2 Tetor, 2017 - 9:43 am
“Gëzuar ditëlindjen, babi! Na mungon shumë!” ka shkruar në rrjetin social Facebook djali i heroit Jusuf Gërvalla, Premton Gërvalla.
Gërvalla, dje me datë 1 tetor, pati ditëlindjen. Jusuf Gërvalla, poet shqiptar dhe atdhetar i shquar, lindi më 1 tetor 1945 në Dubovik, rrethi i Deçanit, nga një familje bujare.
Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, zbutë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para – “Fluturojnë e bien” (1975) dhe “Kanjushë e verdhë” (1978) – poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve “Shtëpia në kornizë” dhe “Skena nga jeta e fshatit”.
Gërvalla vritet mizorisht më 17 janar 1982 në Untergruppenbach në Gjermani, shkruan KultPlus.
Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe. / KultPlus.com