22 Prill, 2019 - 11:14 pm
Në Fakultetin Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, të martën (23 prill 2019), në ora 14:30, mbahet takim letrar me shkrimtarin e njohur shqiptar Primo Shllaku.
Poeti, dramaturgu, prozatori dhe përkthyesi Primo Shllaku, do të flasë për poezinë, për letërsinë dhe për gjendjen aktuale kulturore, shkruan KultPlus. Prezantimin do ta bëjë shkrimtar Ag Apolloni.
Primo Shllaku (1947) është shkrimtar i shquar bashkëkohor, i lindur në Shkodër. Pasi ka mbaruar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Eqrem Çabej e propozoi për të dhënë mësim në Universitetin e Tiranës, por emërimi i tij u anulua. Shkrimet e tij kanë filluar të botohen vetëm pas rënies së regjimit komunist. Primo Shllaku është autor i librave “Lule nate”, “Hana e njelmët e ditës”, “Edhe fjalët shkojnë në ferr”, “Muzikantët”, “Aktorë pa kujtesë” etj./ KultPlus.com