16 Shkurt, 2022 - 11:52 am
Era Berisha
PEN Qendra, e cila së fundmi ka pruar projektin më të ri të titulluar “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, tashmë po sjell aktivitete kulturore çdo të marte dhe të enjte në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast mbrëmë u zhvillua edhe një tjetër diskutim mjaft i frytshëm që rezultoi në një bashkëbisedim mes të pranishmëve dhe panelistëve të ftuar, shkruan KultPlus.
Si çdo herë, edhe kësaj radhe, ora shënoi 17:00 për të vënë në rëndësi temën e rëndësishme që do të shpalosej pas pak. Letrarë të rinj, artistë dhe jo vetëm, ishin të pranishëm për të parë e dëgjuar nga afër analizat e mendimet diversive të dy panelistëve që kanë të bëjnë me temën “Letërsia dhe teknologjia”, temë kjo që përhapi një interesim të dukshëm e mjaft interesant tek publiku.
Nata e shtatë me radhë e këtyre mbrëmjeve kulturore solli në panel profesorin e Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Ag Apolloni si dhe profesoreshën Lindita Tahiri, të cilët nën moderimin e Binak Kelmendi, si dhe me inkuadrimin e mjeteve të tyre teknologjike dhe asaj fizike siç është letra, e bënë kështu këtë natë edhe aq më të përafërt me temën e përzgjedhur për këtë natë, “Letërsia dhe teknologjia”.
Pra, “Letërsia dhe teknologjia” titullohet tema që u shpalos para një publiku i cili qëndron gjithmonë besnik ndaj këtyre aktivitete letrare me pjesëmarrjen e tyre të përhershme, e që sonte patën rastin të dëgjonin rëndësinë dhe ndikimin që ka teknologjia në letërsi. Se a është relacioni mes letërsisë dhe teknologjisë një aspekt pozitiv apo negativ apo thjesht një aspekt që po zhvillohet me evoluimin e botës, u tregua edhe nga të pranishmit që shqyrtuan rolin e teknologjisë në letërsi, të mirat dhe pasojat që ajo sjell me vete.
Ndërkaq, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Binak Kelmendi, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke përshëndetur të pranishmit për prezencën e tyre. .
“Ju dëshiroj mirëseardhjen në aktivitetin e radhës të PEN Qendrës. Para se të hyjmë në temën që do të zhvillohet sonte, do të njoftojmë se PEN Qendra e Kosovës ende nuk i ka të gjitha shënimet e pjesëmarrësve në këtë projekt, andaj do të publikohen menjëherë kur edhe do i kemi në duar shënimet. Sonte kemi temën me titull ‘Letërsia dhe teknologjia’, e cila është një temë mjaft komplekse dhe mendoj se letërsia dhe teknologjia kanë bashkëjetuar gjithmonë”, thotë Kelmendi.
Fillimisht në këtë mbrëmje për të treguar një anë më studimore për sa i përket temës, foli profesoresha Lindita Tahiri.
“Që nga zbulimi i Gutenbergut kur libri i parë që u shumëzua për publik ishte Bibla, teknologjia e re e shtypit u pa si e rrezikshme meqenëse e rrezikonte autoritetin e elitave, të cilat e humbisnin kontrollin e përhapjes të ideve. Prodhimi masiv i fjalës të shkruar, që zhvilloi shkencën dhe e përhapi arsimin, përpos në përhapjen demokratike të dijes, gjithashtu ndikoi edhe në komercializimin e librit, duke e ndryshuar përgjithmonë civilizimin. Libri filloi gradualisht të shndërrohet në medium masiv: në gjysmën e shekullit nëntëmbëdhjetë, vëllezërit Beadle në ShBA filluan të botojnë romane me çmim të lirë, dhe për pesë vite shitën më shumë se katër milionë vëllime”, thotë ajo.
Të gjithë fjalimin e saj, Tahiri e përqëndroi në ndikimin e teknologjisë për popullarizimin e letërsisë, në ndikimin e teknologjisë në raportin mes shkrimtarëve dhe lexuesve, dhe në ndikimin e teknologjisë në procesin e krijimit letrar.
“Sot, shkrimtari nuk është i vetëm në studion e vet me makinën e shtypit dhe fletët e shtypura apo të shkruara, si dikur, por e ka një botë të tërë në kompjuter, një univers në izolimin e vet, ku çdo lëvizje e jonë digjitale lë gjurmë të cilat mund të përcillien, të rruhen, e të shiten, për t’u shfrytëzuar në psikometri për profilizimin e personaliteteve tona. A paraqet kjo liri njëkohësisht edhe survejim, një sfidë për shkrimtarin dhe raportin e tij/saj me gjuhën?”, tha në fund profesoresha Tahiri.
Ndërsa, profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Ag Apolloni foli rreth trillimeve dhe shpikjeve të ndryshme që janë zhvilluar përgjatë viteve, duke sjellë kështu në pah aspekte të reja të relacionit mes teknologjisë dhe letërsisë.
“Ideja ndryshon kur bëhet gjuhë, gjuha ndryshon kur bëhet shkrim. Ideja është imazh, gjuha është fjalë, shkrimi është varg shkronjash. Pra, kemi këtë linjë: përfytyrim, tingull, shkronjë. Edhe sot, gjatë të folurit, shpesh themi ‘më fal, se ndryshe e mendova’. Kjo do të thotë që të folurit kurrë nuk arrin ta bartë mendimin njëqind për qind të saktë. Kur nuk arrin të folurit, merreni me mend sa largohet shkrimi. Ndërsa, në anën tjetër shpikja e shkrimit e ka zbehur rëndësinë e fjalës. Pra, njeriu ka kërkuar vazhdimisht materialin më praktik për ta ruajtur shkrimin, për ta ruajtur traditën”, shpalos ai.
Sipas tij, dihet se letërsia është gjuhë, por gjuha s’është letërsi, andaj dhe gjuha ka lindur për arsye praktike, letërsia për arsye estetike. Pra, letërsia vjen pas gjuhës dhe para shkrimit. Ai tutje konsideroi se shkrimi e shtrembëron mendimin.
Për Apollonin, çdo transformim është pritur me dyshim, e kjo nuk flet për atë mosbesimin tradicional ndaj të resë, sa për nevojën për t’u siguruar në efikasitetin e materialit të ri. Tashmë mund të thuhet se çdo brez e shfrytëzon traditën nëpërmjet materialit të kohës së tij, çka do të thotë se ne nuk e lexojmë Librin e të vdekurve në papirus, as Epin e Gilgameshit në pllaka argjiri; të gjitha i lexojmë në letër dhe në gjuhët e gjalla, kryesisht në gjuhën amtare dhe në ndonjë gjuhë tjetër, kjo e shpjeguar mitologjikisht si pasojë e shembjes së Kullës së Babelit.
“Shpikja e shtypshkronjës e ka përshpejtuar përhapjen e teksteve, rrjedhimisht edhe të ideve. Me kalimin e shekujve, librat u bënë të qasshëm për të gjithë dhe ndikues te të gjithë. Shpesh nëpërmjet fletushkave dhe broshurave u përshpejtuan ndryshime politike dhe u shkaktuan revolucione. Shkrimi, apo libri, u bë mjet efektiv, ai i transformonte njerëzit nga brenda. I ndriçonte dhe i rebelonte, por nganjëherë edhe i manipulonte. Sidoqoftë, me shpikjen e shtypshkronjës një gjë ishte e sigurt: e vërteta do të ishte shumë e vështirë, ndoshta edhe e pamundur, për t’u ndaluar. Shtypshkronja ishte neutrale ndaj shkrimeve, pra shtypte art, filozofi, shkencë dhe propagandë, por ajo u pa sidomos si një armë në duart e të diturve. Mekanizmi i shtypshkronjës e përshpejtoi modernizimin e jetës. Shpikja e makinës së shkrimit, apo edhe e kompjuterit nuk e ka zëvendësuar ende shtypshkronjën”, thotë ai.
Ai tutje tregon se mjafton të kujtojmë që interneti, në formën e tij të avancuar, po i sfidon dy shpikjet e mëdha: letrën dhe shtypin, ku tashmë miliona libra janë të qasshëm në formë elektronike, që mund të lexohen pa i shtypur. Ndërsa, brezat e shekullit 21, nuk e kanë të domosdoshme letrën, përveç në ato vende ku nuk lexohet. Ata lexojnë libra elektronikë, bëjnë nënvizime në tekst, shkruajnë në margjina, dhe e ruajnë tekstin me të gjitha shenjat e leximit të tyre. Leximi i tyre, por edhe shkrimi në raste të shpeshta, është konsideruar ekologjik.
“E ardhmja e librit, pavarësisht ku shkruhet e si shkruhet, nuk po rrezikohet, por po pasurohet. Dikur, Iliada dëgjohej. Ndërsa ka disa shekuj që Iliada lexohet. Nesër Iliada do të lexohet dhe dëgjohet. Pra, letërsia nuk po e humb lexuesin, por po e fiton edhe dëgjuesin”, përfundon Apolloni.
Pas përfundimit të fjalimeve nga të dyja palët, bisedua u zgjerua edhe më shumë atëherë kur publiku u ftua për t’iu bashkangjitur diskutimit, përderisa shkrimtarja Nerimane Kamberi, shkrimtari dhe publicisti, Ibrahim Berisha, profesori Sali Bashota, shkrimtari Ibrahim Kadriu si dhe Avni Spahiu zgjeruan bisedën tutje me mendime e informata të ndryshme që u shprehën e u diskutuan nën atmosferën plotësisht të qetë e të ngrohtë që u krijua mes të pranishmëve dhe panelistëve.
Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Letërsia e gruas, Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.
Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar temat si: Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi, Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri, Leximi dhe Biblioteka, Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë, Komunikimi ndërkulturor, Gjuha e shkrimit letrar sot dhe Letërsia dhe teknologjia.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Republikës së Kosovës. / KultPlus.com