23 Mars, 2024 - 3:30 pm
“Dëshmia e një nëne”, titullohet libri që gjeti dritën e promovimit në gjuhën angleze, sot në ambientin tashmë të ngrohtë, KultPlus Caffe Gallery, i cili përqafon më së miri rreshtat e secilës fletë. Libri është botuar më herët në gjuhën shqipe, por së voni është përkthyer në gjuhën angleze. Përbrenda tij gjejmë një monografi që flet për kohën e luftës, për peripecitë e autores Shpresa Raça Hoxha si nënë, për djalin e saj, Iliri, i cili ishte burgosur në atë kohë nga forcat serbe, gjatë luftës në Kosovë, shkruan KultPlus.
Promovimi filloi fiks në orën 13:00, dhe dashamirë të librit, të rinj e të vjetër, rrethuan hapësirën me prezencën e tyre të shumtë. Të interesuar për të njohur nga afër autoren, hapën sytë e veshët katër, ndërsa qetësia u bë shoqëruesi sekondar i ngjarjes.
Këtë ngjarje e shpalli të hapur panelistja dhe gazetarja Vera Pelaj e cila përveç që falënderoi të gjithë për pjesëmarrje, tha se për librin më gjerësisht do të flasin: autorja Shpresa Raça Hoxha, shkrimtari dhe gazetari Sylejman Aliu, shkrimtari dhe gazetari Agim Gjakova, dhe djali i autores, Ilir Hoxha, i cili njëkohësisht është edhe protagonisti kryesor i librit.
Ky takim letrar i cili mblodhi edhe shumë familjarë afër vetes, synim kryesor kishte që gjeneratat që po vijnë, ta dinë thellësisht se çfarë krime ka kryer populli serb, mbi supet e shqiptarëve.
Fillimisht, ishte shkrimtari dhe gazetari Sylejman Aliu, i cili tha se në këtë libër, gjatë leximit, duhet të ndjehet më së miri trishtimi i një nëne, por edhe gëzimi që nuk jemi më në atë kohë.
“Libri është një rrëfim i jashtëzakonshëm, një rrëfim i një nëne, që prek secilin lexues i cili do ta ketë në dorë librin, e do ta lexojë me vëmendje. Sa i madh që është libri, aq edhe trishtues, sepse të rrëqethë me secilën fjalë që ka brenda. Më erdhi shumë mirë që ky libër i botuar në shqip, është tashmë edhe në gjuhën angleze sepse bota duhet ta njeh këtë rrëfim dhe këtë ngjarje. Secili nga ne duhet ta dijë se çfarë ka ndodhur me ne gjatë luftës, çfarë kanë bërë pushtuesit serb mbi kombin shqiptar. Uroj që ta lexoni me shumë vëmendje, e ta ndjeni trishtimin por edhe gëzimin që kemi dal nga ajo situatë, dhe tashmë jemi ku jemi.”
Në anën tjetër, shkrimtari dhe gazetari Agim Gjakova, ka thënë se autorja si nënë ka qenë e vendosur në një kryqëzim të sajin personal, nga i cili me shumë vështirësi ka dal nga aty.
“Ky libër është i vogël kur e shikon, por ata që futen brenda tij, e ndjenjë një gamë të madhe ndjenjash dhe mendimesh, rrethanash, përplasjesh, në bazë të rrethanave që kanë ekzistuar. Mbi kryqëzimin tonë të kombit, u ndodh edhe Shpresa në një kryqëzim të saj personal, i cili ia diktoi një mënyrë tjetër jetese. Dihet se sfidat e vështirësojnë jetën por tejkalimi i tyre i jep kuptim jetës, andaj Shpresa mbi këtë bazë, ka ditur ta shprehë vetën në mënyrën më të saktë. Nuk është një rrëfim që thjesht u botua, por është një rrëfim që rrjedh nga një nënë që ka ndjenjat e saj, mendimet e saj, përplasjet e saj, lotët e saj, vuajtjet e saj, ashtu si shumë nëna të Kosovës. Pra, rrëfimi i saj është i angazhuar në plot pikëpamje të amësisë, jo thjesht për të treguar diçka, por atë çka është thelbësore në jetën njerëzore”, thotë ai.
Sipas tij, nëse hyjmë në analizën përmbajtësore, del që jo vetëm që është një libër i rrëfyer me një konkretësi, por është i bazuar në një personazh real, i biri i saj. Tipizimi i nënave shqiptare, është vlera e vërtetë e këtij libri. Autorja nuk ka përdor ngjyra të ndryshme për të befasuar mendimin e lexuesit, mirëpo ka paraqitur konkretësinë e zhvillimeve që kanë ndodhur.
“Për këtë libër mund të flitet shumë, mirëpo në mënyrë të veçantë është theksuar se Shpresa me këtë libër, me gjithë vuajtjet, me gjithë përplasjet, me gjithë urrejtjen, përçmimet e kohës, ka qëndruar njerëzore. Në libër nuk ka shprehje që përdhos kombin tjetër, në asnjë moment. Edhe urrejtjes i është përgjigjur me integritet njerëzor. Veçori e veçantë e këtij libri është se Shpresa nuk i ka thënë vetes heroinë, por ka treguar që nëna shqiptare, është e tillë me përballimet e veta”, përfundon ai.
Po ashtu, protagonisti i vetë librit, Ilir Hoxha ka thënë se tregimi i nënës është shumë më emocional se vetë rrëfimi i autores për vetën e tij.
“Me thënë të drejtën, në libër vijojnë dy histori paralele. Njëra është historia që lidhet me mua, me djalin 23 vjet që ka qenë naiv e ka menduar që po shkon në luftë, por ka ra në grackën e parë. Nuk është diçka e veçantë, por ajo që dua të veçoj është tregimi i nënës. Libri është një tregim që ka konotacione që shkojnë përtej Kosovës, e që ka të bëjë me gruan. Ajo se çfarë kanë bërë njerëzit prapa luftës, është ajo që duhet të veçohet më së shumti. Kjo është pjesa më e rëndësishme e librit. Në shoqërinë tonë dominon mashkullorja dhe harrohet vlera e nënave, motrave tona. Më frikëson dhe më gëzon thellësia që e gjej tek nëna ime, e që gjendet tek secila nënë në botë”, thotë Hoxha.
Krejt në fund, vetë autorja e librit “Dëshmia e një nëne”, Shpresa Raça Hoxha ka treguar se shtytjen për botimin e librit, ia kanë dhënë familjarët e miqtë, e për këtë ajo është tejet e gëzuar, pasi që tashmë ka një dokument që i tregon të rinjve për krimet serbe, mbi fakte reale/personale.
“Libri fillimisht ka ardhur si shtytje nga shoqëria e familja ime, që të ekzistojë si një dokument për të rinjtë se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ka qenë shumë e vështirë që t’i përsëris gjithë ato kujtime brenda meje, e që nuk kanë qenë hiç të mira. Pika më e rëndë, ka qenë kur kanë filluar bombardimet dhe kur nuk kemi ditë asgjë për djalin, deri në fund të muajit qershor. Na janë dhënë lajme të ndryshme se trupi i tij është djegur në një furrë, e kanë vra, e të tjera, dhe ajo periudhë ka qenë shumë e vështirë për mua. Me shkuarjen e djalit në UÇK, në cilësinë e mjekut, e morën paramilitarët civilë dhe e kishin burgosur si terrorist, dhe unë nuk e dija se kush ma rrëmbeu. Pastaj, ma morën edhe djalin tjetër, dhe të dy djemtë nuk i kisha më”, tregon ajo.
Sipas saj, më vonë duke lexuar shtypin, kuptoi se djalin e kishte në burgun e Mitrovicës, dhe pas një muaji e vizituan atje.
“Pasi erdhën forcat e KFOR-it në Kosovë, vendosa të shkoj në Beograd me autobus. Kishte shumë paramilitarë të dehur, por kisha ndjenjën se do të shkoja, edhe pse e dija se mund të më vrisnin. Më thanë që Iliri herë është, e herë nuk është aty. E pashë Ilirin më në fund dhe ai i përngjante një piruni në pamje, mirëpo u gëzova shumë që e pashë gjallë. Tmerri më i madh ishte kur u dogjën burgjet e Serbisë. Ka pasur edhe ngjarje të tjera kur shkoja në Serbi, mirëpo asnjëherë nuk shkoja vetëm. Në Kosovë ka pasur dhunime, vrasje, burgosje e shumë të tjera, por librin e kam shkruar për një qëllim, sepse të gjithë duhet ta dinë se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ne nuk jemi vrasës, nuk jemi dhunues. Lufta te ne ka qenë e imponuar”, përfundon ajo.
Ky takim letrar e shumë emocionues u përmbyll me një thënie nga politikanja, diplomatja dhe aktivistja amerikane, Ana Eleanor Roosevelt: Mos e mallko derën, por ndiz një qiri!
Kështu, libri “Dëshmia e një nëne”, u konsiderua një qiri i madh që ka ndezur shpresa, për të parë dritën përpara. / KultPlus.com