Dita e Librit të Ndaluar “Librat digjen, (por) idetë jo”

19 Shtator, 2018 - 3:00 pm

Kryeqyteti i Kosovës, për herë të parë do t’i bashkohet nismës “Java e Librit të Ndaluar” e cila në fund të muajit shtator shënohet në shumë qytete të shteteve perëndimore.

Organizata ETEA, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do ta organizojë “Ditën e Librit të Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, si përgjigje ndaj censurës, me theks të veçantë te censurimi i librave.

“Java e Librit të Ndaluar” si ngjarje ndërkombëtare e cila synon ngritjen e vetëdijes mbi lirinë e të shprehurit dhe përkujtim për librat e ndaluar dhe artistët dhe intelektualët e dënuar sidomos gjatë kohës së diktaturave totalitare, mbahet për herë të parë në Kosovë, si ngjarje një ditore e cila organizohet nga “ETEA” në kuadër të “Prishtina Lexon”. Si ngjarje, e cila është inicuar nga Asociacioni i bibliotekave amerikane, “Java e Librit të Ndaluar” promovon mendimin jokonformist, sfidues dhe kritik.

Edhe kjo ngjarje sot shkon në linjën e idealeve të promovuara përmes ngjarjes si festim dhe përkujtim ndërkombëtar i rëndësisë së lirisë të të shprehurit dhe rëndësisë fundamentale që mendimet dhe publikimet t’i nënshtrohen vlerësimit publik dhe të mos mbeten të cenzuaruara. Në Prishtinë, aktivitete dedikuar kësaj ngjarjeje do të realizohen nga Organizata “ETEA” gjatë gjithë ditës së 24 shtatorit 2018. Duke filluar nga ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, do të shfaqet për publikun një performancë artistike me karakter satirik, kjo e fundit e përgatitur nga skenaristi Florent Kurtalani dhe regjisori Kushtrim Mehmeti.

Në ambientet e sheshit do të ketë edhe aktivitete tjera të cilat vënë theksin te rikujtimi i shkrimtarëve, gazetarëve dhe intelektualeve të tjerë shqiptarë që në kohëra të ndryshme u persekutuan dhe cenzuruan nga pushteti dhe grupacione sociale që i shkojnë për shtati njerëzve të politikës dhe pushtetit.

Më tej, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, në ora 15:00, të interesuarit do të kenë mundësine t’i bashkohen diskutimit të hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi, autor i librit “Këmbët e gjarprit”, libër ky ndaj të cilit, në vitin 2014, u organizuan aksione përmes së cilave u dogjën publikisht kopjet e tij në Skënderaj e Ferizaj. Ky diskutim do të moderohet nga Liridona Sijarina.

“Dita e Librit të Ndaluar” përmbyllet në mbrëmje, në ambientet e “Parkut të Qytetit” me shfaqjen e filmit “Fahrenheit 451” nga ora 19:00, aktivitet ky që do të realizohet në bashkëpunim me “Film n’Park”. Filmi është i bazuar në romanin po me këtë emër, autor i të cilit është shkrimtari Ray Bradbury. Romani “Fahrenheit 451” paraqet një shoqëri të ardhshme ku librat janë te jashtëligjshme ndërsa “zjarrfikësit” kanë për detyrë të djegin çdo libër që gjendet në qytet. “Librat digjen, (por) idetë jo” është tema për këtë vit, ndërsa “Dita e Librit të Ndaluar” në Kosovë synon të shndërrohet në ngjarje tradicionale përmes së cilës do të trajtohen tema të shumta që në një apo tjetër mënyrë atakojnë censurën ndaj mendimit të lirë dhe mentalitetin konzervator apo dogmatik.

AGJENDA
12:00 – 12:30 Performancë artistike nga skenaristi Florent Kurtalani dhe regjisori Kushtrim Mehmeti / @ Sheshi “Zahir Pajaziti”
12:00 – 13:00 Libri yt i ndaluar & Rikujtim i shkrimtareve të persekutuar dhe cenzuruar / @ Sheshi “Zahir Pajaziti”
15:00 – 16:00 Diskutim i hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi mbi temën “Librat digjen, (por) idetë jo” me moderim nga Liridona Sijarina / @ Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës
19:00 – 21:00 Shfaqja e filmit “Fahrenheit 451” në bashkëpunim me “Film n’park” / @ Parku i Qytetit të Prishtinës
Linku i eventit në rrjete sociale: https://www.facebook.com/events/1783430308392591/

Të ngjajshme