Dita e zezë fatlume

27 Gusht, 2020 - 9:56 pm

Tregim nga Ibrahim Berisha

Në mëngjes, më 22 qershor 1992, i acaruar, pa zhurmë, më mirë thënë, gati fshehurazi, dola nga banesa. Mbërrita gjysmë ore përpara kohës që më ishte caktuar të paraqitem në stacionin nr. 2 të milicisë në Prishtinë. Milici në hyrje më tregoi se duhej të ngjithesha në katin e dytë. Në korridorin ku prisja, dëgjoja cicërimën e zogjve që vinte nga tre plepat që i rrinin dritares përballë.

Në orën tetë, hyra në dhomën me mure ngjyrë të kaltër, pasi më thirri një milic me pamje dëshpëruese. Ai që më priti aty, përbuzës sa nuk përshkruhet, foli: Ti e di vetë kush je? Por, ti dhe ne e dimë se ekzistojnë kundërevolucionarët, andaj shkurt dhe shpejt, na i shpjego planet e tyre?

Më mbeti pështyma në fyt. Unë nuk di asgjë, thashë pasi mora veten.

Më preku me gisht në ballë milici i shëndoshë. Afër tij rrinte tjetri fytyrëngrysur.

Ose fol, ose më nuk do të dëgjosh cicërimën e zogjve, vazhdoi ai duke mbyllur dritaren,

U përpiqa të fshehja frikën dhe kur po e merrja veten, madje disi më përshkoi qetësia, derisa ai fytyrëngrysuri mu afrua dhe më vuri letrën përpara.

Nëse nuk di të flasësh, di të shkruash, më tha.

Profesor, ti shkruan bukur, foli tjetri me ironi. Mos vraj mendjen për bukurshkrim.

Letra ishte plotësisht e bardhë dhe ajo duhej të mbushej me gjëra që ata do t’i kënaqte. Hyra në një errësirë të thellë, pra doja të dilja sa më parë.

Unë nuk di asgjë, thashë më në fund.

Ti je një qelb, një mut, një pleh, më fyu, më i shëndoshi. Ai nuk kishte kravatë, sikur dy të tjerët.

Pas pak nuk do ta njohësh fytyrën tënde në pasqyrë, ndërhyri fytyrngrysuri. Ti je

politikan, përpara se të vije këtu, është dashur të vishje rroba të tjera, vazhdoi.

Po djersitja dhe nuk gjeja në vete aspak guxim e trimëri. Shpresa e pakmëparshme u tret, kur më ranë në kurriz me nja dy shqelma.

Luajmë futboll, tha me zë të ulët ai që më mori nga korridori. Na e humbe ditën kot?

Ia sheh kokën, me gjithë këto flokë, i mungon vetëm vega për ta ngjitur në tavan.

Po e lëmë të lirë, por më parë?!

Po, tha fytyrngrysuri, por ne po shkojmë.

Pas gjysmë ore, mund të kenë qenë aq, sa nuk hyri në atë dhomë askush, erdhën ata të tre njëri pas tjetrit.

Ne shpresonim se ky njeri është shumë i ndershëm dhe jashtëzakonisht i kuptueshëm. Kush mund ta mendonte kaq misterioz dhe të ndërlikuar, tha i shëndoshi.

Hehehe, qeshën dy të tjerët.

Eja këtu burazer, përpara tavolinës dhe përgjunju!

Të tre, më tërhoqen ngadalë për kravate dhe këmishe. Kokën ma mbështeten për dysheme, duart në qafë dhe më shndërruan në një përgjunjur të pafuqishëm. Do të ndodhë tani, mendova. I ndiqja shtrembër me shikim kur hipën mbi tavolinë. I ranë fuqishëm me këmbë sipërfaqes me letra sipri. Pastaj, dhoma u shurdhërua nga zhurma, ndërsa mua më mbuluan djersë të ftohta.

Këndonin dhe luanin me ritmin e valles rrethore.

Ndërsa vallëzonin dhe nisën të shpërthkojnë pantollonat.

Nxehtësia e shurrës rridhte rrëke nëpër kokën time. Këndonin, kërcënin dhe pëshurrnin, duke më bërë të përgjunjur dhe të poshtëruar, me fytyrë të përvajshme, me gjymtyrë të këputura dhe me trup të dërrmuar. Lagështira e vërdhemë, djegëse, më mbushi kokën dhe fytyrën peshë rrënuese.

Pasi mbaruan, po si fëmijët lazdranë, zbritën një nga një nga tavolina dhe dy nga ata më morën përkrahë. Nuk mund t’i hapja sytë për të pare se cilët ishin përkrahë meje, por zëri nënçmues, më tha: Nxirre faculetën, fshiju dhe rregullohu. Nëse nuk ke

faculetë, mund ta bësh me kravatë.

Fshiva me shuplakë lagështirën që më kishte mbetur si copa xhami në fytyrë.

Kur nuk e prisja fare, ai që më mori në mëngjes nga korridori, prej nga dëgjohej ende cicërima e ëmbël e zogjve, tha: Jeni i lirë, profesor. Mund të shkoni. Ik, më tha, je i lirë. Na falë për shqëtësimin.

Unë s‘do t’u falë kurrë, thashë me vete.

Nga sot, do të jesh një hero. Ti ende nuk e di sa do të vlejë për të ardhmen tënde kjo shurrë që tashmë është tharë në kokën tënde. Ecë, shko, më tha i shëndoshi.

….

Në orën tre, 12 shkurt 2019, kur presidenti në ceremoni rasti, përcjellur nga mediet, po i jipte Medalen e Artë për Merita për Popull, profesor Topojanit, ai nuk ndalej së shprishuri dëshpëruar flokët e tij tashmë të thinjura.

Ah, ves i moçëm. E keni vërejtur, i prekë shpesh, u arsyetua ai pas ceremonisë ndërsa me të dy duartë sërish rrëmonte flokët e shprishura.

Ps. Përgjasimi nuk është i rastësishëm. / KultPlus.com

Të ngjajshme