6 Shkurt, 2020 - 7:55 pm
Xhemile Hysenaj
Sonte në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u promovua libri më i ri i autorit Ferdi Kamberi, ‘Dilemat e tranzicionit’.
‘Dilemat e tranzicionit’ është një trajtesë e komenteve sociologjike, që ndahet në gjithsej pesë kapituj, ku secili trajton probleme të ndryshme të njeriut modern në shoqërinë shqiptare, shkruan KultPlus.
Temat tjera që shtjellohen në këtë vepër kanë të bëjne me tjetërsimin e njeriut, rënien e solidaritetit shoqëror e atij tradicional, rritjen e abuzimeve të substancave psiko-aktive, kriza identitare, përplasja e religjionit me sekularizmin, pasojat e divorcit etj.
Nën moderimin e Arbër Selmanit, fjalën e morri autori i librit i cili u shpreh falënderues për prezencën e të pranishmëve, duke vazhduar më pas të shpaloste detaje rreth realizimit të librit të tij. Kamberi tregoi se përmbledhja e gjithsej 27 eseve që bëjnë pjesë në këtë libër, nuk ka qenë e lehtë.
‘Nuk ka qenë i lehtë realizimi i këtij libri pasi për një periudhë të gjatë këto tema vetëm i kam shqyrtuar, libri ka marë një kohë prej 4 vitesh për realizimin final të tij’, tregoi ai për të pranishmit.
Ky libër është një skanim sociologjik i gjendjes aktuale, që për shoqërinë tonë kosovare, konsiderohet të jetë një libër i tillë që ofron diagnoza dhe alternativa se si dhe kah duhet të orientohet shoqëria.
‘Ajo çka vlen të ceket për këtë libër është se këto ese apo analiza nuk i referohen vetëm një audience apo shoqërie të caktuar, mirëpo i referohen një opinioni të gjerë dhe unë si sociolog jam përpjekur ta godas secilën temë duke e obzervuar rrethin dhe shoqërinë tonë’, vazhdoi tutje autori i librit.
Të pranishëm në panel ishin edhe dy prej recenzentëve të librit, Avni Rudaku dhe Imran Rasimi, të cilët së bashku me dy recenzentët tjerë, Ilire Zajmin dhe Ermir Hoxhën, kishin dhënë kontributin e tyre në realizimin e këtij libri.
‘Përpjekja e Ferdi Kamberit për të interpretuar transformimet e shumta sociale, kulturore, ekonomike dhe politike që kanë ndodhur në dy dekadat e fundit, bashkë me thirrjen në ndihmë të disa teorive sociologjike dhe citimeve, e bëjnë librin të jetë publicistikë e dinamikës sociale, përkatësisht e ndryshimeve të mëdha shoqërore që ka përjetuar shoqëria kosovare në njëzet vjetët e fundit’, u shpreh Rudaku, sipas të cilit libri do ta marrë jehonën e duhur dhe mbi të do të reflektohet denjësisht vetëm pas dy dekadave, kur një përmbledhje e tillë do të shihet me një sy tjetër.
‘Libri i Kamberit sjell një freski tek lexuesi shqiptar duke shqyrtuar probleme dhe çështje bashkëkohore të cilat kanë bërë konfuz opinionin publik nga trajtimi jo-adekuat. Diskutimet mbi religjionin, sekularizmin, fundamentalizmin, ekstremizmin e të ngjashme, në Kosovë jo rrallë janë shtjelluar në mënyrë të ngushtë dhe joakademike. Si studiues i religjioneve më duhet të them që libri në fjalë do të jetë një adresë e qëlluar për studiuesit e rinj’, deklaroi në anën tjetër Rasimi.
Libri përmban 5 kapituj dhe është libri i dytë i Kamberit, pas librit ‘Fundamentalizmi i Religjioneve të mëdha monoteiste dhe globalizmi’. Edhe kjo ngjarje ndodhi në KultPlus Caffe Gallery, hapësirë e re në kryeqytet dhe një qendër kulturore ku çdo javë ka ngjarje dhe debate kulturore. / KultPlus.com