Ditari i autorit Pierre Drieu La Rochelle para se të vetëvritej

24 Qershor, 2022 - 8:00 pm

Ditari i një njeriu delikat u botua nëpër revista më 1944, një vit para se autori, Pierre Drieu La Rochelle (1893-1945) të vetëvritej.

1934

Çdo mëngjes, kur zgjohem, skërmitem, bindem se është dita e fundit e punës. Ia përsëris vetes: «Nuk është e mundur, nuk jam unë ai që punon, që shkon në zyrën e tij, sado e bukur që është». Se zyra ime është e bukur.

Përsosja e turpit të Xhenit do të duhej të më bënte ta përjetësoja formën njerëzore, pra ta bëj një trup tjetër të lindë nga trupi i saj. Nuk kam frikë fare ta plaçkit trupin e saj duke e lënë shtatzënë; e kam një ndjesi tepër të gjallë të kotësisë së çdo gjëje dhe nuk më shpëtojnë lëshimet e para të paperceptueshme të mishit të saj. Kurrë s’e kam ëndërruar ta fitoj një ditë mbi vdekjen e një dite apo të një dite mbi vdekjen e një viti.

Nëse zhytem në vetmi, në shkëputjen nga gjërat dhe nga qeniet, e nëse jo në ekstazën mistike, të paktën në kundrimin intelektual, a nuk ndodh kjo ngase e gjithë kjo është një pretekst për ta shmangur jetën dhe për t’iu vardisur vdekjes?

Punëdhënësi im merret me art. Siç shkruante dje një lajkatar: «çdo muaj i ngre një monument artit modern dhe konceptimit modern të artit antik». Mbase revista jonë është revista më e mirë e artit që botohet në botë (thashë «jonë»! Më shpëtoi dhe kjo flet shumë). Amerikanë, anglezë, gjermanë e adhurojnë dhe imitojnë. Në ata fashikuj ka njëfarë shkence djallëzore të tipografisë dhe fotografisë. Pushtetit antik të magjisë së karaktereve të shtypit i shtohet, në mënyrë të posaçme, pushteti burgosës i imazheve. Është sikur, përpara një rezultati të tillë, njerëzve të mos u mbetej tjetër pos të shikonin, kundronin dhe reshtnin së jetuari. Short i tmerrshëm, që i paralizon forcat e dashurisë. Mes një tempulli meksikan dhe një hajmalie greke, një pikturë e Pikasos merr një pamje përjetësie përnjëmend shkurajuese. Kush e bën gjithë këtë? Ai apo unë? Ndiej tmerr nga krejt kjo, megjithatë nëse ndodh gjithë kjo, ndodh falë meje. Pa mua, ai s’do t’ia dilte kurrë. Por me artin e tij të nuhatjes dhe shfrytëzimit, do ta gjente një zanatli tjetër. Puna është se s’ka shumë si unë në treg. Punëdhënësi im dëshiron të fitojë. Po pse nuk shet këpucë në vend se të një reviste arti? Nga dobësie i ka hyrë artit, se ndihej më pak i fortë se ata që do t’i kishte takuar duke tregtuar me këpucë? Apo e ka nga një lakmi e veçantë? Goxha i dyshimtë. I pëlqen të trajtohet si artist përveç se si milioner. Gjithçka i shkon për shtati art. I ve të gjitha artet në të njëjtin rrafsh dhe në të gjitha periudhat. Primitivë e dekadentë, për të është e njëjta gjë. Për mua jo. Lindja dhe vdekja e një arti janë për mua lindja dhe vdekja e një populli. Për të, popuj ka gjithmonë; i mjafton të kalojë nga njëri te tjetri për ta gëzuar përherë të njëjtën ethe njerëzore.

Frika të kem një fëmijë është kudo dhe askund. Një mijë pretekste, por asnjëri valid. Vepron vetëm frika në vete: frika e të jetuarit, frika e manifestimit, lëvizjes, frika e të qenit. Por jo, është tashmë reshtja e të qenit, nevoja e pashuar për të shkuar përtej të qenit.  

Gjatë gjithë jetës kam qenë i obsesionuar nga tema e ishujve. Kur jam në ndonjë ishull, më duket se jam në vendin tim ideal: në tokë dhe larg tokës, në njerëzoren dhe larg njerëzores.

Marrë nga: Pierre Drieu La Rochelle, “Diario di un delicato”, SE, 1998/Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme