10 Dhjetor, 2018 - 12:00 pm
Bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Fan Nolit, publicist i shquar, veprimtar aktiv i “Vatrës”, kryeredaktor i gazetës “Dielli”, i diplomuar për gazetari (1926), patriot i flaktë, antifashist e demokrat, analist në shtypin qendror amerikan, një nga autorët e librit “Përpjekja shqiptare në botën e vjetër e të re përgatitës dhe botues i veprës së Faik Konicës” Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” dhe “Albumi II” të Nolit, i pari biograf i tij. La me dorëshkrim disa vepra si “Historiku i historisë shqiptare të Masaccusetsit”, “Historia e Shqipërisë” dhe Dritaret (1936-1959) etj…
Në vitin 1993 kur shkova në SHBA për herë të parë pata rastin të njihesha me gruan e tij, zonjën Sarah Panariti, profesoreshë e Harvardit, e cila më dha informacione me shumë vlerë për jetën dhe trashëgiminë e tij shkencore –artistike, shkruan në “Dita” Nasho Jorgaqi. Gjithashtu falë fisnikërisë së saj më dhuroi atë pjesë të ditarit shumë vjeçar të Qerimit që shkruante për F. Nolin, që po i jepen për herë të parë lexuesit tonë. Janë mendime, mbresa dhe konstatime të Qerimit gjatë 33 viteve që hedhin dritë mbi jetën e Nolit nga pozita dashamirëse dhe realiteti, pa kursyer herë-herë dhe kritika.
Nga biografia që ai ka shkruar: “Noli: Princi i pakurorëzuar i Rilindjes Shqiptare” po botojmë kapitullin “Noli, njeriu dhe karakteri i tij”
Qerim Panariti
NGA “DRITARET” (1936- 1959)
1936
21 janar — Pata një bisedë me F. Nolin. Ai është njeri interesant, i kulturuar dhe i mirinformuar, por rrëshqitës dhe inatçi.
20 prill – F, Noli refuzon të marrë pjesë në një banket për nder të tij, të cilin e sponsorizova unë. Arsyeja? Ska. Mendoj se është një sjellje fëminore.
17 maj – Shqiptaret bëjnë mbledhje vjetore në Shën Gjergj. Çfarë mbledhje? Një shtëpi vërtet e çmendur. F. Noli është fajtor për gjithçka. S’mund ta marrë dot me mend se ç’qëndron pas veprimeve të tij.
1937
22 qershor — Mora pjesë në koncertin e diplomimin në Konservatorin e Nju-Englandit ku F. N. iu dha diploma për kompozim. Hëngrëm drekën bashkë dhe biseduam gjithçka nën rrezet e Diellit për katër orë rresht.
30 qershor — I shkreti F. Noli. është ngatërruar keq me një artikull të botuar të hënën e kaluar në gazetën “Post” ku cilësohet si antimuhamedan.
3 shtator — Hëngra drekë me F. Nolin, Ai është një bashkëbisedues i këndshëm , dallohet për sensin e humorit dhe intelektin.
8 shtator — Isha në një koncert të WPA në Biblioteklën Publike të Bostonit, ku u ekzekutua një kompozim i Nolit, i titulluar “Lumi i Babilonisë. Noli ishte aty.
1938
21 qershor – Sot F. Noli mori titullin baçelor nga Konservatori i Nju Englandit.
19 korrik – Fan Noli është deri diku i pakënaqur, lidhur me një artikull timin për të ku unë e akuzoj për mosçuarjen deri në fund të Reformës Agrare propozuar prej tij.
1942
24 maj – Hëngra darkë me F. Nolin. E pagoi ai. Biseduam gjatë për Frontin e Bashkuar shqiptar. Ai ka një mendim të keq për Konicën, Çekrezin dhe Zogun. Por ai mendon se Fronti duhet të plotësohet. U bë një mbledhje e “Albanien Relief Fund”, por nuk erdhën shumë. Në mbrëmje une deklarova: “Jam përgjegjës për Frontin shqiptar”
30 maj – Në mbrëmje takova F. Nolin dhe biseduam për “Frontin e Bashkuar shqiptar”. Sikurse dhe unë, ai mendon se duhet të përpiqemi shumë për t’u organizuar. Ai mund të ketë ndonjë interes personal, kryesisht për të nxjerrë ca para nga Zogu.
13 qershor – F. Noli po bëhet shumë aktiv në Frontin e Bashkuar. Ai do të shkojë në Nju-Jork dhe Filadelfia. Sulmet e tij kundër Çekrezit janë shumë dërrmuese.
21 qershor – F. Noli shprehu qëndrimin e tij në favor të Frontit të Bashkuar me Zogun në krye dhe një qeveri mbretërore në mërgim. Ai është i nderuar, i qetë dhe në dukje fitimtar. Ai ishte kryetari i mbledhjes dhe kjo qe një nga mbledhjet më të mira shqiptare, në të cilën kam marrë pjesë ndonjëherë.
11 korrik – F. Noli më çoi fjalë të marr pjesë nesër mbasdite në një mbledhje midis “Vatrës” dhe grupit të Çekrezit për të themeluar Frontin e Bashkuar.
1943
23 shkurt – Fola në telefon me F. Nolin. Mund të filloj të shkruaj së shpejti te “Dielli”. Nëse jo, do të shkoj të punoj diku gjetkë.
5 mars – F. Noli praktikisht drejton “Diellin”. Po e godet Çekrezin.
16 mars – U pashë më Nolin dhe e falënderova për deklaratat e bëra në Nju-Jork para dy javësh lidhur me Frontin e Bashkuar.
26 maj – F. Noli mori një letër nga Zogu ku i kërkonte të shkonte në Uashington si përfaqësues i tij. Është e kotë të them se ai do të pranojë.
27 maj – Mora një letër nga Kosta Isak, me sugjerimin e Çekrezit për të arritur një marrëveshje me “Vatrën”, lidhur me Frontin e Bashkuar. Çekrezi ofron kushte për pranimin e Zogut si udhëheqës. Do t’i shkruaj Çekrezit nesër.
8 korrik – F. Noli është regjistruar në Universitetin e Bostonit për një punim pasuniversitar (Graduate) për Doktor në filozofi. (Ph. D.). Në moshën e tij ai akoma shkon në shkollë.
16 gusht – Sot F. Noli erdhi në zyrën e “Vatrës”. Ai ka marrë një letër nga OWI për të dhënë lajme për shqiptarët në Shqipëri në gjuhën shqipe.
11 shtator – Noli u nis për në Nju-Jork për të folur nesër në radio.
1944
30 shtator – F. Noli u kthye mbrëmë. Ai ishte në Nju-Jork, i thirrur nga zyra e I e Luftës për t’u folur shqiptarëve që të mbështesin ushtritë aleate. Ai ka pasues të shumtë që e ndjekin në Shqipëri dhe e shohin si udhëheqësin e tyre.
31 tetor – F. Noli është duke punuar për organizimin nga të gjitha kishat që të dërgojnë telegrame forcave aleate për njohjen e qeverisë shqiptare të Beratit.
16 nëntor – F. Noli erdhi pas pak t’i hedhë një sy materialeve që solla nga Uashingtoni. Është material i mirë po të na kish arritur në kohë.
1945
21 maj – Sot F. Noli mori doktoratën.
27 korrik – Fare rastësisht mbasdite takova F. Nolin. Bëmë një shëtitje të gjatë. Është shumë i pakënaqur nga punët e kishës. Shqiptarët janë fëmijë të rritur. Ai kërkon të dalë në pension, të heqë dorë plotësisht nga kisha.
30 korrik – F. Noli ka shqetësime të ndryshme nga njerëzit e kishës. Është e vështirë të kesh të bësh me njerëz injorantë, sepse ata nuk i binden rregullave. Dhe nuk i binden shumicës.
22 shtator – F. N. ka një problem. Prifti do të ikë, por shqetësimi nuk mbaron.
20 nëntor- F. Nolit i janë paraqitur nderime nga shkrimtarë shqiptarë.
28 nëntor – Hëngra darkë me F. Nolin, me z. Messinger dhe Rev. Upson. Që të tre janë studiues të dëgjuar.
1946
2 janar- F. Noli ka shumë shqetësime me komunitetin e tij. Më vjen keq për të se është duke humbur kohë dhe po duron shumë kërcënime nga njerëz injorantë.
26 janar – Akoma më shumë shqetësime janë krijuar prej disa nga kishat e tij, veçanërisht me atë të Filadelfias…
Shqipëria ka bërë kërkesë në OKB.
14 mars – F. Noli ose unë do të na duhet të shkojmë në Uashington javën që vjen meqenëse na është kërkuar nga legata jugosllave për të dhenë një informacion të saktë, ku të kërkojmë pranimin e Shqipërisë në OKB më 25 të këtij muaji.
15 mars – Një delegacion prej 4 shqiptarësh nga Nju-Jorku erdhën sot për t’u takuar me Nolin dhe i kërkuan të merrte drejtimin e luftës kundër propagandës greke. Ai e pranoi këtë ofertë dhe do të shkojë në Uashington javën që vjen.
30 mars – Sot në mëngjes F. Noli erdhi në zyrë shpejt, me qëllim që të përgatisnim bashkë disa telegrame për gjithë senatorët e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë për kalimin e rezolutave… F. Noli më kërkoi të punoj si sekretar në “punën e tij të re’.
4 prill – Të tjera lajme të këqija për Shqipërinë. Anglia është tërhequr nga bisedimet për Shqipërinë. F. Nolin e duan dhe e urrejnë gjithandej. Për sytë e disave unë vij pas tij.
5 prill – Gjithë ditën kam qenë i zënë duke punuar me shpejtësi të madhe… Do bëj, veç punës sonë, gjithë korrespondencën e Nolit që është e konsiderueshme.
8 prill – Këtë mbasdite Noli u nis për në Nju-Jork. Sot u njoftua se Anglia ka hapur përsëri bisedimet me Shqipërinë.
12 prill – Noli u kthye nga Nju-Jorku ku ishte për t’u takuar nga delegacionet e OKB-së, por u takua vetëm me disa prej tyre. Do të kthehet prapë në Nju-Jork javën tjetër.
13 prill – F. Noli më paguan 10 dollarë për punën që bëj me këtë “kryqëzatë të re” që ka filluar ai. Anglishtja e F. Nolit nuk është shumë idiomatike dhe atij nuk i pëlqen ta korrigjojë.
15 prill – Përsëri F. Noli u nis për në Nju-Jork. I shkreti ai, po përpiqet shumë të arrijë diçka, po do të ndodhet para një kohe shumë të vështirë për aq sa SHBA do të jetë kundër Shqipërisë.
19 prill – F. Noli është takuar me kryetarët e delegacioneve të Anglisë, Hollandës, Polonisë. Ai raporton për rezultate të mira.
26 prill – F. Noli ndodhet akoma në Nju-Jork. Sipas raportit të tij del se është takuar me ambasadorin Gromiko.
13 maj – Nga të gjitha anët e SHBA po vijnë të holla për F. Nolin. Padyshim ai i di se si i nxjerr këto para nga shqiptarët. … Ai e meriton këtë, sepse ka dhënë gjithë jetën për Shqipërinë. Sa për dreq, është shumë koprac.
29 maj – F. Noli ka marrë disa informacione nga Hoxha, lidhur me delegacionet e panumërta.
1 qershor – Natën e kaluar F. Noli u kthye nga Nju-Jorku dhe këtë mbasdite bëmë një konferencë. Ai ka marrë 3 mesazhe nga Hoxha, të cilat na japin disa ide përfundimtare përsa i përket lidhjeve mes SHBA dhe Shqipërisë. Shqipëria, së pari, kërkon njohjen dhe pastaj të bisedojë rreth kushteve të pranueshme për të dyja palët.
5 qershor – F. Noli telefonoi nga Nju-Jorku dhe tha se Shqipëria është ftuar në Konferencën Ndërkombëtare të Shëndetësisë. Kjo do të thotë se ne do të jemi në gjendje të marrim informacion të dorës së parë nga Shqipëria nëse do të lejohet të vijë një delegacion.
7 qershor – … Do të jem shumë i lumtur të takohem me ta.
13 korrik – F. Noli u kthye për pak kohë. Është pothuaj i pakënaqur nga delegacioni shqiptar. Po kështu jam edhe unë… Ata nuk dinë asgjë për situatën këtu dhe prapë duan të bëhen gjykatës dhe juri për situatën tonë.
I8 korrik – F. Noli telefonoi nga Nju-Jorku, deri nesër kërkon të përkthyer Kushtetutën shqiptare.
1947
18 maj – Unë dhe Sara shkuam në kishën shqiptare të Shën Gjergjit, ku F. Noli bëri shërbimin në gjuhën angleze. Ishte një gjë e gjatë dhe e mërzitshme. Atje kishte shumë personalitete: Dr. dhe zonja Coon, Rev. Dr. dhe zonja Messinger, prof. La Piana dhe shumë të tjerë.
22 maj – F. Nolit nuk i pëlqen mendimi im për disa kisha që unë i quaj “fashiste”. Une jam dakord me të. me disa përjashtime, por prapë kishat nuk e njohin rrezikun e fashizmit.
1948
6 shkurt – Pata një fërkim të vogël me F. Nolin. Javën e kaluar i kërkova atij të shkruajë diçka të shkurtër për 36 vjetorin e “Vatrës”. Ai s’ka bërë asgjë dhe kërkon parapagim nga “Vatra”. Në këtë mënyrë manifeston egoizmin e tij.
7 shkurt – Më në fund F. Noli ka shkruar një histori të shkurtër për 36 vjetorin e “Vatrës”. Sot u takova për pak kohë me të. Të dy u përpoqëm të ruajmë një politikë skrupuloze për të kompensuar fërkimin e djeshëm.
24 prill – U takova pak me F. Nolin dhe i dhashë një çek prej 1000 dollarësh për tekstin shqip të “Skënderbeut”.
1949
3 mars – U takova me Nolin për pak minuta. Duket sikur po plaket shpejt, megjithatë prapë shkruan libra. Përsëri po punon për Skënderbeun, një libër të cilin ne (“Vatra”) e kemi kontraktuar dhe që mendohet se do të jetë kryer qershorin e ardhshëm.
19 mars – Nuk di ç‘të bëj me “Skënderbeun”. Kemi akoma shumë kopje të mbetura që nuk shiten.
21 prill – F. Noli po bëhet çdo ditë e më tepër grindavec. Patëm një debat në telefon. Ai kërkonte sot 1000 dollarë për librin e tij “Skënderbeu”, të cilin ai ka shkruar dhe ia ka shitur vite më parë një organizate tjetër.
6 maj – U nisa për Nju-Jork me aeroplan… Mbasdite vonë F. Noli erdhi te “Prince Georg”, një koincidence… Delegatët na kishin për darkë.
3 qershor – Rev. Thimi Theodosi ishte i mërzitur këtë mëngjes…
22 qershor – Stefan Lasko u dorëzua prift të shtunën e kaluar.
25 dhjetor- U takova për pak kohë me Nolin te Miçeklët. Mendoj se ai diçka ka vendosur me vete. Nuk do të më habiste nëse ai do të favorizojë Dhimitër Trebickën kundër meje për “Diellin” në mbledhjen tonë të ardhshme në korrik.
1950
28 prill – “Skënderbeu” shkoi sot në shtyp. Shtypjen po e bën Crimson Printing Company.
3 shtator – Një peshkop grek u dorëzua sot në Stamboll për grupe të veçanta shqiptarësh në këtë vend, në kundërshtim me F. Nolin. Ai quhet Mark Lipa.
9 tetor-F. Noli është i sëmurë.
8 dhjetor – “Historia e Skënderbeut” erdhi sot. Është lidhur bukur dhe nuk duket i vogël.
17 dhjetor – Peshkop Mark Lipa ka dhënë një intervistë të shkurtër për gazetat e Bostonit. F. Noli është pak i frikësuar.
1951
8 shkurt – Peshkopi i ri shqiptar, me stil vetjak, Mark Lipa, ka shkaktuar një ndarje të tmerrshme në komunitetin më të madh shqiptar të Bostonit. Është deri diku e habitshme se si ata janë dhënë pas këtij njeriu të panjohur.
17 shkurt – Shqetësimet në mes qarqeve shqiptare të Bostonit do të arrijnë kulmin nesër. Mark Lipa u ligjërua sot në një kishë tjetër. Ai mund ta shfrytëzojë këtë për mirë.
22 shkurt – “Britan Post” ka botuar një intervistë të shkurtër, të cilën F. Noli ia dha reporterit të martën.
25 mars – Patëm mbledhjen e bordit të “Vatrës”. Me disa kundërshtime vendosëm të hapim një fushatë për të blerë një shtëpi për Nolin.
28 mars – Më shqetëson pak fakti se sa do të mbështetet fushata për t’i blerë një shtëpi Nolit. Është një punë e madhe dhe kërkon përpjekje të mëdha. Ndërkohë duhet bërë edhe puna e përditshme. Lajmet nga Ballkani janë shqetësuese dhe Shqipëria është në ballë.
29 mars – F. Noli është deri diku i kënaqur me fushatën time (të “Vatrës”). Megjithatë do të më duhet një shumë e madhe që të blejmë një shtëpi të përshtatshme sepse çmimet në të vërtetë, sikurse gjërat e tjera, janë shumë të larta. Kjo do të thotë një punë shumë e rëndë për mua.
6 prill – Fushata për F. Nolin pati një fillim të mirë natën e kaluar, kur zonjat e Kishës së Shën Gjergjit dhanë 1000 dollarë për fushatën.
18 prill – Kisha shqiptare e Shën Gjergjit dha natën e kaluar 1500 dollarë për fushatën e Nolit, filluar nga “Vatra” më 25 mars. Deri tani nuk kemi marrë asgjë nga ndonjë koloni e veçantë. Kjo më shqetëson pak, por çdo gjë lëviz me ngadalë në fillim.
22 prill – Crist Ellis u dorëzua prift…
27 prill – Me aq sa dimë ne, degët tona akoma nuk kanë filluar të lëvizin për të mbledhur para për fushatën e shtëpisë së Nolit.
28 prill – Po filloj të shqetësohem për fushatën e shtëpisë së Nolit. Gjërat lëvizin ngadalë.
20 maj – Mblodhëm gati 185 dollarë për fondin e shtëpisë së peshkop Nolit. Jam i gëzuar që fushata po ecën.
25 maj – Rreth orës 4 mbasdite, Sara dhe unë u nisëm për në Mançester. Fillova të mbledh…
5 qershor – Grindja midis shqiptarëve rreth peshkop M. Lipës ka arritur në një shkalle qesharake. Madje edhe gjykatësit edhe avokatët po hungërojnë nga qejfi.
19 qershor – Mora 200 dollarë për fondin e shtëpisë së Nolit. “Bashkimi” po llomotit shumë në gjithë Amerikën në mes shqiptarëve. Kjo gjë po më shqetëson shumë.
26 qershor – Fushata për Nolin po ecën shumë ngadalë. Ajo nuk i ka përmbushur shpresat e mia dhe unë jam shumë i dëshpëruar.
27 qershor – Po vijnë të holla nga të gjitha degët, ndërkohë që afrohet Kuvendi. Vetëm se është fakt se nuk po vijnë aq sa duhet për fondin e shtëpisë së Nolit.
7 korrik – Shumica e delegatëve kanë arritur. Disa prej tyre sollën të holla. Grupi i Nju-Jorkut solli 600 dollarë. Pastaj patëm një mbledhje të komitetit mbasdite. Rreth orës 2 u hap Kuvendi. Kryetar u zgjodh Marko Adams. Biseduam dhe diskutuam deri afër mesnatës. F. Noli erdhi, ose më mirë e sollën rreth orës 10. “Bashkimi” me “Shqipërinë e Lirë” ishte tema kryesore e diskutimit. F. Noli nuk u prononcua. Pothuaj të gjithë delegatët ishin për “Bashkimin”, por nuk dinë si ta arrijnë këtë. Në duart e mia do të kem një betejë të ashpër.
31 korrik – Korriku iku. Qe një muaj shumë i zënë me punë dhe i pakëndshëm. Kryesorët për shkak të një lëvizjeje për bashkim me një organizatë qesharake, e filluar 10 vjet përpara nga K. Çekrezi, gabimisht e quajtur “Shqipëria e Lirë”. Lëvizja që nga kuvendi ka humbur disa momente, por ideja vijon të mbetet. Ajo u fillua nga delegatët shqiptarë ne OKB me synimin për të shkatërruar “Vatrën” dhe për të dobësuar ndikimin e F. Nolit.
8 tetor – F. Noli u thirr sot në “COUNT” lidhur me bëmat e M. Lipës në kishat shqiptare ne Bostonin e Jugut. Por më thanë se Nolit nuk i bënë asnjë pyetje.
1952
13 mars – Peshkopi M. Lipa, agjent grek, po bën zhurmë të madhe. Ai po përdor komunizmin për t’i hutuar dhe frikësuar shqiptarët në këtë vend.
26 mars – Këtë mbasdite F. Noli u nis për në Çikago që të asistojë në shpëtimin e kishës shqiptare nga thonjtë e M. Lipës.
7 prill – Uorçesteri ka hapur një fushatë për shtëpinë e Nolit. Është mbledhur një shumë e konsiderueshme.
10 qershor – Sot mora nga Nju-Jorku 1088 dollarë për fondin e shtëpisë së Nolit.
30 nëntor – Nga dreka shkova në kishën shqiptare ku, mbas shërbesës fetare u bënë festime për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Unë kryesova mbledhjen edhe pse isha lënë jashtë nga banda e “Shqipërisë së Lirë”.
1955
14 shkurt – Nesër peshkop Noli shkon për pushime në Florida.
22 mars – Kalova pothuaj gjithë ditën në shtypshkronjë dhe nuk e di se si do të dalë gazeta. Ishte vetëm një njeri që punonte aty… Peshkop Noli më dërgoi sot një shportë me portokalle dhe qitro. Nuk e di se ç‘ka ndodhur me të!
17 qershor – Sonte kishim për darkë F. Nolin. Ai ka shqetësime me dhëmbët dhe për këtë shkak mund të hajë vetëm supë dhe disa ushqime të tjera të buta. Ai është një personalitet interesant.
1956
25 qershor – Kristo Thana do të jetë kryetari i banketit për F. Nolin. Muhamet Zeqari nga Detroiti do të jetë dollibashi. Një çift i mirë.
17 korrik – U takova shkurt me ‘Mjekrën”. Është shumë i zënë me rregullimin e “Dhiatës se re” në shqip.
3 shtator – Banketi për F. Nolin, për 50 vjetorin e ardhjes në këtë vend shkoi mirë. Morën pjesë rreth 450 të ftuar. Fjalimet ishin të gjata e te mërzitshme. F. Noli mori një shumë te konsiderueshme të hollash.
9 shtator – Pata një ditë shumë të ngarkuar duke u përpjekur të rregulloja llogaritë e banketit të F. Nolit. Është një rrëmujë e madhe. Duhet bërë shumë për te mbajtur çdo gjë në rregull.
22 shtator – F. Noli është interesuar të shkruajë një libër për Ali Pashën nëse “Vatra” do ta sponsorizojë.
12 tetor – “Balli” po më ngre nervat; shumë zhurmë për asgjë; shkruhen fjalë, fjalë, fjalë, asgjë tjetër veç fjalë boshe.
1957
8 maj – Peshkop Noli mbaroi hyrjen për librin e Konicës. Është e mirë.
4 tetor- “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës juglindore” arriti sot mbasdite. Duket i bukur. Jemi gati të tronditur… F. Noli, gjithashtu, është i kënaqur me të.
1958
8 maj – Për disa dite F. Noli ka qenë i sëmurë. Ai ka qenë nën kujdesin e dy mjekëve.
26 korrik – Sonte patëm F. Nolin për darkë.
13 nëntor – Punova me “Diellin” e vjetër në shkollën shqipe të së Dielës, qendër ku kemi vendosur koleksione të vjetra. Faqet janë dëmtuar. Unë lexova numrin e parë – 15 shkurt 1909. Më bëri përshtypje politika e “Diellit” për një Shqipëri të pavarur, shkruar hapur nga F. Noli. Kërkesat ndaj Turqisë përfshijnë katër vilajetet e mëdha.
1959
7 shkurt – Sot kishim për darkë F. Nolin. Ai është shumë interesant. Sara e pëlqen pa masë.
20 shkurt -Punova për një thirrje të cilën do ta firmosë F. Noli dhe ne do ta botojmë te “Dielli” si një fushatë për të holla lidhur me përvjetorin e artë (50 vjetorin) të “Diellit”.
16 prill – Mora një shportë me fruta nga Noli, dërguar nga Florida.
Qerim Panariti
NOLI: NJERIU DHE KARAKTERI I TIJ
Noli ish një person kompleks dhe ekstraordinar i shumë-anëshmë nga çdo pikëpamje: i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” që nga vogjëlia dhe një gjigant intelektual.
Ndjenjën si “rebel” e manifestoj në gjimnazën Greke në Endrene në vitin e fundit akademik, kur autoritetet e gjimnazit pushuan nga puna një nga profesorët më të çkathtë, Noli kujtoj se profesorit iu bë një padrejtësi dhe një -me-një organizoj një demonstrate të studentëve në favorë të profesorit. Për shkak të këtij rebelimi, autoritetet e gjimnazit refuzuan t’i japin diplomën gjer në Shtator në vënt t’ia jepnin në Qershor, sipas zakonit.
Si person Noli gëzonte të gjitha të metat e njeriut plus të metat e tij si individual.
Le të fillojmë pra, nga disa cilësira elementare. Noli ish person sekretive. Ish e pamundur për të që t’i hapte zëmrën njeriu pa rezervë. Këtë karakteristikë thuhet s’e gëzojnë pothuaj se të gjithë njerëzit e lartë nga mejtimet, që kanë fatin e keq të lindin në një sistem social të mbyllur si Turqia, një sistem i mbytur në errësirë dhe i rrethuar me spiunë dhe intriganë çpifarakë.
Si njeri i ndrojtur dhe suspekt, munt të thuhet se Noli kish me qindra miq, me mijëra admironjës, po s’kish asnjëckë konfidant, domethënë njeri që t’i hapte zëmrën një qint per qint; kurdoherë ish i rezervuar. Për këtë shkak ish e pamundur qe t’i hynte dot njeri në shpirtin dhe ndjenjën e tij.
Në Shqiptarët e Amerikës Noli e kish humbur besimin krejt “Të lenë”, thosh, “si gunën e vjetër.”
Në fshatarët e Shqipërisë kish një dashuri të madhe. Fshatari i thjeshtë, thosh Noli, gëzon akoma besnikërinë primitive kur të kupton që s’ke qellim t’a shfrytëzosh dhe te përfitosh nga ignoranca e tij, kurse Shqiptarin’ e Amerikës e ka korruptuar komercializma dhe beson se s’munt të bësh dot tregëti “me kryq në ballë”.
Noli e shikonte jetën si komedi. Në një rast e pyeta sepse nuk gjen një zëvëndës për të shpëtuar nga andrrallat e përditme? M’u përgjiq shkurtazi: “Ç’e duan peshkopnë këta, kurse s’më degjojne mua, si munt të rrojnë në harmoni me tjetër peshkop?” .
Përgjigje komike, po tepër profetike.
Noli s’ish njeri materialist. Bënte një jetë të thjeshtë. Vishej dhe mbathej paq, po kurdoher thjeshtë. Banoj më tepër se 30 vjet në një apartment të vjetër dhe me mobila mos më keq.
Noli s’ish mikpritës si Faik Konitza. Po të dilnje jashtë me të ish e pamundur që të vinte dorën në xhept. Po t’a vizitonje në shtëpi s’të ofëronte asnjë kupë ujë.
Qëndrimi i Nolit në lidhje më mikpritësinë munt të justifikohet lehtë. Njeriu pothuaj se mbante shtëpinë hapur për vizitorët, miq dhe kundërshtarët. Po t’i priste të gjithë me gostira, duhet të ish miliuner. E vërteta është që Noli më 1940 bëri një jetë miserablile, mezi pikej për të përballur shpenzimet vetiake. Përveç kësaj, vizitorët i merrnin kohën më kot.
Për te shpëtuar nga monotonia e mysafirëve, Noli kish gjetur një formulë unike dhe interesante. Kur vizitorët kalonin masën e “miqësisë”, iu thosh: “M’u tha goja, munt të dalim këtu pranë të lagim gojën me një kafe?” Kur mbaronin kafenë Noli iu linte shëndet dhe kthehej në shtëpi.
Këtë taktikë fillova t’a përdor dhe unë, po s’korra dot sukses. Vizitorët pas kafesë, kthehëshin përsëri në zyrën e “Vatrës” bashkë me mua.
Në një rast pyeta Nolin se si kish duruar me Shqiptarët një jetë të tërë? M’u përgjigj me katër fjalë: “Me ka zënë shqipia”. Pastaj shtoj:
“Shqipëria, si një popull i vogël dhe i shtypur prej armiqve të jashtmë dhe të brendshme, ka nevojë për njërës idealistë që janë gati të bëjnë sakrifica personale për një qëllim të shënjtë dhe të lartë.”
Noli s’ish egoist hakmarrës. Të lëftonte me mish dhe me shpirt kur cenohej interesi i përgjithmë i çështjes. Nga ana tjetër s’e kish për turp të të shtrëngonte dorën kur fitohej lufta.
Këtë karakteristikë admirable Noli e përdori kur erdhi Mark Lipa n’ Amerikë, më 1950, dhe disa nga shokët e vjetër defektuan dhe u hothne me renegatin. Noli së pari, u dëshpërua, por kur defektonjësit ia pinë lëngun Lipës dhe u kthyen në udhën e mbarë, Noli i priti me enthusiazmë dhe s’ua përmendi kurrë defektimin.
Në një rast pyeta Nolin se si shkonte me Lipistët dhe nëse parashikonte nonjë rrezik prej tyre? Ay m’u përgjigj pa hezituar, “Jo aspak”, dhe shtoj: “Këta janë bashkëluftëtarët tonë, tani që u kthyen në udhën e mbarë, duhet t’u falim gabimin, se të gjithë kemi bërë gabime nga koha në kohë, kështu pra, s’duhet t’i përdorim si kollonialë”.
Noli ish hamës i math, kur gëzonte shëndet dhe plot humor dhe shakara. Që më 1952 e kishim bërë zakon t’a ftonim Nolin për drekë dy herë në vit, në Qërshor dhe në Tetor, kur fillonin dhe kur nisin të mbaronin zarzavatet e baçës sonë. Në fillim hante vetëm zarzavate, po më vonë kur e kërcënuan doktorët se po të mos hante mish, i kish ditët të shkurtëra, filloj me dashje a padashje, të hajë mish.
Herën e fundit që e patmë për drekë ish më 11 Qershor, 1964. Në këtë rast gjellët vetëm i cënoj po s’i hëngri. Kjo na vuri në dyshim se Noli po i shkurtohëshin ditët.
* * *
Diku në fletët e shkruara kemi bërë fjalë se si Noli filloi luftën me Grekët në Edrene kur ish nentëmbëdhjetë vjet djalë, kur gjimnazi i vonoj t’i japë diplomën për shkak se mori anën e një profesori të pushuar nga puna. Që ahere dhe gjer sa mbylli sytë Noli urrente Grekët dhe Grekët urrenin Nolin.
Që posa u dorëzua prif, më 1908, Grekët filluan propagandën dhe anathemat për çkredituar Nolin përpara popullit Shqiptar. Çpifjet dhe kallëzimet kundër tij ishin aqë banale sa dhe primitive. E kallëzonin si anti-kanonik, si “apostate” (femohonjes) dhe klishera të tjera që s’kishin as anë as funt.
Noli i kapërceu të gjitha këto çpifje dhe triumfoj duke shpënë kishën Shqiptare autoqefale në Shqipëri.
S’bëjmë nonjë zbulim të ri po të thomi se Noli ish njeri i shekullit njëzet qe besonte me gjithë shpirt në lirin’ e mejtimit, të bazuar në shkencën dhe në historinë e mejtimeve të lira, dhe si person i tillë, ish e pamundur për të që të besonte në lindje virgjineshas, po nga ana tjatrë, Noli e besonte dhe e adhuronte Krishtin si profetin më të lartë që ka lindur bota përpara dhe pas Krishtit. Ritet Ortodokse i përformonte me dignitet dhe solemnitet, po nuk pranonte supërsticionet e klerikëve hipokritë medievalë që tallën me njerëzinë duke iu premtuar jetë të përtejme. Për Nolin theorira të tilla i kanë rrënjët në kohë të errëta që s’munt të gëlltitëshin dot prej një person me kulturë të gjerë si të Nolit.
Mbanj mënt një ditë pyeta Nolin sepse Krishterimi konsideron Krishtin si “Shpëtimtarin e botës?” Këtë pyetja ua kam bërë shumë klerikëve të dogmave të ndryshme të Krishterimit, po përgjigjen më te sqaruar ma dha Noli.
Mejtimi Nolian në lidhje me Krishtin (i parafrazuar) ish ky: Nga të gjithë profetët e shënuar të botës përpara dhe pas Krishtit, Jisui ësht’ i vetëmi profet që prokllamoj për herën e parë në historin’ e njerëzimit, njësi dhe egalitet në botë. Kjo ish një dekllaratë revolucionare në një kohë kur njerëzit bliheshin dhe shiteshin në pazart si kafshët. Krishti u mundua që të shpartallonte këtë sistem barbar. Për këtë shkak u kryqëzua prej kllasave që shfrytëzonin popullin me anë të fesë.
Pas mejtimit Nolian Krishti ish patriot Israelit që u mundua të çlironjë popullin e tij nga robëria Romane. Krishti inspiroj Nolin që t’i dedikonjë jetën çlirimit të popullit Shqiptar nga robëria Turke dhe Orthodoskët Shqiptarë nga errësira e Patrikanës.
Predikmet e Nolit ishin kurdoherë në baza sociale humanitariane që munt të karakterizohen me predikimet e pashtrëmbëruara të Krishtit. Karshi prallave sipërnaturale Noli munt të karakterizohet si agnostik, domethënë një person që as pohon as mohon ndodhjen mistike të forcave sipërnaturale. Kjo me pak fjalë, ish feja e Fan Stilian Nolit./ KultPlus.com