29 Shtator, 2018 - 11:45 am
Ato janë dy poezi, por duket se ka njerëz që kanë gjetur ngjashmëri mes tyre
Poezia e njohur e Ismail Kadaresë, “Kristal”, e kthyer edhe në këngë, është një prej poezive më të përjetuara nga shkrimtari i cili më shumë shkëlqen në zhanrin e romanit.
Dikush e morri këtë poezi dhe e krahasoi atë me një poezi të dikujt tjetër.
Xhoi Jakaj, pedagoge në Universitetin e Tiranës, pretendon se nuk e ka lexuar asnjëherë këtë poezi të Kadaresë, por një poezi e saj përngjan shumë me atë të Kadaresë, shkruan KultPlus.
Kur më vonë dikush komentoi në rrjetin social Facebook, ajo tha se nuk e ka lexuar poezinë dhe se e ka shkruar në origjinal vetë poezinë e saj, pa u inspiruar diku.
E akuzuar për plagjiaturë në facebook, fillimisht nga nje mike e veta, e me pas edhe nga shkrimtarja dhe studiesja Ana Kove, personazhja interesante e këtij statusi insiston se poezia është e saj.
Ka pasur komente të ndryshme rreth këtij skandali, por ka pasur edhe njerëz të cilët kanë heshtur para këtij veprimi. Jakaj ose e ka fshirë deri tash postimin e poezisë, ose e ka bërë këtë gjë në mënyrën private, që poezinë ta lexojnë vetëm miqtë e saj virtualë. / KultPlus.com