10 Gusht, 2021 - 2:30 pm
Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe shtëpia botuese “Toena” kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për blerjen e të drejtës së autorit për 13 vepra të autorëve shqiptarë, që do të digjitalizohen në platformën “Digjitalizimi i veprave letrare” në kuadër të projektit “Diaspora për zhvillim”.
Veprat të cilat i shtohen fondit të Ueb-it “ADLD.AL” janë: Agim Vinca “Letër Zotit”, Dhimitër Shuteriqi “ Sytë e Simonidës”, Josif Papagjoni “Kur hëna digjej lart”, Majlinda Rama “Perandorët”, Namik Dokle “Vajzat e mjegullës”, Namik Dokle “Shën Maria e Beratit”, Niko Kacalidha “Eliksiri i gurit”, Odise Kote “Funerali i hijes”, Skënder Rusi “Digjen meteorë”, Skënder Rusi “Dhe prapë për ty më ndërrohet mendja”, Shefkije Islamaj “Mos më thuaj se më ke parë në ëndërr”, Viktor Canosinaj “Baronesha Shenteben”, Vojsava Nelo “Gruaja me të zeza”.
Platforma Digjitale e Veprave Shqiptare është krijuar me qëllimin madhor të gjallërimit e promovimit të kujtesës kolektive kulturore të komunitetit të Diasporës shqiptare përmes letërsisë.
Nisur nga mungesa e shumë veprave të letërsisë shqiptare në format digjital, Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës bën të mundur aksesimin e lirë, në çdo moment kohor dhe pavarësisht vendodhjes gjeografike, të disa prej veprave të autorëve më në zë të letërsisë shqiptare ndër vite.
Shtëpia Botuese Toena, e cila ushtron veprimtarinë e saj nga janari i vitit 1993, ka në katalogun e saj rreth 24 00 tituj nga studiuesit më në zë të institucioneve shkencore dhe universitare, libra informativë, botime nga historia dhe traditat kombëtare, metoda për mësimin e gjuhëve të huaja, fjalorë të shumëllojshëm, etj./KultPlus.com