Doli nga shtypi libri “Palestina në tri pamje” i autorit Agim Vinca

2 Korrik, 2021 - 12:30 pm

Në botim të shtëpisë botuese SYTH nga Tetova, doli nga shtypi libri i prof. Agim Vincës me titull “Palestina në tri pamje”.

Në këtë libër janë përfshirë tri shkrime që flasin për Palestinën, historinë dhe aktualitetin e saj, parë nga një këndvështrim personal. I pari është një udhëpërshkrim i autorit për vizitën e tij në Palestinë (qëndrimin në Ramallah e Jerusalem) në vitin 2018; i dyti është një parathënie e librit me poezi të poetit palestinez Najwan Darwish “Vendi që quhet këngë”, botimit shqip, që po ashtu ka elemente të udhëpërshkrimit, kurse në shkrimin e tretë autori analizon situatën në Palestinë, flet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Izraelit si shtet dhe shqyrton mundësinë e zgjidhjes paqësore të konfliktit arabo-izraelit, duke marrë në konsideratë pikëpamjet e intelektualëve të shquar izraelitë dhe palestinezë.

Në pasthënien me titull “Ç’bën intelektuali nuk bën politikani”, recensenti i librit, prof. Muhamed Mufaku, specialist i Lindjes së Mesme, ndër të tjera thotë: “Një intelektual, që gjithnjë shpreh me guxim atë që hezitojnë të tjerët ta thonë, Agim Vinca është intelektuali i parë shqiptar që i ka parë Tri Palestinat gjatë vizitës së tij më 2018 prej Tel-Avivi deri në Ramallah, duke kaluar edhe në Jerusalem dhe ia ka transmetuar ato publikut shqiptar. Me këtë libër Agim Vinca si intelektual i vërtetë na tregon se gjendet një dritë në fund të tunelit, për çka vlen të dëgjohet zëri i shqiptarëve me përvojën e tyre të hidhur, si dhe me lidhjet e tyre historike me hebrenjtë dhe arabët”.

Kurse botuesja Vjollcë Berisha në një letër që i drejton autorit shkruan: “Nuk besoj se ndonjë ‘smartfon’ që ka udhëtuar në ato dhera ka pasur mundësinë të grumbullojë dhe pastaj të derdhë më shumë përjetime se ky udhëpërshkrim…Tani njerëzit përtojnë (ose u duket dalëmode) të nisin një kartolinë me përshëndetje nga një vend ku shkojnë për vizitë, e jo më të mbajnë shënim emra, vende, ngjarje, mbresa për t’i skalitur përgjithmonë në një udhëpërshkrim fin, sa nga informacioni që jep e sa nga mënyra e të shkruarit… Më mbeti në mendje fjalia e një mikut tim: ‘E kujtoja të lënë këtë lloj shkrimi. Mendoja që njerëzit bëjnë vetëm ‘selfi’ nga vendet që vizitojnë. Nuk duhet shumë zgjuarsi për të kuptuar se profesori ka farkëtim klasik të fjalës, nga ai i madhi, I pushtetshmi’”.

Libri mund të gjendet në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë, në librarinë “Altera” në Prizren, në libraritë “Albas” dhe “Nobel” në Tetovë e Shkup, te Bezistani në Strugë, si dhe së shpejti në Tiranë. / epokaere.com / KultPlus.com

Të ngjajshme