29 Janar, 2019 - 9:25 pm
Ismail dhe Helena Kadare përbëjnë çiftin më të njohur të letrave shqipe. KultPlus sonte ju sjell një pjesë nga libri i njohur i Kadaresë “Kukulla”, ku Ismail Kadare përshkruan në detaje takimin e parë të Helena Kadaresë me familjen e tij, që e nënkuptohet si një takim tejet i ftohtë, por që pas tij, kishin kuptuar se kjo drekë edhe në mënyrë të pavetëdijshëm i kishte shtyrë drejt një hapi tjetër në lidhjen e tyre.
—
Në kujtimet e saj, Helena ka përshkruar drekën e parë në shtëpinë tonë, që ishte njëherësh njohja e parë e saj me prindërit e mi.
Asnjëherë, madje ende sot, pas kaq vitesh nuk e kam pasur të qartë se ç’më shkrepi atë të diel që, pas qëndrimit gjithë paraditen në dhomës time, t’i thosha Helenes: a nuk rri për drekë?
Për drekë? Kishte thënë ajo e befasuar, pastaj kishte përsëritur dy-tri-herë: Po si? Po pse?
Kishte disa javë që takoheshim, por asnjëherë s’kishte rënë fjala për gjëra të tilla, njohje me prindërit etj. Helena njihte motrën time, nuk di në ç’rrethana, kurse me vëllain më të vogël ishte ndeshur një herë të shkallët.
Përse? Përserita pyetjen e saj. Desha t’i them ndonjë arsye, por ngaqë s’gjeta, përsërita…Ashtu kot…
Pa e bërë të gjatë isha ngritur dhe kisha dalë nga dhoma, për t’i thënë Kukullës se ajo shoqja ime do të rrinte për drekë…
Kush? Pyeti Kukulla. Ajo bjondia? Gjithmonë sipas stilit të saj, nuk përdori fjalën “leshverdhë”, siç thuhej në Gjirokastër, sidomos në shtëpitë e vjetra, ku leshverdhat çmoheshin veçanërisht, por një fjalë që sapo kishte hyrë në modë.
Një çast e mora këtë si shenjë që Kukulla ishte joshur më në fund prej vajzës, çka vërtetonte se kisha pasur të drejtë kur kisha menduar se, në rast nevoje për mirëkuptim midis Helenës dhe fisit tim kryeneç, shpresën kryesore e kisha vënë te flokët e saj.
Por këtë herë nuk ndodhi ashtu. Njëfarë ftohtësie në fytyrën e Kukullës, ishte, me sa dukej, shenja se ende ruante njëfarë pa kënaqësie që zgjedhja e saj paradokohshme nuk ishte marrë parasysh. Dhe, pa dyshim, i kishte shkuar mendja se Helena paskësh qenë shkaku.
Nuk foli asgjë, vetëm pyeti se a duhej t’i thoshte “atij”, domethënë tim eti.
Patjetër, i thashë. Do të hamë drekë të gjithë bashkë.
Ishte ende mesditë dhe gjer në dy, ora e zakonshme e drekës, kishte kohë të mjaftueshme për ndonjë përgatitje.
Helena nuk e fshihte se ishte pak e shqetësuar. Për t’i dhënë zemër i tregova ca kureshti të Kadarenjve, një pjesë e të cilave kishin lidhje me naivitetin e Kukullës. Ndër të tjera, i përmenda ngjarjen e “vajës” modele dhe, gjsmë më të qeshur, shtova se, meqenëse Kukulla paskësh qenë e djegur për fjalën “zonjë”, të përpiqej ta quante ashtu.
Pak përpara orës së drekës shkova për të parë gjendjen. Nga kostumi i babait dhe shprehja e fytyrës e kuptova që “e dinte”. Im vëlla më pëshpëriti: “Helena do të vijë?”. Ia bëra “po” me krye.
Në orën dy u nisëm të dy, unë i para, Helena pas, drejt drekës që Bardhyl B. Kishte gjasë ta quante si risinë më të madhe, jo vetëm në doket letraro-mondane shqiptare, por më tej, dicka që të kujtonte deklaratën e Jefferson-it ndoshta, apome Shturm un Drang-un gjerman që porsa e kishin bërë në letësi.
Im atë, në krye të tryezës, me gjithë pamjen e rëndë, ishte gjithmonë në “gjendje lufte”. Kukulla kishte pamjen e saj të zakonshme në kësi rastesh: një përzierje të nemitjes me shpërfilljen. Motra, nuk e kuptoja pse m’u duk se mbante një qëndim gjysmë fajtori. I vetmi që rrinte natyrshëm ishte vëllai.
Mirëdita, zonjë, tha Helena me një zë krejt të pasigurt.
Unë mezi e mbajta të qeshurën. Kukulla s’e dëgjoi ose bëri sikur. (Me vete mendova që ishte më mirë të mos e kisha dëgjuar, përndryshe në krahasim me zërin e tingëllueshëm e lozonjar të asaj tjetrës, ky i Helenës, kishte gjasë t’i dukej fare i zbehtë.)
Tek vendoste pjatat e fundit, në fytyrën e saj m’u duk se spikata dicka të njohur. Buzëhollë, gati sa s’thashë me zë. Gjyshja. Ndoshta vjehrra…
Në tryezë biseda mezi lidhje. Me përjashtim të disa frazave të rëndomta midis Helenës dhe tim vëllai, një bisedë koti midis studentësh për ca ndryshime rregulloresh në fakultet, pjesa tjetër i ngjante një teksti të ngjitur me zor.
Të thashë? I pëshpërita Helenës që e kisha përbri.
Ajo bëri “po” me krye dhe kjo më qetësoi gjithsesi.
Ishte moskuptimi i përhershëm i Kadaranjve, për të cilin i kisha folur. Por këtë herë ftohtësia përligjej. Në sytë e të gjithëve ishte pyetja: ç’ishte kjo vajzë, përse ndodhej këtu dhe c’kuptim kishte kjo drekë?
Herë pas here sytë më shkonin te Kukulla dhe pothuajse e merrja me mend se c’ndiente.
Të qan zemra për atë tjetrën, mendoja. E di. Një copë herë e vazhdova me vete dialogun e përfytyruar me Kukullën. Kjo këtu, Helena, gjithashtu është e bukur, apo jo? Për pamjen s’kishte ç’thoshe. Madje ia kalonte asaj tjetrës. Dhe ishte leshverdhë si ato të teatrit, që i pëlqenin asaj.
Kisha një pështjellim të lehtë në kokë. Ndieja dëshirën t’i thosha: S’kemi pse vështroni ashtu si të mpirë. Kjo drekë është thjesht një drekë. Ashtu sikurse kjo vajzë është para së gjithash një vajzë. E cila, veç kësaj, është e dashura ime. Por kjo është puna jonë, e në të dyve, që as ju dhe askujt tjetër s’i përket. E morët vesh tani?
Acarimi i beftë, ashtu si më erdhi, pa ndonjë shkak të dukshëm, ashtu edhe po më ikte.
Pështjellimi në kokën time vazhdonte, por ai ishte tani i ndryshëm. Kishte kaluar kaq kohë që nga drekat dhe darkat te shtëpia e madhe “atje”. Kukulla ishte tani në vendin e vjehrrës së saj, kurse Helena në vendin e Kukullës. Mua s’më mbetej veç të isha në rolin e tim eti, që duhej të vendoste drejtësinë, në rast lufte midis tyre. Aq më tepër që ai, pas dorëheqjes, e kishte humbur postin e Torquemandas së madh…Qerthulli rihte të mbyllej…
Sa më lodhi kjo drekë, i thash Helenës kur shkuam prapë në dhomë. Ndoshta bëra gabim që të çova. Jo, tha ajo, me të njëjtin zë të pasigurt që kishte shqiptar fjalët: si jeni zonë?…
Më pas, po të më thoshte dikush se ajo drekë, në dukje pa asnjë kuptim, ndrynte në vetvete një enigmë, do të qeshja me të madhe.
Ishin bërë vërtet pyetjet: ç’ishte kjo vajzë, pse ishte këtu dhe ç’kuptim kishte ky teatër, por në të vërtetë askush, e në radhë të parë ne të dy, Helena dhe unë, nuk fshihnim asgjë. Dhe kjo ishte krejt e vërteta, ngaqë në radhë të parë, në vetë nuk dinim asgjë. Kishim ardhur te kjo drekë pa asnjë prapamendim a plan maskues, e aq më tepër pa dredhi.
Ndërkohë, më pas, si duke luajtur si rrjedhojë leximesh të llojit psikanalist, madje na kishte shkuar se mos, pa e dit as vetë, ishim joshur ne vetë, duke joshur pas vetes dhe të tjerët, drejt idesë së mjegullt të një fejese.
Përherë e më tepër më dukej se një dasmë e ndrydhur, e ardhshme, si ato dhomat ende pa emër të shtëpisë së Gjirokastrës, një mbasedasmë, po të përdorej një fjalë sipas shembullit të mosdhomave të atjeshme, rrinte ndoshta e fshehur pas teatrit absurd të asaj dreke.
Urime të pathëna, që s’kishin të drejtë të shqiptoheshin, një rrëzëllimë karfice mbi flokët e Helenës, që herë merret shkëlqim e aty për aty shuhej, sipas lëvizjes së kokës së saj, shkurt një si shenjim a lajm fejese e porsalindur, rridhnin të shfaqeshin falturushëm./ KultPlus.com