Doli nga shtypi libri “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën”

3 Dhjetor, 2023 - 10:30 am

“Në mënyrë analitike, hulumtuese e shkencore është përfshirë e tërë veprimtaria dhe kontributi i intelektualit të përmasave botërore akademik Prof. Dr. Gazmend Zajmit”, shkruhen në përshkrimin e monografisë, “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën” të Nuhi Bytyçit.

Veprimtaria e kontributi i akademikut Gazmend Zajmi është përmbledhur nëmonografinë “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën” me autor gazetarin veteran e dokumentaristin, NuhiBytyçi. Aty përfshihet jeta e kontributi arsimor, politik, shkencor, kulturor dhe jo vetëm. 

Sipas njoftimit për këtë botim, monografia është realizuar pas punës më shumë se trevjeçare që përfshin 504 faqe të ndara në 23 kapituj sipas tematikave dhe ngjarjeve historike. Botimi përfshin analizë, hulumtim e punë shkencore. Aty përfshihet e argumentohet angazhimi i akademik Zajmit si ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin të Prishtinës e kontributi nëthemelimin e UP-së, sikurse edhe angazhimi si prorektor e rektor i institucionit bashkë me krijimin e mundësive të bashkëpunimit me universitetet e huaja. 

“Një hapësirë të veçantë në këtë monografi zë edhe qëndrimi i Gazmend Zajmit si rektor i Universitetit të Prishtinës rreth kërkesave të studentëve dhe të popullit shqiptar të Kosovës në demonstratat e njohura të pranverës së vitit 1981 në Prishtinë. Si reagoi rektori Zajmi ndaj dhunës policore mbi studentët shqiptarë, pse nuk pranoi që të paraqitej në televizion për t’i dënuar demonstratat studentore, pse dha dorëheqje nga pozita e Rektorit dhe si u përjashtua nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë dhe nga procesi edukativo-arsimor në Universitetin e Prishtinës”, janë pyetjet që marrin përgjigje në monografi. 

Aty shkruhet se një pjesë e mirë e monografisë i kushtohet edhe angazhimit të profesor Zajmit “si ekspert i sistemit politik dhe kushtetues në hartimin e tekstit të Apelit të 115 intelektualëve shqiptarë kundër masave represive dhe terrorit shtetëror serb mbi shqiptarët në Kosovë”. 

“Në veçanti në monografi paraqitet roli i Gazmend Zajmit si autor i Deklaratës kushtetuese të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për mëvetësinë e Kosovës, hartuar më 14 qershor 1990, dhe të miratuar nga delegatët e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, pastaj përkushtimi i jashtëzakonshëm i Gazmend Zajmit si anëtar i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës me seli në Salzburg të Austrisë dhe pjesëmarrja e tij e vazhdueshme në konferencat dhe simpoziumet shkencore ndërkombëtare me qëllim të argumentimit shkencor të së drejtës së patjetërsueshme të popullit shqiptar të Kosovës për të vendosur vetë për të ardhmen e tij në kuadër të shtetit të pavarur e sovran – Republikës së Kosovës”, shkruhet në njoftimin për monografinë, e cila sapo ka ndalur nga shtypi. 

Mendimi politik i akademik Zajmit për të drejtën e vetëvendosjes së popullit shqiptar të Kosovës bëhet e ditur se zë vend në këtë botim. Shkruhet se këtë tëdrejtë e kishte argumentuar guximshëm në publik edhe sa vendi ishte nën regjim. 

“Ai kishte dalë në mbrojtje të përcaktimit të Konferencës së Bujanit se Kosova pas luftës do të vendosë për fatin e vet politik, duke përfshirë edhe të drejtën e bashkimit me shtetin amë – Shqipërinë. Në këtë monografi prezantohet edhe qëndrimi i Zajmit se vendimi i Kuvendit në Prizren në vitin 1945, ishte vendim i dhunshëm dhe jolegjitim, që Serbia e ka marrë me ndihmën e ushtrisë”, shkruhet në shpjegimin për monografinë “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën” të Nuhi Bytyçit derisa bëhet e ditur se në të flitet edhe për konstatimin e akademik Zajmit se me shkatërrimin e Jugosllavisë “anulohet çfarëdo pëlqimi formal dhe i dhunshëm për të hyrë Kosova brenda Serbisë dhe Jugosllavisë. Kjo dokumentohet me argumente juridike-shkencore”. 

Monografia sjell edhe kritikën e veprës së Zajmit nga figura të shquara intelektuale të vendit e më gjerë. 

“Monografia ‘Gazmend Zajmi – një për Kosovën’ u ofron lexuesve edhe fjalën ekskluzive të ish-kryetarit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve FelixUnger për Gazmend Zajmin, por edhe se si e kanë vlerësuar veprën e Gazmend Zajmit intektualët FehmiAgani, Esat Stavileci, Arsim Bajrami, GjyljetaMushkolaj, Kadri Kryeziu, Ali Aliu, Feriz Krasniqi, Rexhep Ismajli, Ilaz Ramajli, Abdullah Karjagdiu, Yll Zajmi, Ekrem Murtezai, Ismet Salihu, Halil Turku, Osman Kraja, Rexhep Osmani, Riza Demaj, ZenunÇelaj, Salih Maqedonci, Qerim Gashi, IsmetBogujevci, Nezanin Kuçani – Çeku, Semahate Kuçani-Mashkulli, Ismail Syla, Zeqirja Ballata, Engjëll Berisha dhe intelektualë të tjerë”, shkruhet në njoftim. 

Në monografinë kushtuar akademik Zajmit përfshihet edhe veprimtaria e tij kulturore si udhëheqës i shoqërisë së parë kulturo-artistike shqiptare “Agimi” të Prizrenit. Gjithashtu edhe krijimtaria si autor i teksteve dhe kompozitor i shumë këngëve, për çka u vlerësua edhe me çmime. 

Bëhet e ditur se monografia është ilustruar me fotografi e dokumente me vlerë historike e shkencore.

Redaktor i monografisë është akademik Arsim Bajrami, ndërsa recensentë janë akademikët Gjyljeta Mushkolaj dhe Agim Zogaj. Autori Bytyçi ka njoftuar se bashkë me librin dhurohet edhe disku i filmit dokumentar për akademik Zajmin – “Gazmend Zajmi – projektues i subjektivitetit shtetëror të Kosovës”. /rtk/ KultPlus.com

Të ngjajshme