20 Korrik, 2022 - 8:30 pm
Nga Jusuf Buxhovi
Nimon Pashës, i mbyllur në havlet, assesi t’i hiqeshin nga koka ato që ia kishte thënë në dhomën e kronikës, Mustafa Pasha, dymbëdhjetë vjet sadriazem nën dy sulltanë, rreth dijes së pushtetit dhe pushtetit të dijës. Kur ia kishte bërë me dije se nuk pranonte fronin perandorak, që po i ofrohej, ngaqë, si mendimtar dhe krijues, kishte vendosur të ndiqte pushtetin e dijës, gjyshi plak i kishte thënë:
“Qyprilinjtë e kanë fat dijen e pushtetit, pra të qenit në majën e fronit, nga çasti që kanë ikë nga kasabaja, ku si bashibozukë vrisnin për mos me u vra..”
Kur deshi t’i thoshte se çdo pushtet ishte vrarës, dhe se, pushteti i dijës e shpëtonte nga kjo, iu bë se gjyshi plak po i thoshte se gjithësesi do të përfundonte i vrarë, në mos nga perandoria që atyre ua kërkonte forcën dhe jo dijen, kjo do ta gjente nga zilija dhe smira e krijuesve vasalë dhe hyzmeçarëve të shumtë të pushtetit, të asaj turme të të padinjiteshmëve, që nuk durojnë madhështinë e krijijuesve dhe mendimtarëve të pavarur, jashtë çdo pushteti…
Nimon pasha, në atë gjendje gjithë dëshpërim oshëtiu:
“Më mirë i vrarë se vrasës… A nuk është ky fati i përhershëm i krijuesve?…”
(Shkëputje nga romani “Libri i të mallkuarve”, Rilindja, Prishtinë, 1986.)./KultPlus.com