16 Mars, 2019 - 4:40 pm
I diplomuar dhe i doktoruar në filozofi, kandidat për çmimin Nobel për Letërsi, poeti i Sarajevës, Izet Sarajliq, sot e ka ditëlindjen. Qysh para 40 vjetësh poezitë e tij në shqip i kanë përkthyer Azem Shkreli, Ali Podrimja, Enver Gjergjeku e Qerim Ujkani. Përgjatë rrethimit mizor gati katërvjeçar në të ’90-tat, Izet Sarajliq qëndroi në kryeqytetin e Bosnje dhe Hercegovinës, me ç’rast u plagos, kurse dy motrat ia vranë forcat serbe. Ditari i tij i asaj kohe është libri poetik me titull “Përmbledhja sarajevase e luftës”. Në vijim janë disa vargje poezish të ndryshme prej këtij libri, përkthyer nga Salajdin Salihu:
Në njëqindvjetorin e Josip Brozit
Në këtë shtet
edhe Voisllav Shesheli doktoroi.
* * *
Pas plagosjes
(Miki Masliqit)
Mbrëmë në ëndërr mu shfaq
Sllobodan Markoviçi
dhe kërkoi ndjesë për plagët e mia.
E vetmja ndjesë serbe
gjatë gjithë kësaj kohe,
dhe vetëm në ëndërr
e nga një poet i vdekur.
* * *
I lumturi i pafat
(Lubisha Maksimoviqit)
Ecën njeriu rrugës
dhe këndon.
Përse mos ia thotë këngës
kur ndër sqetulla mban dru koftori.
I lumturi i pafat!
Së paku do të ngrohet
para se ta gjejë
granata e tij.
* * *
Motrat
Esenini i kishte
Shurën dhe Kaçën.
Majakovski i kishte
Ludmillën dhe Olën.
Unë i kisha
Ninën e Razën.
Dhe – të gjitha vdiqën.
Raza e Nina
në distancë prej pesëdhjetë ditësh.
Vdiqën
ose i vranë pa plumba?
Tani patjetër
të kërkoj diku një motër të re.
Nuk mundem assesi
mos me qenë vëlla.
* * *
Që ta mbijetoj gjithë këtë
(Zija Kafexhiçit)
Shteti gjithashtu tregoi njëfarë kujdesi
për fatkeqësinë time,
kurdo që trokisja në dyert e tij,
ai mungonte
ishte ose në Gjenevë
ose në Nju Jork.
* * *
Falënderim për Pen-Qendrën sllovene dhe kryetarin e saj Boris A. Novak
Ah, i dashuri Boris,
sikur të dije sa bukur
digjeshin në koftorin tim
bankënotat 20 markëshe që m’i dërgoje nëpërmjet
Rupelit.
Burimi: Nga llogaria e Albin Kurtit në Facebook./ KultPlus.com