8 Dhjetor, 2020 - 1:30 pm
Tregim nga Hasan Dajaku
Erdhi pranvera. Qershitë kuqëluan. Naimi hipi në qershinë e madhe, zgjodhi kalaveshët më të mirë, i këputi ngadalë e me kujdes dhe i vari në dhomë.
– O qershiza, më falni që iu mbylla në dhomë,
por mos u brengosni fare se babai duhet të kthehet këto ditë. Më thoni, ju lutem, si të shkoni pa ju shijuar babai im i mirë? – foli Naimi i vogël.
Erdhi vera me xixëllonja, me kallinj të artë e dardha të ëmbla. Naimi hipi në dardhë, këputi kalaveshët më të mirë dhe i vari në dhomë.
– Dardha moj! Prita një pranverë, por babai nuk u kthye. Vera hyri e po kalon e babai nuk po duket asgjëkundi. Po si të shkoni pa iu shijuar babai im i mirë? – tha Naimi i përmalluar.
Ditët e bukura verore kaluan dhe në derë trokiti vjeshta. Ajo solli me vete erë, re dhe shira. Pyllin e ngjyrosi me brush të kuqërremtë, mollët i skuqi në kopsht. Naimi këputi një kalavesh mollë, e vari në dhomën e vet, siç i kishte varur më parë kalaveshët e qershive e të dardhave.
– O mollë, prita një pranverë e verë, por babai nuk u kthye. Po iu var këtu për babanë tim të mirë! – tha Naimi i mbushur shpresë.
Vjeshta kaloi dhe hyri dimri. Majat e bjeshkëve i veshi me të bardhë, pastaj bardhësinë e shtroi në kodra e lugina.
– A është e mundur të kalojë dimri e të mos kthehet babai? – mendoi Naimi.
Dita ishte e ftohtë, binte borë me fluska të mëdha. Naimi ishte duke rrëshqitur kur erdhi Blerta, motra e vogël dhe i foli gëzueshëm.
– Naim, erdhi babai!…
Naimi rendi. Babanë e gjeti në shtëpi, e përqafoi dhe iu ul në prehër. Ai i ndante dhuratat. Blertës i kishte sjellë qeska me bombone, triko të kaltër dhe një arith leshverdhë, kurse Naimit i kishte sjellë pallto ngjyrë trëndafili, këpucë dhe automatikun që bënte gërr – gërr.
– Nuk i dua, nuk i dua, – foli Naimi dhe buzëvarur hyri në dhomë.
– Ç’ke? – i foli babai me dhembshuri.
Pas pak Naimi shpërtheu. Zëri i tij ishte i mbushur me pritje.
– Këto qershiza, baba, i ruajta për ty, por ti nuk u ktheve. Ti nuk erdhe as në verë dhe kalaveshi i dardhave u vyshk. Ti nuk e pe as vjeshtën. Lëre, baba, lëre! Nuk i dua as pallton ngjyrë trëndafili, as këpucët, as automatikun që bën gërr – gërr! Të dua ty, baba!…
Kalaveshët e vyshkur qëndronin ende. Vetëm kalaveshi i mollës ruante freskinë. Babai e mori Naimin, e hodhi përpjetë disa herë, pastaj e puthi në ballë, ia gërrithi faqet me mjekrën e fortë dhe i foli butësisht: – Tash e tutje do të vij më shpesh, Naim.
Dhoma u mbush me tinguj të hareshëm. Në gurgullimën e zërit frynte një freski e këndshme. Ai foli për pranverën e kthimit. Kjo e gëzoi pa masë Naimin e vogël. U hodh përpjetë hareshëm. Mori automatikun dhe doli jashtë, gërr-gëmeet shpërndanin një lajm të gëzuar.
(Tregimi është botuar në revistën Rilindja, Prishtine, 1987.) / KultPlus.com