20 Shkurt, 2020 - 11:29 pm
Nga Rosemarie Urquico
Dil me një vajzë që lexon, që i shpenzon paratë për libra në vend të rrobave; që ka pak hapësirë në dollap për shkak të numrit të librave. Dil me një vajzë që ka një listë me librat që dëshiron të lexojë, që është anëtarësuar në bibliotekë që kur ishte 12 vjeç.
Gjej një vajzë që lexon.
Do ta kuptosh që është e tillë sepse do të ketë gjithmonë një libër në çantë. Është ajo që shikon e mrekulluar raftet e një librarie; ajo që lëshon një klithmë gëzimi kur gjen librin që po kërkonte.
E sheh tek i merr erë çuditshëm faqeve të një libri të vjetër në një librari me libra të përdorur?
Kjo është një lexuese. Ajo nuk mund t’i rezistojë pa u marrë erë faqeve, në veçanti faqeve të atyre librave të vjetër e të zverdhur…
Ajo është vajza që lexon ndërkohë që pret në një kafene buzë rrugës. Po t’i hedhësh një sy filxhanit të saj, e kupton që ende nuk e ka prekur, pasi ka humbur në botën e autorit.
Ulu.
Mund të të shohë shtrembër, pasi pjesa më e madhe e vajzave që lexojnë nuk duan të ndërpriten gjatë kohës së leximit. Pyete nëse i pëlqen libri. Qerase me një kafe tjetër.
Tregoji se ç’mendon për Murakamin. Shiko nëse po lexon kapitullin e parë të “Besëlidhjes së unazës”. Kupto se nëse të thotë se e ka kuptuar “Uliksin” e Xhejms Xhojsit e thotë vetëm sepse do që të duket inteligjente. Pyete nëse e adhuron Lizën apo do të dëshironte të ishte vetë Liza.
Është e lehtë të dalësh me një vajzë të lexon. Dhuroji libra për ditëlindje, Krishtlindje dhe përvjetorë. Dhuroji libra të Nerudës, Pound, Sexton, Cummings. Tregoji se ti e kupton që fjalët janë dashuri. Ajo e kupton ndryshimin mes librave dhe realitetit e megjithatë herë pas herë do të përpiqet ta bëjë jetën paksa si libri i saj i preferuar.
Gënjeje! Nëse e kupton sintaksën, ajo do kuptojë se ke nevojë ta gënjesh. Përveç fjalëve ka edhe gjëra të tjera: arsye, vlera, dritëhije, dialogë… S’do jetë fundi i botës.
Zhgënjeje! Sepse një vajzë që lexon e di që dështimi të çon drejt kulmit. Sepse vajzat që lexojnë si ajo e dinë që çdo gjë është e destinuar të mbarojë, por që gjithsesi mund t’u shkruash vazhdimin; mund të fillosh gjithmonë nga e para për të qenë sërish heroi kryesor.
Pse të frikësohesh nga gjithçka që nuk je?
Vajzat që lexojnë e kuptojnë se njerëzit, sikurse karakteret, evoluojnë. Përveç personazheve të serisë “Twilight”.
Nëse gjen një vajzë që lexon mbaje fort. Kur ta gjesh në mes të natës tek shtrëngon në kraharor një libër dhe qan, përgatiti një çaj të ngrohtë dhe shtrëngoje në krahët e tu. Mund ta humbësh për disa çaste, por do të kthehet gjithmonë te ti. Ajo flet sikur personazhet e librit janë realë, sepse për pak çaste ata janë të tillë.
Kërkoja dorën gjatë një shëtitjeje me balonë. Ose në një koncert rroku. Ose shumë rastësisht, kur ajo të jetë sëmurë, nëpërmjet Skype.
Do të shkruani historinë e jetës tuaj; do të keni fëmijë me emra të çuditshëm dhe me shije akoma më të çuditshme. Ajo do t’u mësojë fëmijëve të duan Maçokun me çizme, Kapelabërësin dhe Hampi Dampin ndoshta në të njëjtën ditë.
Do të ecni së bashku edhe në dimrat e jetës tuaj dhe ajo do të recitojë nën zë, ndërsa ti shkund dëborën nga çizmet.
Dil me një vajzë që lexon sepse e meriton. Ti meriton një vajzë që mund të të japë jetën më shumëngjyrëshe që ekziston. Nëse mund t’i japësh vetëm monotoni, orë të gjata bajate dhe propozime gjysmake, atëherë më mirë rri vetëm.
Por nëse dëshiron botën dhe të tjerat përtej saj, dil me një vajzë që lexon.
Ose akoma më mirë, dil me një vajzë që shkruan. / KultPlus.com