‘Diç’ si epilog

7 Janar, 2023 - 11:30 am

Autor: Enes Haliloviqi
Shqipëroi: Argëzon Sulejmani

DIÇ SI EPILOG
(përfliteni vdekjen time – shkurt*)

mendohem për faqen e fundit.

Herakliti u shqye nga kopeja e qenëve.

Dostojevski veç në disa minuta hemoragji,
a, kur e zhvarrosën Gogolin,
dërrasat e arkivolit ishin me gërvishma.

pesëmbëdhjetë vjet zgjati ikja e Holanit.
pesëmbëdhjetë vjet nuk dilte nga shtëpia.

Halina Poswiatowska vdiq pasi që kirurgu hallakati nëpër zemrën e saj.

Borislav Radoviqi. në rrugë. ngriti dorën të ndalonte taksinë.
diku larg e përcolli vdekja.
e njëjta vdekje që kishte mbërritur në stacionin hekurudhor të
Astopovoit.

po Nazim Hikmeti. i qe dukur sikur postieri i ra ziles.
hapeni, kishte thënë, të pranishmit i kishin kumtuar që askush s’ishte pas derës.
ai megjithatë ishte ngritur, kishte kapur levën e derës dhe kishte dalë në botën tjetër.

ju lus, kur ta merrni atë lajm – shkurt, pa zbukurime, përfliteni vdekjen time;
përfundojeni këtë poezi

Enes HALILOVIQI (1977), poet dhe prozator nga Pazari i Ri (Novi Pazar), i njohur veçanarisht për poezitë e tij që janë përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës./ KultPlus.com

Të ngjajshme