23 Shtator, 2024 - 1:41 pm
Së fundi është botuar libri ”Masakrat në Kosovë 1998-1999”, botuar nga Admovere dhe Integra, libër që është prezantuar në tri gjuhë: shqip, sërbisht e anglisht, e që autori Shkëlzen Gashi ka arritë të përfshijë 200 fotografi të fotografëve më të njohur.
Autori Shkëlzen Gashi ka njoftuar se shkrimtari i njohur serb Dejan Tiago-Stankovic, i cili në këtë libër është përfshirë në cilësinë e redaktorit për tekstin në gjuhën serbe ka publikuar një shkrim për magazinën e njohur serbe “NIN”, të titulluar ‘Çfarë hajri ka prej rrenave?’.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e plotë të Gashit për shkrimin Dejan Tiago-Stankovic
Shkrimtari i njohur sërb Dejan Tiago-Stankovic, redaktor i tekstit sërbisht në librin ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, në magazinën sërbe NIN botoi një shkrim për librin ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, të titulluar ‘Çfarë hajri ka prej rrenave?’:
«Pranova punën e redaktimit të një përkthimi, por kësi hovi më mbeti në fyt sepse m’u desh të lexoja rrëfime të vërteta frike e tmerri. Katalog të krimeve në masë. Rrëfime tronditëse për gjakderdhjet, zjarrvëniet, plaçkitjet, pleqtë e therur, talljen me viktimat, poshtërimin e të burgosurve para likuidimit, për puset plot trupa, frigoriferët e ngarkuar me gra të vdekura, fëmijë, nxënës shkolle.
Nuk i dija krejt këto. Çfarë ndodhi saktë në vitin ‘99? Nuk i dija, sepse nuk doja t’i dija.
Pse neve nuk na pëlqen e vërteta, kjo nuk i ndryshon gjërat, e vërteta është e vërtetë, ekzistojnë vendime gjykatash ndërkombëtare dhe sërbe që e vërtetojnë këtë. Ekzistojnë dëshmi të të mbijetuarve.
Shumica dërrmuese e kriminelëve nuk u gjetën e nuk u ndëshkuan. Sërbët ia fshehin vetvetes krimet në Kosovë. Kjo e vërtetë nuk ndodhet nëpër tekste, mediat mezi merren me të, filmat për të nuk depërtojnë në TV, ndaj është e dukshme se bashkë po e mbrojmë mitin për sërbët si viktima, e asnjëherë si gjakatarë. Çfarë hajri ka prej rrenave?
Edhe më fort shqetëson dijenia se ekziston një segment i tërë i shoqërisë sonë, mjaft i gjerë, që jo vetëm nuk e di këtë të vërtetë dhe nuk do ta dijë, por edhe e mohon, e tema është tabu, sikur të kishte farë betimi për heshtje mes sërbëve – kushdo që guxon ta shqiptojë këtë të vërtetë, shpallet tradhtar publikisht, vihet nën trysni të madhe, kërcënohet. Njerëzit tuten»./ KultPlus.com