13 Tetor, 2018 - 9:20 pm
E shtuna në Frankfurt u shënua si ditë promovimesh të autorëve: Çun Lajçi, Adem Gashi, Valentinë Saraçini, Haxhi Kraki, Ismail Syla, Marigonë Kelmendi, Ismail Syla, Sadik Krasniqi, Seveme Fetiqi, e autorë të tjerë.
Duke qenë se e shtuna dhe e diela janë ditë të hapura për publikun e gjerë në panair, me prezencën e tyre na nderuan qindra bashkatdhetarë gjatë gjithë ditës. E veçantë ishte vizita e Ministrit të Kulturës së Republikës së Maqedonisë, z. Asaf Ademi.
Panairi i librit i Frankfurtit (i 70-ti me radhë) është panairi më i rëndësishëm i librit në botë, dhe një nga ngjarjet kryesore kulturore e sociale mbarëbotërore. Këtë vit i ftuar nderi i panairit është shteti i Gjeorgjisë. Marrin pjesë më shumë se 7,300 ekspozues prej më shumë se 100 shteteve.
Për pesë ditë me radhë ekspertët e botimit, shkrimtarët dhe entuziastët e kulturës nga e gjithë bota mblidhen në Frankfurt për të shënuar këtë ngjarje. Shoqata e Botuesve të Kosovës e ndihmuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për të 15-tin vit me radhë, është pjesë e panairit të librit në Frankfurt. Në kuadër të stendës kolektive të Kosovës prezentohen 30 shtëpi botuese: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik e i Historisë, Buzuku, Pema, Faik Konica, Koha, Artini, Dija, Dukagjini, Albas, Titanik etj./KultPlus.com