2 Nëntor, 2023 - 12:32 pm
Shkrimtari Ben Blushi ka njoftuar se sot ka dal nga shtypi libri i tij më i ri. Por për këtë roman, Blushi nuk ka shpalosur më shumë.
Shkrimtari Ben Blushi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka folur për librin në përgjithësi duke vlerësuar se kur bota prodhonte me pak, lexonte më shumë. Ai gjithashtu rrëfen se shumë vite më parë, ndërsa babai i tij priste që librat e tij të shtypeshin, Blushi kishte menduar se nuk do ta provonte kurrë atë kënaqësi.
“Në atë kohë, kur librat vinin nga shtypshkronja, ne na dukej sikur një fëmijë tjetër kishte ardhur në shtëpi. Ardhja e një libri të ri kishte magjinë të ndriçonte errësirën e jetës së përditshme dhe në varfërinë e sendeve të pakta që konsumonim, shtëpia pasurohej me një mall tjetër, që për më tepër mbante mbiemrin tonë”, tregon shkrimtari.
Ky është postimi i plotë i Ben Blushit:
Romani im i fundit doli sot në mëngjes nga shtypshkronja. Ishte i plastifikuar, i paketuar, i mbështjellë me qese transparente të mjaftueshme për të mbajtur tre kopje. Librat dalin nga shtypshkronjat të rregullt dhe të freskët, njëlloj si çdo mall tjetër që del nga fabrika në të cilën pastrohet, llustrohet, peshohet, ambalazhohet dhe zbukurohet para se të hidhet në treg.
Ndryshimi i librave me mallrat e tjerë është se mallrat e fshehin autorin, të cilin libri e mban në kurriz gjithë jetën. Kështu mallrat janë më të mbrojtur dhe librat janë më të sulmuar. Prandaj librat kanë vuajtur shumë nga konkurrenca me mallrat e konsumit. Kur bota prodhonte më pak, lexonte më shumë. Sot që ka miliona palë këpucë, pirunë, pjata, lugë, lavatrice, tharrëse, furça, lapsa, kopsa, abazhurë, telefonë dhe rroba, njerëzit lexojnë më pak. Mallrat kanë një veti që librat nuk e kanë: ato ta marrin mendjen më shpejt.
Shumë vite më parë, ndërsa babai im priste që librat e tij të shtypeshin, unë mendoja se nuk do ta provoja kurrë atë kënaqësi. Në atë kohë, kur librat vinin nga shtypshkronja, ne na dukej sikur një fëmijë tjetër kishte ardhur në shtëpi. Ardhja e një libri të ri kishte magjinë të ndriçonte errësirën e jetës së përditshme dhe në varfërinë e sendeve të pakta që konsumonim, shtëpia pasurohej me një mall tjetër, që për më tepër mbante mbiemrin tonë.
Më kujtohet se si i afrohesha atyre botimeve dhe u mbaja erë. Librat mbanin era plumb të përzjerë me zamkë dhe çuditërisht me pak benzinë. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse librat e kohës së komunizmit mbanin era benzinë. Ndoshta ngaqë makinat e linotipit pastroheshin dhe lubrifikoheshin me benzinë dhe me graso. Ndoshta. Dikush që e urren komunizmin më shumë se unë, me siguri do thoshte se librat lyheshin me benzinë që të digjeshin më shpejt. Mund të ketë të drejtë. Një mik i mirë që dikur punonte linotipist në shtypshkronjën e vjetër të Tiranës, ka vdekur dhe unë nuk e pyes dot më për erën e çuditshme të librave të asaj kohe. Ai vdiq nga kanceri në mushkëri për shkak të gërmave të plumbit me të cilat kishte shtypur miliona faqe.
Tani, sa herë botoj një libër, kam të njëjtin emocion, por jo të njëjtën erë. Faqet e librave nuk mbajnë më era benzinë dhe ata që i shtypin nuk mbajnë era plumb si linotipistët e dikurshëm.
Megjithatë, duke ndjekur zakonin tim për tu mbajtur erë librave, përfundova sot në mëngjes në shtypshkronjën nga e cila doli libri im i dhjetë. Aty takova burrat dhe gratë që shtypin librat. Ata punojnë në shtypshkronja digitale dhe përveçse nuk mbajë era plumb janë dhe më të qeshur. Qesha dhe unë pak me ta, bëra disa fotografi, mes të cilave dhe një duke shtyrë një paletë të ngarkuar me tirazhin e rëndë të romanit të ri dhe bashkë me Roland Tashon që na fotografoi, ika duke marrë disa kopje me vete.
Askush nga ata që punojnë në atë shtypshkronjë moderne nuk më pyeti për librin. Duke shtypur libra, ata me siguri mendojnë për mallra të tjerë. Dhe meqë ata nuk më pyetën, nuk e po tregoj se për çfarë flet ky roman i fundit.
Ka ditë plot. Tani dua të ngopem me erën e librit tim të ri. / KultPlus.com