Doli nga shtypi revista PEN Kosova 5

10 Nëntor, 2022 - 9:25 am

Këto ditë doli nga shtypi numri 5 i revistës letrare e kulturore PEN Kosova i PEN Qendrës së Kosovës.

Numri më i ri i kësaj reviste përmban shkrime nga autorë të vendit, Shqipërisë dhe botës.

Kështu me poezi në PEN Kosova 5 prezantohen: Lulzim Tafa, Dije Demiri Frangu, Salajdin Salihu, Fortesa Latifi.

Në fushën e prozës me krijime janë shkrimtarët Fridrih Dyrrenmat, Flora Dosen, Ibrahim Kadriu, Binak Kelmendi dhe Virion Graçi.

Në eseistikë e kritikë letrare mund t’i lexoni punimet e Ibrahim Berishës, Bavjola Shatros dhe të Flamur Malokut.

Numri 5 i revistës sjell edhe poezi bashkëkohore kroate nga poetët Drazhen Katunariq, Zoran Zhmiriq, Sanja Loverençiq, Sead Begoviq, zgjedhur dhe përkthyer nga Osman Gashi.

Disa aforizma nga gjermanishtja për revistën i ka përkthyer Naim Kryeziu.

Poeti arbëresh Mario Belizzi në këtë numër prezantohet me disa poezi. 

Milazim Krasniqi në revistë paraqitet me dramën humoristike rreth aktualitetit tonë me titullin “Për çka kemi luftue”.

Në këtë numër mund të lexoni edhe intervistën e Sali Bashotës me Avni Spahiun.

Diplomati, publicisti, dhe përkthyesi letrar Spahiu në intervistë flet për përvojën e vet të gjatë në fushën e gazetarisë, diplomacisë e të përkthimit letrar.

Nga ky numër Avni Spahiu është kryeredaktor i revistës PEN Kosova.

Revistën financiarisht e ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Të ngjajshme