12 Korrik, 2022 - 12:30 pm
Këto ditë doli nga shtypi organi letrar i PEN Qendrës së Kosovës, revista PEN Kosova.
Numri 4 i kësaj reviste, dalë pak me vonesë për shkak të pandemisë por edhe për mungesë mjetesh financiare, përmban materiale të shumta letrare nga të gjitha gjinitë e letërsisë dhe me autorë nga vendi, Shqipëria e bota.
Në shenjë solidarizimi me Ukrainën kundër agrsionit të Rusisë në këtë shtet të pavarur, revista PEN Kosova, në numrin e vet të parë të vitit 2022, boton poezi të disa poetëve ukrainas.
Letërsia ukrainase, thuhet në parathënien e këtyre poezive që vijnë për herë të parë në gjuhën shqipe, ka një traditë të gjatë që daton që në shekullin e 11-të. Një nga poetët e saj më të njohur është Taras Shevchenko i shekullit të 19-të, i cili filloi me poezi lirike romantike, përpara se të kalonte te poezitë më të errëta për historinë e Ukrainës.
Poezia dhe historia janë ende të lidhura ngushtë në Ukrainën bashkëkohore, ku poezia jeton në një larmi stilesh, duke filluar nga rimat te vargjet e lira dhe nga koleksionet e shtypura deri te slam-i dhe performanca. Trazirat politike të vendit në dekadat e fundit (nga revolucioni Maidan tek aneksimi i Krimesë nga Rusia, te lufta në Donbass) kishin çuar në shfaqjen e një poezie të guximshme dhe të drejtpërdrejt politike, me lexime dhe shfaqje shpesh të ndjekura mirë.
Në të gjitha këto poezi hetohet fryma dhe gjakimi i thellë e shekullor për liri e pavarësi të Ukrainës.
Poezitë nga frengjishtja dhe kroatishtja) i ka përkthyer Binak Kelmendi.
Pos poezive ukrainase, në revistën më të re të PEN Qendrës së Kosovës, mund të lexoni edhe poezi të poetëve shqiptarë: Ahmet Prençi, Sali Bashota, Flamur Maloku si dhe poezi pakistaneze nga poetja Noor Unnahar Siddique përkthyer prej anglishtes nga Laureta Rexha.
Revista përfshin edhe shkrime memoriale dhe studiuese nga Avni Spahiu, Naim Kryeziu e Ben Andoni dhe si një përkujtesë të Naime Beqirajt për poetin tonë të ndjerë Ali Podrimja.
Me këtë numër mund t’i lexoni poashtu edhe tregimet e Ibrahim Kadriut, Ibrahim Berishës dhe të Ahmet Selmanit.
Me dramaturgji dhe teatrologji kësaj radhe janë prezantuar Milazim Krasniqi me një pjesë nga monodrama e tij me titull “Arratisja e Sadri Popajt” si dhe studimi i Haqif Mulliqit me titull “Teatri në luftë dhe shtetrrethim”.
Numri 4 i revistës PEN Kosova përmban edhe një intervistë të gjatë me fituesin e vjetëm të Çmimit Nobel për Letërsi Abdulrazak Gurnah me titullin “Kujtesa e zhvendosjes nuk mund të fshihet” përkthyer nga Fahredin Shehu.
Në publikimin më të ri të organit letrar të PEN Qendrës së Kosovës mund të lexoni edhe studime nga Gérard Genette dhe Michel Foucault.
Numri i parë i revistës PEN Kosova u botua në vitin 2020.
Botimi i revistës PEN Kosova 4 u përkrah nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit e Repulbikës së Kosovës. / KultPlus.com