9 Shtator, 2021 - 5:01 pm
Nga Gabriel García Márquez
Imagjinoni një fshat shumë të vogël në të cilin jeton edhe një zonjë e moshuar me dy fëmijë: një djalë 17 vjeç dhe një vajzë 14 vjeçe. Nëna është duke u shtruar sillën bijve të vet, por në fytyrë ka njëfarë shqetësimi.
Fëmijët e pyetën se çfarë i kishte ndodhur dhe ajo u përgjigj: Nuk e di, por sot jam zgjuar me parandjenjën se diçka shumë e rëndë ka për të ndodhur në këtë fshat.
Ata qeshën me ato që tha nëna e tyre. Sipas tyre këto qenkëshin parandjenja pleqsh, gjëra që diheshin. Djali shkoi të luante bilardo dhe në çastin që do të godiste një gur, ishte një karambol fare i thjeshtë, lojtari tjetër i thotë: Unë vë bast një peso që ti nuk ke për ta goditur dot.
Të gjithë qeshën. Qeshi edhe i biri i gruas së moshuar. E goditi gurin dhe nuk e bëri dot karambolin. Ndërkohë që i jep peson kundërshtarit, të tjerët e pyesin se ç’paskësh ndodhur me të që nuk arriti ta bënte dot atë karambol aq të lehtë.
Dhe ai përgjigjet: Keni të drejtë, por më ka ngelur mendja te një gjë që më tha sot në mëngjes ime më: se diçka e rëndë do të ndodhë në fshat.
Të gjithë qeshën me të. Ai që fitoi peson u kthye në shtëpinë e tij ku gjeti të ëmën e vet me mbesën e saj ose me një të afërt tjetër dhe duke treguar peson i lumtur thotë: I fitova një peso Damasos, dhe ia fitova aq lehtë ngaqë është budalla.
E pse qenka budalla?
Hëm, dëgjo këtu, ai nuk mundi të bëjë dot një karambol fare të thjeshtë. Ishte i shqetësuar sepse e ëma na qenkësh ngritur sot me idenë se në fshatin tonë dashka të ndodhë diçka shumë e rëndë.
Atëherë e ëma i thotë këtij: Mos u tall me parandjenjat e pleqve sepse nganjëherë dalin të vërteta.
Mbesa e saj e dëgjoi dhe u ngrit e shkoi te kasapi për të blerë mish. Ajo i thotë kasapit: Më bëj një kile mish, – dhe, papritur, ndërsa ai priste mishin, shton: – E di ç’ke, më mirë bëj dy kile, sepse thonë, lart e poshtë, se paska për të ndodhur diçka shumë e rëndë në fshatin tonë, kështu që është më mirë të jemi të përgatitur.
Kasapi i jep mishin asaj dhe kur vjen një zonjë tjetër për të blerë një kile mish, i thotë: Më mirë merr dy kile se njerëzit më thonë që do të ndodhë diçka shumë e rëndë, prandaj po përgatiten duke blerë gjëra.
Atëherë plaka i thotë: Po është ashtu, më bëj katër kile, se unë kam shumë gojë për të ushqyer. Dhe merr katër kile. Për të mos e bërë tërkuzë tregimin, po ju them se kasapi për një gjysmë ore e mbaroi mishin dhe shkon e ther një lopë tjetër, e shet edhe atë të gjithën, ndërkohë që vazhdon ta përhapë lajmin.
Dhe vjen një moment, kur të gjithë njerëzit në fshat po prisnin të ndodhte me të vërtetë diçka. U paralizua gjithë veprimtaria e zakonshme dhe aty nga ora dy pasdite, si gjithmonë, shtrëngoi vapa.
Dikush tha: E vini re se ç’vapë po bën sot?
Po në këtë vend gjithnjë bën vapë!
(Aq vapë bënte në atë fshat sa muzikantët që i kishin instrumentet të arnuara me mballoma, gjithnjë u binin në hije, se, po të luanin në diell me to, do t’u binin copat sheshit.)
Por ora dy pasdite është koha kur vapa arrin kulmin.
E vërtetë është ajo që thua zotrote, por kurrë nuk ka bërë si sot.
Në këtë fshat të shkretë, mu në mes të sheshit të shkretë, ulet një zog dhe lëshon një zë.
Shikoni, është një zog mu në qendër të fshatit.
Dhe të gjithë, të habitur, shikojnë zogun.
Zotërinj, po ka bërë vaki shumë herë që ulen zogj në sheshin e fshatit.
Po, po, vërtet, por jo në këtë orë. Dhe, që thua ti, vjen një çast tensioni të tillë për banorët e fshatit, sa të gjithë i mbyt dëshpërimi dhe të gjithë duan të ikin, por nuk e marrin guximin ta bëjnë.
Unë do bëhem burrë! – bërtiti njëri.
– Unë po iki.
Merr gjërat e tij, fëmijët e tij, ato pak bagëti që kishte, i fut në një karrocë dhe përshkon rrugën qendrore ku është mbledhur i tërë fshati i mjerë e po e shikon.
Dhe në atë moment njerëzit thonë: I lumtë që mori guximin, o burra, hajde të ikim edhe ne. Dhe fshati u bë rrëmujë; të gjithë po përfilleshin për t’ia mbathur. Po merrnin gjërat, kafshët, gjithçka.
Dhe njëri nga ata të fundit që braktisën fshatin thotë: Nuk dua që fatkeqësia të futet shtëpinë time, – dhe i vë flakën shtëpisë së tij.
E të gjithë bënë si ai. U vunë flakën shtëpive të tyre. Dhe ia mbathën me një panik të tmerrshëm e të vërtetë, thua se ishte një ikje nga lufta.
Midis të ikurve ishte edhe zonja e moshuar që kishte dhënë lajmin ogurzi.
Atëherë ajo klithi e tha: Çudi, kur unë thashë se diçka shumë e rëndë ka për të ndodhur, të gjithë më thanë se qenkësha e çmendur.
Përktheu: Bajram Karabolli / KultPlus.com