19 Qershor, 2019 - 12:30 pm
Gani Mehmetaj ka botuar librin e tij më të ri “Qytetet e Ilirisë”, shkruan KultPlus. Në këtë libër në parathënien e tij është shkruar se Justiniani, perandori ilir i Romës, ndërtoi vetëm në Dardani tetë qytete të reja dhe meremetoi pesëdhjetë e një qytete tjera. Në Epirin e ri (Shqipëria e Mesme) ndërtoi tridhjetë e dy qytete të reja dhe meremetoi 36 tjera, ndërsa në Epirin e vjetër (Shqipëria jugore) ndërtoi tetë qytete të reja…
“Qytetet e Ilirisë” është libri më i ri i Gani Mehmatajt, që prezanton 23 qytete shqiptare me një të kaluar të lavdishme nga Nishi, Shkupi, Prizreni, Ulpiana, Artana, Gjakova. Shkodra, Ulqini, Lezha, Kruja, Preza, Kanina, Gjirokastra, Pogradeci deri në Korçë. Shumica e këtyre qyteteve kanë vazhdimësi nga parahistoria, antika, mesjeta e deri në ditët e sotme, disa të tjera pas periudhave të lavdishme në parahistori e në antikë u shuan në mesjetë. Qytete ilire shquheshin për organizim shtetëror, për objektet monumentale, kështjellat e sigurta, amfiteatrot, faltoret pagane, kishat paleokristiane dhe katolike etj.
Autori qytetet e Ilirisë i sheh nga prizmi i sotëm, e shpalon të kaluarën, duke bërë njëkohësisht edhe krahasimet në mes të asaj që ishin dikur, peshën që e kishin për ilirët e Ilirinë, peshën që e kishin për arbërorët dhe rëndësinë që e kanë sot për shqiptarët.
Libri i tipit të udhë përshkrimit, meqë autori ka shtegtuar gjatë nëpër këto qytete e krahina ka ilustrime me fotografi, rrëfime të vendasve, kronika të para dymijë vjetësh etj.
Për disa nga këto vende e kështjella është ditur pak ose aspak: Kështjella e Jerinës, Kështjella e Lekës, Kështjella e Mbretit, Suka e Cermjanit, që ishin fortifikata malore me garnizone ushtarake dardane.
Libri “Qytetet e Ilirisë” e botoi shtëpia botuese “Titanic”, ilustrimet janë me ngjyra, /KultPlus.com