11 Nëntor, 2017 - 9:58 am
Nga Don Fatmir Koliqi
Dita e 8 nëntorit e vitit 1462 shënjon të parin shkrim shqip, ditëlindjen e gjuhës shqipe, apo ditë-pagëzimin e saj nga i përndritshmi prelat dhe bashkëpunëtor diplomat i Gjergj Kastriotit, argjipeshkvi i Durrësit, Imzot Pal Engjëlli. Fal zbulimit fatlum të historianit Nikola Jorga, dashamirës i kombësisë shqiptare, i cili e gjeti Formulën e Pagëzimit në gjuhën shqipe, në një fond të veçantë të Bibliotekës Laurentiana në Firencë të Italisë (aty ku edhe sot ruhet me kujdes), dhe e botoi më 1915 në bleun e katërt të veprës së tij “Notes et extraits pour servir à l’histoire des croisades au XVe siècle”, ne sot mund të kremtojmë ditëlindjen e shkrimit tonë shqip.
“Unte ‘paghesont premenit Atit et birit et spertit senit” – “Unë po të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.” Është formula e pagëzimit, të cilën e gjejmë në një letër qarkore në gjuhën latine, që prelati e kishte shkruar pas një vizite baritore ndër besimtarë shqiptarë. Formula e pagëzimit në shqipen e lashtë, është në qendër të këtij teksti latin, që konsiderohej si gjuhë e kulturës, e mendësisë europiane të asaj kohe. Këtu trupëzohet shqipja natyrshëm në kulturën e djepit të saj, bashkë me latinitetin që e ka shoqëruar që në fillimet e epokës së re krishterore. Engjëllori, i nxitur nga dashuria për njeriun e vet, duke parë kohë të vështira e të paqëndrueshme e që priteshin të bëheshin edhe më të skëterrshme, la testamentin e tij shpirtëror e kulturor, për ta vegëzuar jetën e paraardhësve të vet arbërorë me gjeneratat që do vijnë, për ta bërë një continuum jete.
Ky testament është edhe themeli, djepi, shpirti dhe kulmi i kësaj vazhdimësie me periudhën etërve. Është testament që i ka dhanë vulën qenies sonë identitare, pagëzimin e së folmes sonë, asaj fjale që e ka lidhur kujtesën e paprishur ndër shekujt e hirtë, e ka bërë ta njohim me zë e me letër vetveten, sepse “fjala është pasqyrë e shpirtit: njeriu njihet prej fjalëve të tija”(M. Paloka).
Ky testament është vetëm një fjali, por që peshon shekuj. Fjali në të cilën është shkruar historia e shpirtit tonë të martirizuar, fjali që mban dëshminë e hirit shenjtnues ndër ne e në letrat tona. Një fjali që ka mbajtur gjallë frymëmarrjen e shpirtit shqiptar.
E lindur në një periudhë kapërcimesh të mëdha të gjindes sonë arbërore, në kohën e stuhive të forta, kohëve të pakohë, kohëve që kanë bà varrë të dhimbshme në shpirtin e njeriut tonë që ndjehen sot e kësaj dite, formula dëshmon farën e mbjell thellë në histori, pa pushu së jetuari deri në ditët tona, edhe pse ajo ka pësuar kohë thatësirash të rrezikshme e dritëhije që kanë ndjellë vdekjen.
Shekulli XV i heroit tonë Gjergj Kastrioti, mbrojtësi i kontinentit europian, nuk ishte vetëm kohë shpatash e luftërash, por gjithashtu edhe një kohë e luftës shpirtërore, kohë e mbrojtjes që shpirtit, identitetit dhe vazhdimësisë së etërve shekullor. Në këtë periudhë, fjala dhe shkrimi shqip do të jenë dëshmia e një botëkuptimi që duhet mbrojtur me sy të ballit, si bebëzën e syrit, si një paradigmë pa të cilën nuk jetohet, pa të cilën nuk njihemi e pa të cilën nuk rron shpirti arbëror mesdhetar. Germat e formulës dhe shkrimi i Imzotit janë vula të një bote të lashtë, kapërcime të pashkëputura dhe ruajtje të lashtësisë. Siç e thotë me kompetencë albanologu Eqrem Çabej, “shihet këtu se ka një traditë shkrimi në Shqipëri […] Lehtësia me të cilën shkruesi kalon nga shkrimi i latinishtes në të shqipes, duke përdorur kudo poato shkronja, dëshmon se në kohë të Skënderbeut ka pasur njerëz (klerikë, notarë e të tjerë) që shkruanin shqip, dhe se shqipja shkruhej me germa latine. […] alfabeti i Formulës e i Buzukut i ka rrënjët te një periodë më e përparme e shqipes. Çështja se prej ç’kohe buron ka rëndësi për historinë kulturale të vendit. Lehtësia e siguria në shkrim të Shqipes, që vihet re të Formula e pagëzimit, na dëften sikundër u tha se ka pasur një traditë letrare me një farë vjetërsie. Edhe gjuha e Gjon Buzukut me karakterin e përpunuar të saj shihet se mbështetet më një literaturë kishtare të mëparme, qoftë dhe me përmasa të vogla. Historiani shkodran Marin Barleti në vitin 1504 flet për disa “fragmenta quaedam verius quam annales” shkruar në “vernacula lingua“, d.m.th. në gjuhën popullore të vendit (sh. Historia e letërsisë shqipe I 156 v.). Më se dy shekuj më parë, në vitin 1332, arqipeshkvi i Tivarit Guillelm Adae prej Provencës së Francës shkruante se Shqiptarët në librat e tyre përdornin shkronjat latine. Po të kemi parasysh se Shqipëria, sikurse thotë Sufflay, është një vend me krishterim të lashtë dhe që m’anë tjetër ky vend ka qenë vendosur qëmoti në rrethin e kulturës romake e greke, mendimi i një shkrimi të gjuhës së vendit që në kohë të para është vetvetiu afër menç. Këtyre rrethanave u shtohet dhe puna e qëndrimit të benediktinëve e të dominikanëve në Shqipëri në periodën paraturke, dy urdhra fetare që kanë themeluar vatra kulture e shkrimi kudo që kanë shkuar. Kështu Formula e pagëzimit e vitit 1462, megjithëse nuk përmban veçse një fjali të vetme, përbën një hallkë që lidh Shqipërinë paraturke me Shqipërinë e kohës osmane.”
Gjuha është pjesë e përbërëse e identitetit të një populli. Me anë të saj shprehet shpirti dhe kultura e tij. Gjuha e një populli, zhvillimi i saj, e folmja e saj, e shkruara e saj, dashuria ndaj saj dhe promovimi i saj, tregon, në fakt, kulturën që mbretëron brenda pjesëtarëve të atij populli dhe të asaj shoqërie.
Gjuha e jonë shqipe ka një traditë të lashtë e të pasur. Ajo është histori martire sui generis, sikur është subjekti të saj që e ka folur dhe e ka shkruar. Që nga Formula e Pagëzimit (1462) deri sot gjuha shqipe ka pasur një ejackëri tejet sfiduese, që shpesh u martirizua e u sha, u përdhos e u përçudnua, prej bijve të vet e prej të huajve. Megjithatë, shenjtërinë e pagëzimit të shqipes, ëmbëlsinë dhe hirin e saj s’ka mundur kush t’ia ndalë.
Për këtë arsye, 8 nëntori duhet të shpallet Festë e Gjuhës Shqipe, Ditëlindja e saj që duhet të kremtohet nga të gjithë me epitet.
Sot, gjuha shqipe ka nevojë të jetohet në tërësinë e vet, të flitet e të shkruhet me te dyja mushkëritë, se vetëm ashtu merr frymë natyrshëm. Pa të folme e pa të shkrueme shqip të mirëfilltë, s’do të ketë kulturë të mirëfilltë shqiptare, as shpirtërore e materiale.
Sot, kur kjo formulë shqiptohet në kishat tona arbërore, ngjallet shpirti i engjëllorëve të shumtë, mbajtës gjallë të këtij shpirti, e ujitet po ky shpirt me hirin shenjtërues të etërve e rinohet si hallkë e pashkëputur identiteti ynë i stërlashtë. Kjo fjali ngjanë të jetë magjia vet e një bote që vazhdon të lind e të rilind bijë e bija që i jap jetë bashkëkohësisë sonë.