreth gjendjes së rënduar që krijohet nga interneti e që ndikon në statusin e krizës së letërsisë.
“Kriza e statusit të letërsisë ka të bëjë me mënyrën se si ajo mësohet në shkolla, për ç’gjë trajtimin më esencial deri sot e ka bërë Cvetan Todorovi, në trajtesën e tij me titull, “Letërsia në rrezik.” Todorovi konstaton se: “në shkollë nuk mësohet se për çfarë flasin veprat, po për çfarë flasin kritikët.” Pra, në shkolla vëmendja e nxënësve përqendrohet te shkenca për letërsinë e jo te letërsia, përqendrohet te kritika e jo te vetë vepra letrare. Si pasojë e kësaj, brezat e ri nuk marrin edukim estetik fisnikërues nga veprat letrare, po marrin disa koncepte e skema artibrare të vlerësimit të letërsisë”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, këtë gjendje tashmë e ka bërë edhe më të rënduar, mbase edhe të pashpresë, përhapja e internetit, oferta e madhe e rrjeteve sociale dhe e medieve të reja. Pra, konsiderohet se jo vetëm brezat e rinj, po edhe të vjetrit tashmë janë të obsesionuar me komunikimin në rrjete sociale e në mediet e reja, i cili ofron mundësi të komunimimit të shpejtë, të thjeshtë, të shkujdesur, moskokëçarës për aspektet estetike të përjetimit e të komunikimit.
“Shkrimtari shqiptar në Kosovë, të vetmen shpresë mund ta ketë që vepra e tij ta presë një kohë kur mund të vlerësohet, ndërsa vetë shkrimtari shqiptar i këtij vendi, në shtetin e vet që në të njëjtën kohë është i mbikëqyrur dhe i pavarur, nuk e ka asnjë shans ta presë një kohë të atillë. Ne, shkrimtarët shqiptarë të Kosovës nga mosha pesëdhejtë vjeç e lart, nuk jemi brez i humbur. Ne jemi brez i izoluar nga prezenca ndërkombëtare, së cilës i ka interesuar dhe I intereson deshqiptarizimi kulturor i Kosovës, në favor të multietnicitetit, multikulturalizmit, neokolonializmit. Dhe ajo që dhemb edhe më shumë, ne jemi brez i injoruar nga institucionet tona, të cilat sikur e kanë një paison hakmarrës ndaj shkrimtarëve, për rolin esencial që kanë pasur në formulimin e projektit të pavarësisë së Kosovës. U është dukur se mënyra më e mirë e fshehjes së atyre meritave të shkrimtarëve, ka qenë injorimi i shkrimtarëve dhe i letërsisë. Deri sot, kanë pasur sukses”, përfundon Krasniqi.
Pas përfundimit të fjalimeve nga të dyja palët, bisedua u zgjerua edhe më shumë atëherë kur publiku u ftua për t’iu bashkangjitur diskutimit tutje me mendime e pyetje që u shqyrtuan e u diskutuan nën atmosferën plotësisht të qetë e të ngrohtë që u krijua mes tyre.
Projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” është duke u mbajtur deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, janë trajtuar temat si: “Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi”, “Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri”, “Leximi dhe Biblioteka”, “Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë”, “Komunikimi ndërkulturor”, “Gjuha e shkrimit letrar sot”, “Letërsia dhe teknologjia”, “Letërsia e gruas” dhe “Letërsia në kohë krizash”.
Ndërkaq, këtë të enjte do të mbahet mbrëmja e fundit letrare dhe kulturore e paraparë në kuadër të projektit “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, me ç’rast do të diskutohet për temën me titull “Letërsia e përkthyer”.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Republikës së Kosovës. / KultPlus.com