Jusuf Osmani boton shtatë vëllime për sagën e muhaxhirëve

5 Nëntor, 2021 - 9:00 am

Dr Jusuf Osmani, i doktoruar në fushën e arkivistikës në Lubjanë, hulumtues, ligjërues, ish drejtor i Arkivit të Prishtinës dhe të Kosovës, është autor i shumë librave mongrafikë, shkencorë, publicistikë dhe dokumenutues.

Kwto ditw, dr. Osmani, botoi projektin e tij jetësor. Shtatë vëllimet krijojnë identitetin shkencor, në një libër, që mund të përmblidhet në titullin: Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit: Muhaxhirët të shpërndarë, nisur nga Kosova e deri në Siri. Studiuesi Osmani ka strukturuar tematikat në shtatë libra: 1. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët 2. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit, Vendbanimet në Kazatë: Kurshumli dhe Prokuple 3. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit, Vendbanimet në Kazatë: Vranjë, Nish, Pirot dhe Tërn 4. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit –  Vendbanimet në Kazanë e Leskovcit 5. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët, Shpërngulja dhe vendosja në Kosovë 6. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët, Shpërngulja në Turqi dhe në vende arabe dhe 7. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit, Shpërngulja dhe vendosja në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Shqipëri. Studiuesi Osmani ka shfrytëzuar burime primare dhe sekondare arkivistike dhe bibliografike. Punë në terren. Është hulumtim mbi 50 vjet i autorit që ka vjelur burime nga  fondet e koleksioneve në 12 arkiva të njohura vendore dhe ndërkombëtare, që nga Londra, Ankaraja, Podgorica, Shkupi e deri te ai i Tiranës.

Noel Malalcolm, recensent: Përgjatë shumë dekadave, Jusuf Osmani ka mbledhur informacione në lidhje me popullatën shqiptare e cila dikur jetonte në Sanxhakun e Nishit – tani një zonë e gjerë e Serbisë së Jugut. Dëbimi i këtyre njerëzve në fund të shekullit të 19-të, që shkaktoi vdekjen e shumë njerëzve dhe zhvendosjen e të mbijetuarve, është një episod tragjik në historinë moderne të Ballkanit dhe fakti që është lënë pas dore nga vetë studimet historike është një padrejtësi historiografike. Informacionet e shumta të mbledhura këtu do të ndihmojnë për të korrigjuar atë padrejtësi. Gjithashtu, do të zgjerojë njohuritë tona për disa nga episodet më të errëta në historinë e marrëdhënieve serbo-shqiptare.

Ibrahim Berisha, redaktor i këtyre botimeve, vlerëson se Librat janë ndërtuar duke ndërlidhur dokumente, dëshmi, rrëfime dhe referenca të verifikueshme dhe kompetente literature të shumëdorshme, duke dhënë të vërteta voluminoze gjeografike, urbane e rurale, demografike, humane-sociale, pronësore-ekonomike, diplomatike, statistikore, kulturore, etnografike, etnologjike, memorizuese etj. Prandaj, botimi i këtyre librave është një sagë e pakrijuar deri tani për një kohë dhe një histori që prodhoi vuajtje e dhimbje të mëdha individuale, kolektive e kombëtare, të cilat edhe sot e kësaj dite janë të pranishme.

Të gjithë librat bëjnë një libër të plotë, madje, është e veçantë se të gjithë librat e botuar deri tani bashkë të Dr. Jusuf Osmanit, e bëjnë një libër të plotë, pasi ata i shquajnë rezultate referuese dokumentare e shkencore, të cilët, pavarësisht nga koha, nuk humbin dhe do të lexohen edhe të pjesshëm, duke mos humbur peshën e kompetencës dhe të vlerës intelektuale e shkencore.

Ndërsa studiuesi Ilaz Rexha, shkruan në vlerësimin e tij se librat në fjalë e plotësojnë një zbrazëti të madhe të këtyre ngjarjeve të rëndësishme në historiografinë shqiptare, që ende kanë mbetur të errëta dhe  të pazbardhura plotësisht, meqë dokumentet sekrete të operacioneve ushtarake serbe gjatë viteve 1876-1878, për çështjen e spastrimit etnik të popullsisë shqiptare nga Sanxhaku i Nishit, nuk u lejohet të huajve t’i shfrytëzojnë. Botimi i tyre ka për qëllim t’u shërbejë studiuesve të rinj, i cili mund të jetë edhe si pikë referimi për thellimin e hulumtimeve dhe të studimeve të mëtejshme e më gjithëpërfshirëse që do të merren me trajtimin e problematikës dhe çështjes së dëbimit të popullsisë shqiptare nga Sanxhaku i Nishit dhe më gjerë. /KultPlus.com    

   

       

Të ngjajshme