Don Kishoti dhe mullijt e erës

22 Prill, 2021 - 11:55 pm

Fragment nga romani i Miguel de Servantesit ”Don Kishoti i Mançës”

Atje sipër, në një pllajë, ishin të shpërndarë tridhjet apo dyzet mullij me erë. Sapo i vuri re, Don Kishoti u kthye nga shërbëtori i tij dhe i tha:
– Fati po na ndihmon që të kryejmë punët tona më mirë se çdo ta dëshironim, sepse, ja miku im Sanço Pança, ku po na shfaqen përpara nja tridhjet apo pak më shumë gjigantë të shpërmasuar, me të cilët do të ndeshemi në një luftë të vërtetë, për t’i shërbyer perëndisë, duke shfarosur nga faqja e tokës këtë farë të keqe.

– Ç’gjigantë, mor zotëri? – pyet Sanço.
– Ata që shihen atje, larg, me gjymtyrë mjaft të gjata – e sqaron i zoti.
– Mor zotëri, ato që duken atje larg, nuk janë gjigantë, por mullij ere dhe ato që duken si duar, janë në fakt, krahët që duke u rrotulluar nga era, vënë në lëvizje gurët e mullirit.
– Siç po duket – përgjigjet Don Kishoti – ti nuk je shumë i dhënë pas aventurës: ata janë gjigantë, dhe nëse ti ke frikë mund dhe të tërhiqesh mënjanë e të fshihesh, ndërkohë që unë do të përfshihem në një betejë të furishme dhe të pabarabartë me ta.
Dhe, sapo tha këto fjalë, ai goditi me mamuze kalin e tij, Rosinantin, pa dëgjuar fare thirrjet e dëshpëruara të shërbëtorit të tij, Sanços, që përsëriste pa pushim se ato gjëra që ai po sulmonte, pa më të voglin dyshim ishin thjesht mullij me erë dhe jo gjigantë. Por ai ishte aq i thithur nga ideja se ata ishin gjigantë, saqë jo vetëm nuk dëgjonte më thirrjet e Sanços, por as nuk e pastroi më shikimin dhe kur ishte fare pranë tyre, por përkundrazi po ulëriste:
– Mos ja mbathni o frikacakë, o krijesa të poshtra, sepse ai që po ju sulmon është thjesht një kalorës i vetmuar.

Në këtë kohë filloi të fryjë pak erë dhe krahët e mëdhenj të mullijve filluan të rrotulloheshin ngadalë. Duke parë një gjë të tillë Don Kishoti thirri:
– Ju mund të lëvizni edhe më shumë krahë se ai gjiganti njëqindkrahësh (Briarée), por ju do të paguani për këtë.
Dhe duke thënë këto fjalë, e gjithë qenia e tij u pushtua nga kujtimi për damën e tij, Dulqinën, me dëshirën-kërkesë për t’i qenë pranë si shpëtimtare ndaj këtij rreziku të madh. Dhe, duke u mbuluar me mburojë dhe me ushtën gati për luftim, ai u turr përpara me një galop të Rosinantit, për të arritur tek mulliri i parë, në njërin krah të të cilit nguli shtizën e tij. Por në këtë kohë era filloi të fryjë me aq forcë, sa që e bëri ushtën copë-copë, duke përplasur përtokë dhe kalorësin e kalin e tij.
Sanço Pança, i shushatur mbi gomar, shpejtoi për të ndihmuar të zotin dhe kur ishte pranë tij, konstatoi se goditja kishte qenë aq e fortë sa zotëria akoma nuk po arrinte të lëvizte.

– Më ndihmoftë perëndia – tha Sanço – a nuk ju thashë që të kishit mendjen në atë që po bënit, sepse që ata nuk ishin veçse mullij me erë, asnjeri nuk mund ta mohojë, me përjashtim të atij që në kokë i fryn erë tjetër.
– Hesht, miku im Sanço – u përgjigj Don Kishoti – objektet e luftës janë shpesh sende në një shndërrim të vazhdueshëm. Prandaj, unë mendoj, madje kjo është vetë e vërteta, që ai dijetari Freston, që më vodhi kabinetin dhe librat e mi, i transformoi ato gjigantë në mullij, për të më hequr nga dora lavdinë, pas një fitoreje të sigurtë. E tillë është dhe armiqësia e tij e madhe ndaj meje. Por, në fund të fundit, këto marifete të ndyra nuk mund të triumfojnë kundër mirësisë së shpatës sime.
– Perëndia bëftë për ne sa mundet – u përgjigj Sanço Pança dhe e ndihmoi atë t’i hypte Rosinantit që ishte dhe ai i përplasur përdhe… / KultPlus.com

Të ngjajshme