24 Prill, 2024 - 11:40 am
Dje në Ditën Ndërkombëtare të Librit, në ambientet e jashtme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u hap Panairi i 3-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor, i cili do të vijojë deri më 25 prill.
Ky panair zhvillohet si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe synon t’i bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare dhe promovimin e figurës dhe personalitetit të shkencëtarit e studiuesit shqiptar në hapësirën mbarëkombëtare.
Sipas Qendrës Kombëtare e Librit dhe Leximit, ky panair është më shumë se një ekspozim librash dhe aktivitetesh, pasi është një mesazh mbi nevojën për t’u mbështetur te një shoqëri që mendon dhe lexon, te një shoqëri ku intelektualët, shkencëtarët, studiuesit dhe gjuhëtarët nderohen dhe orientojnë zhvillimet e një vendi.
Nisur edhe nga dy edicionet e mëparshme (i pari në Tiranë në vitin 2022 dhe i dyti në Prishtinë në vitin 2023), ky panair shërben për ta nxjerrë më në pah botën akademike, shkencore shqiptare përmes botimeve, që në pjesën më të madhe të rasteve nuk kanë pasur vëmendjen e duhur publike.
Sipas Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, libri shkencor e ka më të vështirë rrugën për te publiku dhe pse mendimi i tij është aq i rëndësishëm për zhvillimin shoqëror.
Tri ditët e panairit, përpos ekspozimit të librit në stenda të dedikuara, përmes promovimeve të arritjeve në nivel akademik; përmes paraqitjes së botimeve më të reja të institucioneve të lidhura drejtpërdrejt me kërkimin shkencor, të kërkuesve; studiuesve, trupave pedagogjikë, botuesve, panairi do të shërbejë si hapësirë dhe mundësi diskutimi mbi tema të rëndësishme të dijeve shqiptare, kërkimit shkencor dhe të drejtës së autorit./tema/KultPlus.com