23 Prill, 2025 - 10:01 am
Në pallatin e xhamtë të OKB-së, dita e sotme i kushtohet gjuhës angleze.
Dita e Gjuhës Angleze në Kombet e Bashkuara festohet çdo 23 prill, datë që tradicionalisht kujtohet si ditëlindja dhe data e vdekjes së Uilliam Shekspirit. Përveçse ishte dramaturgu më i famshëm në gjuhën angleze, Shekspiri pati një ndikim të rëndësishëm në anglishten moderne.
Krijimtaria e Shekspirit me gjuhën nënkuptonte se ai kontribuoi me qindra fjalë dhe fraza të reja: gossip (thashetheme), fashionable (i modës) dhe lonely (i vetmuar) u përdorën për herë të parë nga Shekspiri. Ai shpiku gjithashtu fraza si “break the ice” (të thyesh akullin), “faint-hearted” (zemërdobët) dhe “love is blind” (dashuria është e verbër).
Anglishtja është një nga gjuhët e komunikimit ndërkombëtar. Njerëzit nga vende dhe kultura të ndryshme janë gjithnjë e më shumë në gjendje të komunikojnë me njëri-tjetrin në anglisht, edhe nëse kjo nuk është gjuha e tyre e parë. Kjo e bën atë një mjet thelbësor për bashkëpunimin dhe diplomacinë globale.
Në Kombet e Bashkuara, anglishtja është një nga dy gjuhët zyrtare të punës, së bashku me frëngjishten./atsh/ KultPlus.com