14 Gusht, 2020 - 5:34 pm
Nga: Arshi Pipa
Me përqafimin e njerëzimit, veprimi moral e ka kryer misionin e vet. Përtej kësaj pike ai nuk mund të shkojë. Në këtë drejtim, kufijtë janë mbyllur. Por, moraliteti nuk e shteron dinjitetin njerëzor. Dhe, kur njeriu pushon së vepruari, zbulon natyrën.
Ç’është natyra? Është mbretëria e ndjeshmërisë, është tërësia e gjithçkaje që është trup: është kafsha, bima, fushat e lumenjtë, pyjet e malet, e gjithë toka; por edhe qielli e yjet. A nuk është vetë njeriu një trup? A nuk i jeton ai, në vetë trupin e tij, aq të dashur për të, ngjarjet e vetë natyrës? Sapo të duket dallëndyshja e parë, ai do të hovi menjëherë nga gëzimi, një fije bari që mbin do ta mbushë me habi, furtuna e detit do t’ia trazojë shpirtin dhe perëndimi i qetë do t’i shkaktojë një melankoli të ëmbël e të vagët. Përpara natyrës njeriu zbulon botën e tij të ndjenjave, pra ndërgjegjen e menjëhershme të ndijimeve të tij: një gamë të ndryshueshme, të nuancuar, shumë të lëvizshme, të papërqendrueshme, që polarizohet në kënaqësi dhe vuajtje; e para rrit tonalitetet e të jetuarit, e dyta i dobëson ato.
Mirëpo, a s’ka qenë tashmë njeriu subjekt veprues në lidhje me natyrën? Po, por për të vepruar mbi të, domethënë për ta përdorur si një mjet për qëllimet e tij. Ai ka prerë pemën për të bërë dru, ka vrarë kafshën për t’u ushqyer me mishin e saj. Ka konsideruar çdo gjë që jeton, vetëm ne raport me të, gati sikur gjërat të ishin krijuar për përdorimin e tij ekskluziv: ka lënë pas dore të kërkuarit në to të një kuptimi të pavarur. Por, tashti që ai e sodit natyrën, kupton se ajo ka një vlerë të sajën: ai nuk mund të mos e vërejë këtë të vërtetë të thjeshtë, mjaft të dëgjojë atë që shfaqet në jetën e tij të ndjenjës. Pse shpirti i tij përmallohet thjesht duke soditur kafshët e bimët? Pse ai dashuron tek ata atë që është e bukur dhe urren atë që është e shëmtuar? A mund të ndiente ai kësisoj, sikur të mos e lidhte diçka me këto qenie, megjithëse të ndryshme me të? Nëse ato janë të ndryshme me të në disa drejtime, janë të ngjashme me të në disa të tjera: një Jetë e njëjtë rrjedh në të gjitha ato, një parim më i gjerë se mendimi, që përmbledh së bashku gjithçka që jeton. Kafsha dhe bima e shfaqin farefisninë e tyre, më shumë apo më pak të largët me njeriun, në jetën e bërë të ndërgjegjshme për vetveten, në formën e vet të drejtpërdrejtë të ndjenjës. Njeriu e ndien errtas që u detyrohet për diçka edhe atyre. Sigurisht, nuk është kjo ndjenja që kemi ndeshur në jetën morale: njeriu ka detyrim vetëm ndaj njerëzimit. Si subjekt moral, unë ndihem i detyruar të respektoj humanitetin e përbashkët që gjendet në çdo njeri. Si subjekt estetik, unë nuk ndiej detyrim ndaj asgjëje: ndihem vetëm i prirur të simpatizoj me jetën e çdo qenieje të gjallë. Vetëm solidariteti njerëzor është detyrë; solidariteti natyror është vetëm një nevojë sentimentale. Me anë të ndjenjës, më fort se me anë të arsyetimit, njeriu zbulon se ai është prodhim i evolucionit natyror, se kafsha e bima janë tashmë pjesë e tij, se një lidhje e pandashme e bashkon me ta dhe, nëpërmjet tyre, me natyrën e tërë.
Ndjenja e kulluar, pa problemet praktike, që na përshkon kur vihemi në pozicionin e spektatorit përpara natyrës, është ajo që quhet soditje. Derisa ne veprojmë, emocionet e shpirtit tonë janë pak a shumë të vrullshme. Këtu, përkundrazi, emocionet janë zbutur, nuk është më vala e shkumëzuar, është dridhja e saj. Kënaqësia këtu është e brishtë, fine, dhe po kështu është edhe dhimbja: gëzim në rastin e parë, melankoli në të dytin. Prandaj, gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë.
Cili është objekti i soditjes? Vetja ime, së pari, dhe pastaj të ngjashmit e mi; por edhe ata të ndryshmit, bimët e kafshët, gjithçka që jeton në përgjithësi. Pastaj edhe çka nuk jeton. Është kënaqësi të sodisësh kuqërrimin e agimit, pasqyrën e detit, llamburitjen e yjeve. Gjithçka që bie nën pushtetin e ndijimit mund të jetë objekt soditje dhe do të shkaktojë tek unë gëzim ose melankoli. Soditja është qëndrimi karakteristik i ndërgjegjes para ndjeshmërisë, është perceptimi që s’ka lidhje me një qëllim praktik, është perceptim i çinteresuar.
Nga qëndrimi soditës lind arti. Të ndiesh natyrën, të jetosh në komunikim me të, kjo nuk i mjafton njeriut. A nuk është dhe ai vetë natyrë në thellësinë e vet? Prandaj, ai do të shtyhet të imitojë atë që bën natyra, dhe jo vetëm ta imitojë, por ta vazhdojë e ta përkryejë: sepse ai është gjithnjë shpirt që qëndron mbi natyrën.
Çfarë bën natyra? Për të nuk mund të themi me të vërtetë se vepron, veprimi është aktivitet që zhvillohet kur ka qëllimshmëri, të cilat janë në përfytyrimin, në mendimin. Natyra nuk ka asnjë qëllimshmëri të vërtetë: çka jeton, kërkon vetëm të jetojë.
Natyra krijon: të krijuarit është forma e saj e veçantë e të vepruarit. Krijimi është, së fundi, organizimi i materies bruto në një individ nga ana e spontanitetit jetësor. Krijimi është formimi i formave, duke qenë se materia është një e dhënë fikse e një sasie energjie.
Forma individuale riprodhon formën e species. Individët janë vetëm variacione më shumë ose më pak të theksuara mbi temën e species. Dhe speciet janë ato që shkenca tashmë i ka klasifikuar. Natyra nuk ka pushuar së krijuari specie të reja: por ritmi i saj është ngadalësuar shumë në periudhën e tanishme, në krahasim me kohën kur specia nuk ishte fiksuar ende, kur nga njëra specie te tjetra tranzicioni ishte i vazhdueshëm e shumë i lëvizshëm. Pasi krijoi speciet e ndryshme të gjalla, Jeta duket sikur është lodhur, shterur. Tashti ajo kufizohet te rikrijimi i asaj që është krijuar më parë. Njësoj si artisti që ka shterur damarin e tij krijues dhe që në moshën e tij më të pjekur përsërit vetveten.
Por, evolucioni ka krijuar njeriun. Dhe ja, njeriu është spontaniteti që ka thyer rrethin. Përsa i përket njeriut, që është qenie shpirtërore, të krijuarit vazhdon: nuk është më përsëritja e asaj që është krijuar tashmë, është të krijuarit e formave gjithnjë e më të reja që pasurojnë jetën e shpirtit. Sigurisht, nuk është ai që do të krijojë forma të gjalla: njeriu s’është Zoti. Por ai mund të imitojë vazhdimin e jetës, duke i dhënë trajtë materies bruto. Mund të përvijojë linjat e lëvizjes së saj, duke i shoqëruar me një asortiment të pasur ngjyrash. Mund të bëjë më shumë: me anë të tingujve, mund t’ia japë vetë ritmin jetës, duke i kthyer modulimet e ndërgjegjes, dhe të asaj që qëndron poshtë saj, në melodi të ndjeshme. Mundet, më në fund, të përfaqësojë veprimin njerëzor në të gjithë varietetin e koklavitur të tij, duke e bërë të vetëdijshëm për veten me anë të lojës së ndjenjave dhe pasioneve.
Gjeniu artistik është shpirti që vepron si natyrë. Dhe ai është natyrë, sigurisht, përderisa i bën të vetat zhvillimet e saj. Por nuk është imitim vepra e tij, veçse pjesërisht. Madje, në pjesën më të madhe, është fryt i spontanitetit të vet. Duke e paraqitur natyrën, ai do ta transfigurojë, domethënë do ta ngrejë në dinjitet njerëzor. Bima që ai do të vizatojë, kafsha që ai do të plazmojë, do të jenë shprehje të përkryera të jetës, por do të jenë edhe diçka më tepër. Ai do t’u shtojë atyre diçka nga vetja…
…the gleam
The light that never was on sea or land
The consacration, and the Poet’s dream [1]
Nëse është e vërtetë se çdo gjë që jeton, dëshiron tejkalimin e vetvetes, duke pasur pothuajse një parandjenjë për formën superiore që është specia njerëzore, artisti do ta kapë këtë dëshirë dhe këtë përpjekje, duke theksuar në përfytyrimin e tij disa tipare, pikërisht ato që afrohen me të, si qenie shpirtërore që është. Kështu natyra, me anën e artistit, që e ka bërë si mish të vetin e si gjak të vetin, përmbush në një farë mënyre atë që vetë ajo s’ka mundur ta bëjë: lartësohet në njerëzoren.
Kjo kërkesë ideale është edhe më e theksuar kur objekti i paraqitur është vetë njeriu. Piktori që pikturon një fytyrë, nuk kënaqet duke shprehur mbi telajo fizionominë e saj si një barazim të përkryer: piktura nuk është fotografi. Ai do të kërkojë të verë në dukje disa tipare, me anë të të cilëve mund të shkëlqejë më mirë forma individuale, që të japë qartë, gati të prekshëm, atë spiritualitet të ngulitur në të. Nuk ka artist që ta gjejë natyrën përsosmërisht të përshtatshme me kërkesat e tij: edhe te një Helenë, ai do të dijë të dallojë një defekt të vogël. Kjo kërkesë e thellë e artistit për ta korrigjuar e përmirësuar natyrën, është në fund të fundit një kërkesë morale. Është shpirti që e modelon natyrën sipas vetes, prejse e gjen të papërshtatshme, është tejkalimi i reales dhe pajtimi me idealen që është tek ai. Dhe, po të ndodhë ndonjëherë, shumë rrallë, që artisti të arrijë të marrë një qëndrim gati armiqësor ndaj natyrës (Leopardi, Vigny), le ta kuptojmë këtë si shenjë që ka një domethënieje më të lartë: nga dashuria e tepërt, e urrejmë, sepse ajo nuk i përgjigjet idealit tonë, idealit që krijojmë ne për të.
Arti arrin kështu, megjithëse me anë të ndjenjës, atë formë të veçantë universaliteti, që është e bukura artistike, superiore ndaj së bukurës natyrore. Ky është një universalitet më i gjerë se ai i arsyes, megjithëse ky i fundit më i stërholluar. Universaliteti i arsyes imponohet me detyrim; ai i ndjenjës vetëm sipas shijes: presupozon larushinë e temperamentit dhe të humorit, që e kushtëzojnë shijen. Çdokush do të jetë i prirur për ta quajtur të bukur atë që i pëlqen atij vetë. Por, nuk ndodh rrallë – dhe kjo ndodh më shumë për të bukurën natyrore, sesa për të bukurën artistike – që një lloj i së bukurës u pëlqen pothuajse të gjithëve. Dhe është ndoshta kjo arsyeja që shpjegon se përse arti klasik është më universal: sepse, nëse nga njëra anë u jep kënaqësi kërkesave ideale të njeriut, nga ana tjetër ai është më afër natyrës se çdo art tjetër.
Jo të gjithë njerëzit janë të gatshëm ta pranojnë të mirën me ndërmjetësinë e së cilës vepron arsyeja: për faktin e thjeshtë se ata nuk arsyetojnë gjithmonë. Por ata do të jenë gjithmonë të gatshëm ta pranojnë të bukurën, t’i bëjnë jehonë të menjëhershme, sepse është e bukura që e bën jetën, madje të gjithë natyrën, që u flet dhe i thërret, e ata s’mund të qëndrojnë të shurdhër ndaj thirrjes së jetës, sepse janë të gjallë.
Nga të gjitha aktivitetet shpirtërore, Arti është ai më i afërti me jetën, është më i përshtatshmi, pra, që t’ia zbulojë kësaj kuptimin. Dhe ja përse: derisa jeta vazhdon të jetë një sinol i trupit dhe i shpirtit, kulti i së bukurës do të përbëjë gëzimin më të lartë të njerëzimit, kurse priftërinjtë e saj, artistët, do të rrethohen nga dashuria e përgjithshme.
E mundur gati gjithmonë në planin etik, natyra e kërkon shpagimin e të drejtave të saj në planin estetik. Në planin etik shpirti e trupi rrallë ishin dakord: dhe duhej që ligji moral ta bindte natyrën kundërshtuese, kokëfortë, duke e shtypur dhe ndëshkuar: si një kalorës të cilit i duhet ta zbusë një kalë të egër, para se të mund ta përdorë. Në planin estetik, përkundrazi, ata janë aleatë. Atje ishte natyra që ngrihej në dinjitet të shpirtit, këtu është shpirti që tkurret duke u ribërë natyrë. Dhe ja, të dy shkojnë tashti si miq të mirë. Por duhej që shpirti ta zbuste më parë natyrën, duhej ta mundte, ta fitonte këtë Brunhilde, këtë Circe, duke rrezikuar të përçudnohej, të humbiste. Nga superiorja tek inferiorja: kjo është rruga e drejtë në selinë shpirtërore të vlerave. Me anë të natyrës, nuk do ta arrijmë kurrë shpirtin: përpjekjet e kota të natyralizmit janë provë e mjaftueshme. Duhet të nisemi nga subjekti – çdo nisje tjetër është e dënuar të mos ketë sukses – nga subjekti që vepron si sintezë e shpirtit dhe e natyrës, për të ndjekur zhvillimin e veprimit deri në maksimalen e shtrirjes dhe të vlerës së tij. Dhe, vetëm pasi të ketë arritur në këtë pikë, vlen të tërhiqet në vetvete, për të zbuluar një formë tjetër spiritualiteti, që të jetë si një vazhdim i tij. Në këtë kuptim, arti është plotësuesi i nevojshëm i moralit. Aty ku mbaron zotërimi i veprimit, aty fillon fuqia e krijimit.
Kështu, me anën e artit ne depërtojmë në zotërimin e gjerë të jetës, ku njeriu s’është veçse një specie mes specieve të tjera. Me anë të artit kemi kërkuar të gjejmë kuptimin e jetës në përgjithësi. Pengesat janë hapur në këtë anë: kemi provuar se jeta është një parim më përfshirës sesa arsyeja. Nëse kemi humbur në intensitet, kemi fituar në shtrirje. Arti plotëson moralitetin me atë që i mungon, një parfum thjeshtësie dhe natyrshmërie, një frymë që e bën fërgëlluese atë që është shumë e ngurtë dhe e rreptë në jetën morale. Natyralizmi, i mundur në planin etik, është plotësisht i justifikuar në art. E kundërshtuam më parë si të pamjaftueshëm dhe të papërshtatshëm. Por, tashti që kemi mësuar të zbulojmë me anën e artit një formë solidariteti më të gjerë, le të ndjekim rrymën natyraliste dhe të përpiqemi të kapim të vërtetat e saj. /Telegrafi /KultPlus.com
[1] Wordsworth: “…shkëlqimin / Dritën që s’qe kurrë në tokë as në det / Shenjtërimin dhe ëndrrën e Poetit.”