27 Nëntor, 2024 - 9:32 am
Me demonstratat e nëntorit të vitit 1968, të nisura në Prizren më 5 nëntor dhe të vazhduara në disa qytete, të përmbyllura në Prishtinë, më 27 nëntor, procesi i shtetndërtimit, i mbështetur mbi kërkesën për Republikën e Kosovës, u vu në binarët e pandalshëm historik, i cili, më 17 shkurt 2008, u kurorëzua me pavarësinë e Kosovës.
Jusuf Buxhovi
Mbyllja e diskutimeve publike ku kërkohej që Kosova të fitonte statusin e republikës si dhe tërheqja nga ajo e udhëheqjes politike të Kosovës para trysnisë serbe dhe kompromiseve të udhëheqjes jugosllave me atë serbe, nuk e kishte mbyllur këtë çështje. Përkundrazi, fryma e saj nuk kthehej mbrapa. Këtë e dinin të gjithë. Por, çështje ishte si do të drejtohej ajo dhe nëpër çfarë koniunkturash do të kalonte e gjitha,veçmas kur në vend, tek studentët, kishte filluar fryma e lëvizjeve, që asokohe përhapeshin në Paris, Berlin dhe qendrat tjera evropiane me moton për ndryshime demokratike. Natyrisht, se në kuadër të këtyre ndryshimeve demokratike duhej nxjerrur edhe kërkesa për “Republikën e Kosovës”.
Andaj, ishte fare e natyrshme që kërkesa për “Republikën e Kosovës” duhej të kalonte te studentët dhe te rinia, të shpalosej publikisht, si një kërkesë demokratike e cila ishte në përputhje me konceptin që ishte shfaqur gjatë diskutimeve publike, me ç’rast ajo ishte arsyetuar me të drejtën për vetëvendosje.
Dhe, si e tillë, kërkesa për Republikën e Kosovës, do të kthehet në moto të demonstratave gjatë tetorit dhe nëntorit në disa qytete të Kosovës (Prizren, Pejë, Istog, Gjilan, Podujevë, Besianë, Ferizaj, Mitrovicë, Therandë, por edhe në Tetovë dhe Ulqin) për t’u përmbyllur me atë të Prishtinës më 27 nëntor, e cila njëherësh ishte demonstrata më e fuqishme që ishte parë ndonjëherë në Kosovë nga Lufta e Dytë Botërore e këndej.
Natyrisht se demonstrata madhështore e Prishtinë si dhe ato që i paraprinë asaj anembanë nuk kishin pikur nga qielli e as nuk ishin “tubime spontane”. Ato kishin organizatorët e tyre (kryesish studentë dhe veprimtarë të tjerë nga Lëvizja e gjerë e rezistencës), që për mentorë të drejtpërdrejtë kishin klasën intelektuale të Kosovës, e cila kishte ndërtuar konceptin ideor të tyre me shumë guxim dhe vizion politik.
Kishte këtu edhe një ndryshim të madh, që po ashtu shfaqej historik, meqë kërkesa për Republikën e Kosovës e barabartë në Federatën Jugosllave, pra si kërkesë për barazi brenda federatës jugosllave, zëvendësonte atë për bashkimin kombëtar, pra me Shqipërinë, me mjete revolucionare.
Megjithatë, e përbashkët e këtyre kërkesave, pra e barazisë me Republikën e Kosovës dhe e bashkimit me Shqipërinë, kishte mbetur parimi i vetëvendosjesderi në shkëputje, që buronte nga teoria leniniste. Në nivelin e një platforme shfaqej edhe në Programin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, që e kishte themeluar A. Demaçi në vitin 1964.
Kështu, kërkesat që deri më dje ishin ilegale, tash bëheshin legale. Por, parimet revolucionare ua kishin lëshuar vendin atyre demokratike, gjë që paraqiste një ndryshim të madh.
Duhet thënë se demonstratat me kërkesën për republikën e Kosovës gjatë muajit tetor dhe nëntor në shumë qytete të Kosovës, por më vonë edhe në Tetovë dhe Ulqin, filluan në Prizren më 6 tetor 1968.
Prizreni si pikënisje nuk ishte i rastësishëm, kur dihej se aty ishte themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 – ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shqiptarëve, prej nga do të drejtohen që të gjitha zhvillimet të cilat do të çojnë te pavarësia kombëtare e vitit 1912. Andaj, demonstratat e Prizrenit, me kërkesën për Republikën e Kosovës, duhej të vënin në veprim, një proces të papërfunduar historik drejt zgjidhjes së drejtë.
Tubimi i demonstruesve u bë pranë monumentit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas nderimeve që iu bënë prijësve të Lidhjes, masa e demonstruesve iu drejtua qendrës së qytetit me ç’rast, te Shatërvani i njohur u nxorën kërkesën për Kosovën Republikë.
Kështu, Prizreni u bë vendi i parë ku në një demonstratë të madhe u kërkua publikisht Kosova Republikë. Ishin, pra këto demonstratat e para të Shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore ku Shqiptarët po kërkonin barazi, e cila ua kthente të drejtën e vetëvendosjes dhe mundësinë t’i sendërtojnë të drejtat e tyre historike.
Pas kumtit të madh që u dha në Prizren dhe jehonës që bëri në të gjitha anët, fryma e demonstratave përfshiu gjithë vendin. Pas dy ditësh, të njëjtat u mbajtën edhe në Suharekë (Therandën e sotme).
Një demonstratë tjetër e rëndësishme që u mbajt gjatë tetorit, ishte edhe ajo e Pejës. Demonstratat u mbajtën më 19 tetor.
Pas demonstratave të suksesshme të tetorit që filluan në Prizren dhe përfunduan në Pejë, lëvizja demonstruese zuri të përhapet edhe në pjesët e tjera të Kosovës, por qëllimisht u prit dita e 27 nëntorit që ato të mbaheshin njëherësh në disa qytete, gjatë ditës: në Gjilan, Besianë, Mitrovicë e Ferizaj, ndërsa pas dite ato përfundimtare në Prishtinë.
Demonstratat në Gjilan u nisën nga oborri i Shkollës Normale dhe Gjimnazit. Demonstruesit bartnin fotografitë e Marksit, Engelsit dhe të Titos si dhe flamurin kombëtar shqiptar bashkë me atë jugosllav. Demonstruesit kishin edhe pankartat me parullat e shkruara: “Duam vetëvendosje”, “Duam Kushtetutë”, “Duam Universitetin” dhe të tjera.
Me këto parulla demonstruesit kaluan nëpër rrugën kryesore të qytetit deri te stacioni i autobusëve për t’u kthyer në vendin prej nga ishin nisur.
Në të njëjtën ditë, demonstrata u mbajtën edhe në Podujevë (Besianë) dhe në Mitrovicë. Në Podujevë, demonstratat ishin të suksesshme dhe masive, ndërsa në Mitrovicë, u penguan nga policia, e cila mori masa të mbeteshin të kufizuara. Edhe në këto qytete u hodhën të njëjtat parulla, siç ishin ajo për Kosovën Republikë, pastaj për Kushtetutën, Universitetin dhe për liri e barazi.
Krahasuar me demonstratat në Gjilan, në Podujevë dhe në Mitrovicë, që kaluan pa ndonjë incident, ato në Ferizaj u përcollën me ndërhyrjen e policisë, e cila përdori forcën që të pengojë parakalimin demonstruesve në qendër të qytetit.
Demonstratat e tetorit dhe të nëntorit, do të kurorëzohen me ato që u mbajtën në Prishtinë pasditen e 27 nëntorit 1968 për të vazhduar deri në orët e mbrëmjes.
Osman Dumoshi, në emër të “Komitetit të demonstruesve”, parashtroi kërkesat prej shtatë pikash:
(Shkëputje nga “Kosova – histori e shkurtër”, 2021, faqe 575-578)./KultPlus.com