4 Gusht, 2022 - 9:00 pm
“Ditët e Librit Arbëresh” do të zhvillohen në Tiranë dhe në Shkodër. Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, që organizon këtë veprimtari bën me dije se do të zhvillohet në datat 9 e 10 nëntor në Tiranë, ndërsa në datën 11 nëntor kjo veprimtari do të zhvillohet edhe në Shkodër, në bashkëpunim me Qendrën Albanologjike të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
“Krahas studimit dhe botimit të autorëve e veprave të historisë retrospektive të komuniteteve arbëreshe në Itali, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) ka si qëllim të promovojë edhe autorë e vepra bashkëkohore. Ndaj lindi domosdoshmëria e organizimit të një veprimtarie të tillë, me synimin e të bërit të njohur publikut shqiptar botime të autorëve bashkëkohorë arbëreshë për gjuhën, kulturën, identitetin, etnografinë”, thuhet nga QSPA.
Sipas QSPA-së në këtë kuadër, veprimtaria parashikon një ekspozitë të pasur të librave të këtyre dhjetëvjeçarëve, e cila do t’u paraprijë dy ditëve të ngjeshura me diskutime mbi disa prej veprave (9-10 nëntor), me pjesëmarrjen e vetë autorëve arbëreshë, pas një përzgjedhjeje paraprake sipas kritereve të vendosura nga komiteti shkencor dhe organizues.
“Ftojmë të gjithë hulumtuesit, studiuesit, gjuhëtarët, studentët, historianët, gazetarët, sociologët, botuesit dhe të gjithë të interesuarit të na bashkohen në këtë aktivitet të librit arbëresh. Informacion më i hollësishëm për kriteret e përzgjedhjes dhe pjesëmarrjes, do të jetë i gatshëm në javët në vijim”, thuhet nga QSPA, që një ditë më parë shprehej se për momentin, faqja zyrtare e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët është e bllokuar, si pasojë e hakerimit të fundit të agjencive qeveritare.
QSPA thotë se me zhbllokimin e saj të interesuarit do të informoheni në vazhdim në adresën: qspa.gov.al, si dhe në faqen Facebook. / KultPlus.com