Dëmtohet varri i Karl Marksit në Londër

6 Shkurt, 2019 - 3:00 pm

Varri i Karl Marksit në varrezat e njohura Highgate në Londër është vandalizuar në një sulm të koordinuar, që do të thotë se monumenti i rëndësisë së veçantë “kurrë më nuk do të jetë njësoj”.

Vandalët e dyshuar kanë dëmtuar pllakën që është marrë nga varri origjinal i Marksit në vitin 1883, dhe i është vendosur monumentit të krijuar në vitin 1954.

Pamjet e memorialit të dëmtuar, të cilin e vizitojnë mijëra njerëz çdo vit, shfaq pllakën e goditur me një çekan që ka fshirë shkronjat e emrit në pllakën e mermertë.

Ian Dungavell, nga Shoqëria e Highgate Cementery, e ka dënuar sulmin duke e cilësuar si “gjë të shëmtuar për ta bërë” dhe “një formë e gabuar për të shfaqur koment politik”. Ai ka thënë se varri do të jetë përjetë i dëmtuar. Policia është njoftuar për rastin të hënën pasdite.

Dungavell ka thënë se asnjë varr tjetër nuk është dëmtuar gjatë këtij sulmi.

“Ishte sulm i koordinuar kundër Karl Marksit. Nuk ishte i zakonshëm. Nga fotografitë mund të shihni se personi e ka nxjerrë më të mirën prej vetes për ta fshirë emrin e Karl Marksit”, ka thënë ai, që e ka quajtur “akt qyqar”.

“Pavarësisht se çfarë mendojnë njerëzit për filozofinë e Marksit, mendoj se është gjë e shëmtuar. Në nivelin njerëzor, ky është varri i bashkëshortes, i tij dhe i anëtarëve të tjerë të familjes”, ka thënë Dungavell.

“Nuk është mënyrë e duhur për të trajtuar një monument të shkallës së parë dhe është formë e paartikuluar e protestës politike”, ka shtuar ai.

“Nëse dikush është antimarksist, mund të bëjë shumë më mirë nëse tenton të ndryshojë mendimin e vet sesa ta thyejë një monument. Kjo nuk do të fitojë simpatinë për kauzën kundër marksizmit”, ka thënë Dungavell.

“Sulmi i organizuar” në monument është “shumë dashakeq”, ka thënë ai. “Nuk do të jetë kurrë i njëjtë dhe do ta mbajë këtë plagë të betejës edhe në të ardhmen”.

Përmes një komunikate, Policia Metropolitane ka thënë se hetimet janë mbyllur dhe po presin ndonjë informacion nga dëshmitarët e mundshëm.

“Hetimet fillestare kanë përfunduar dhe në këtë fazë ato janë mbyllur. Nëse del në dritë ndonjë informacion, rasti do të hetohet me përpikëri”, ka thënë policia.

Dunkavell ka spekuluar kur ka thënë se sulmuesi ka qenë mëngjrash, sepse shenjat e çekanit janë në anën e majtë të monumentit.

“Mendoj se është mëngjrash, sepse këndi i shenjës është kah e majta e memorialit dhe përfundon në të djathtë. Nëse do të ishin djathtakë, shenjat do të ishin nga e djathta në të majtë”.

“Do ta dija edhe nëse do të ishte bërë me ndonjë metal të hollë. Ka shenja ndryshku. Prandaj po them se është goditje me çekan”, ka thënë ai.

Ende është e paqartë se kur ka ndodhur incidenti. Dëmi është vërejtur të hënën mbrëma, por Dungavell ka thënë se fotografitë e postuara në rrjete sociale tregojnë që sulmi ka mundur të ndodhte javën e kaluar ose më herët.

“Kur shikoj fotografitë nëpër rrjete sociale nga njerëzit që kanë vizituar varrezën, e shoh që dëmi shihet në disa prej atyre fotografive”, ka thënë ai.

Vlera e dëmit ende nuk është llogaritur, por Dungavell ka në plan që të ftojë një konservues gurësh për të parë nëse mund të riparohet pllaka.

Autori i librave për fëmijë, Michael Rosen, ka bërë thirrje për mbulimin e shpenzimeve të riparimit. Shoqëria e Varrezës do të diskutojë me pronarët e varrit të Marksit. Sulmi ka nxitur bisedime për mundësinë e instalimit të kamerave të sigurisë rreth monumentit.

“Ka mundësi që të bëjmë një analizë të sigurisë me Marx Grave Trust dhe të flasim me policinë se çfarë mund të na rekomandojnë ata”, ka thënë Dungavell.

Ai ka thënë se memoriali i Marksit vazhdimisht është dëmtuar që prej vendosjes në këto varreza.

“Ka nxitur kundërthënie gjatë viteve. Është përshkëllirë me ngjyrë. Para tij kanë kënduar, busti i bronztë ishte tërhequr me konop dhe ishte vendosur një bombë në janarin e vitit 1970, që e dëmtoi fytyrën e tij”, ka thënë Dungave.

“Ky ishte ngushëllimi i vetëm – ai kurrë nuk është harruar”/ The Guardian. /KultPlus.com

Të ngjajshme