22 Janar, 2024 - 12:00 pm
Kur mjeku i Rilindjes Andreas Vesalius shkroi mbi anatominë njerëzore në vitin 1543, ai transformoi studimin e mjekësisë dhe revolucionarizoi mënyrën se si shkencëtarët hetojnë botën.
Një botim i tij i vlerësuar të jetë me vlerë deri në 1 milion paund, do të shitet në ankand për herë të parë që kur studiuesit zbuluan se ishte shënuar nga vetë Vesalius.
Libri me 800 faqe u shit për herë të fundit në vitin 2007 për rreth 8 mijë e 500 paund te Gerard Vogrincic, një patolog kanadez në pension dhe adhurues i historisë mjekësore, i cili mbledh libra të vjetër mjekësorë me shënime.
Ai vuri re se i gjithë teksti, i cili i dha Vesalius një reputacion si “babai i anatomisë moderne njerëzore”, u shënua në latinisht nga fillimi në fund, me kryqëzime të pazakonta të paragrafëve, ndryshime të vogla në vizatime dhe korrigjime të shenjave të pikësimit dhe gabimeve drejtshkrimore.
Në pamundësi për të lexuar latinisht, Vogrincic vendosi të krahasojë shkrimin e dorës me shembuj të tjerë të njohur të dorëshkrimit të Vesalius.
Kur më shumë se 100 fjalë dukej se përputheshin identike, ai kontaktoi ekspertin e njohur të Vesalius, Vivian Nutton, në Qendrën UCL për Historinë e Mjekësisë, i cili lexoi dhe studioi shënimet.
Po ashtu konfirmoi se ato ishin bërë me të vërtetë nga Vesalius.
“Sapo shihni numrin e madh të të gjitha atyre korrigjimeve, është befasuese”, ka thënë Nutton, duke shtuar se disa nga shënimet ishin udhëzime për printerin, ndërsa të tjerat ishin shënime dhe indikacione “që vetëm autori mund t’i kishte bërë”.
“Nuk ka absolutisht asnjë dyshim”, ka theksuar ai.
Sipas tij, leximi i shënimeve ofroi një mundësi unike për të “hyrë në mendjen e Vesalius…aty shihni se si ai mendon, çfarë është interesante për të, pse ai po përpiqet të bëjë diçka”.
Vogrincic nuk e kishte idenë kur e bleu librin që Vesalius e kishte prekur ndonjëherë, e lëre më ta kishte shënuar, por ai e donte atë për koleksionin e tij.
“Ky libër ndryshoi mënyrën se si mendohej për mjekësinë. Përpara se Vesalius ta shkruante atë, njerëzit thjesht supozonin se mjekët e lashtë grekë, Hipokrati dhe Galeni, ishin autoritetet – dhe nuk duheshin marrë në pyetje”.
Galeni, i cili lindi në vitin 129 pas Krishtit, dominoi studimin e anatomisë për më shumë se një mijëvjeçarë – edhe pse ai i bazoi raportet e tij anatomike kryesisht në diseksionin e kafshëve të tilla si majmunët barbarë.
Pasaktësitë e tij vazhduan sepse shumica e profesorëve të anatomisë, të cilët lexonin dhe ua mësonin studentëve të universitetit, nuk kryenin vetë diseksione.
Kjo shihej si punë manuale dhe u la në dorë të kirurgëve.
Vesalius, gjenialiteti mjekësor i të cilit i dha atij titullin profesor në moshën 23-vjeçare, kishte “një mendim krejtësisht të ndryshëm”.
“Ai duhej ta shihte vetë. Dhe sa më shumë që shikonte dhe bënte diseksionet e tij, ai pa që Galeni e kishte gabim. Dhe pikërisht atëherë ai filloi të vërë në dyshim të gjithë autoritetin që kishte zbritur gjatë shekujve dhe të thoshte: ne duhet ta gjejmë vetë se cila është e vërteta”.
Kur Vesalius publikoi zbulimet e tij shumë të diskutueshme në Fabrica në moshën 28 vjeçare, ai ndërthuri tekstin e tij me ilustrime të hollësishme të anatomisë njerëzore, të cilat ishin “të patejkalueshme në atë kohë për nga bukuria, saktësia dhe cilësia”, sipas Vogrincic.
Mjekët vazhduan të mbështeteshin në ilustrimet e anatomisë së tij për më shumë se 200 vjet.
“Është një punë e jashtëzakonshme, shumë më përpara se çdo gjë tjetër në dispozicion në atë kohë”, ka treguar Nutton.
“Ai shpejt prodhoi një sistem anatomie dhe e parashtroi atë në një mënyrë krejtësisht të ndryshme dhe unike”.
Vesalius botoi një botim të dytë të Fabrica në vitin 1555 dhe studiuesit kanë arritur në përfundimin se kopja që u ofrua për ankand në Christie’s në New York u shënua nga autori në përgatitje për një botim të tretë.
“Këto janë shënime pjesërisht që ai i bëri për printerin – por tërësisht për veten e tij”, ka treguar Nutton, i cili kaloi dy vjet duke studiuar shënimet, përpara se studiuesve të tjerë t’u jepej akses në libër nëpërmjet bibliotekës së librave të rrallë Thomas Fisher të Universitetit të Torontos, ku u strehua për më shumë se një dekadë.
Kjo i mundësoi Vogrinçiçit të ndante zbulimin e tij me botën, duke siguruar që ai ende mund të përballonte ta zotëronte atë.
“Mbledhësit e librave ëndërrojnë për një gjetje të tillë dhe sigurisht që ishte emocionuese. Por për të siguruar një libër kaq të vlefshëm në shtëpi – kostoja është e egër”, ka thënë ai.
Një botim i tretë i Fabrica nuk u botua kurrë për shkak të vdekjes së parakohshme të Vesalius në moshën 50-vjeçare.
Studiuesit tani e konsiderojnë këtë kopje unike të shënuar si rishikimet përfundimtare të Vesalius në tekstin e tij të famshëm.
“Do të kisha frikë ta kisha në shtëpinë time tani, do të kisha frikë ta shikoja dhe do të kisha frikë se mos binte zjarr në shtëpi. Është shumë i rëndësishëm dhe shumë i shtrenjtë”, ka thënë Vogrincic.
Marrë nga “The Guardian” (Albanianpost). / KultPlus.com