15 Shtator, 2018 - 3:02 pm
Mësime sendesh
Enrike Badosa
Buka është e drejta e përditshme
e atij që punon dhe thotë të vërtetën.
Vera është detyra e njerëzve të kujdesshëm
që ditën vënë në jetë ëndrrat e natës.
Qielli është letra ku shkruajmë
me dorën tonë fjalën “liri”.
Deti është etja e freskët që na flladit
buzët e lodhura nga heshtja e gjatë.
Toka është rasti për të jetuar përballë
atyre që paqen nuk duan ta pranojnë.
Dhe dashuria është toka, buka dhe vera,
është qielli, deti dhe mirësia.
Përktheu Aurel Plasari