12 Janar, 2025 - 9:00 am
Shtëpia botuese prestigjioze “Springer“ ka botuar në gjuhën angleze librin “Surgical Decision Making”, të autorit të njohur nga fusha e kirurgjisë Prof. Dr. Rifat Latifi, i cili me përvojën e tij të pasur dhe me ndikimin e tij profesional dhe akademik, që ka lënë gjurmë të pashlyera në analet e kirurgjisë globale, këtë libër e sjell për të gjithë adhuruesit, ekspertët, studiuesit e shumtë kudo në botë, si një sihariq për këtë fillim vit.
Profesor, Rifat Latifi tashmë konsiderohet si një ekspert me nam në arenën ndërkombëtare dhe çdo prezantim i tij shkencor e studimor, pritet me kënaqësi nga publiku dhe jo vetëm.
Ndryshe lajmin për botimin e librit e ka bërë të ditur vet autori profesor Latifi përmes një postimi në rrjetin social “Linkedin” i cili botimin e këtij libri e konsideron edhe një prej librave më të preferuar.
Më poshtë, KultPlus e sjell të plotë njoftimin e Dr. Rifat Latifit
“Me kënaqësi njoftoj se edicioni i ri i një prej librave të mi të preferuar që kam shkruar/redaktuar është publikuar dhe do të jetë i disponueshëm më 24 janar 2025: – Surgical Decision Making .Marrja e Vendimeve Kirurgjikale“ Ky edicion i rishikuar dhe i zgjeruar trajton vendimmarrjen kirurgjikale në procedura të ndërlikuara kirurgjikale, duke përfshirë marrjen e vendimeve të vështira, ndërgjegjësimin e vazhdueshëm mbi gjendjen fiziologjike të pacientit, profilin biokimik, rikuperimin me parametra përfundimtarë dhe gjendjen fiziologjike të vetë kirurgut. Diskutohen gjithashtu vendime specifike kirurgjikale, si kur duhet ndërhyrë dhe kur jo, ri-operacionet dhe operacionet në kushte dhe grup mosha të caktuara. Ky edicion i ri adreson këto dhe elementë të tjerë që janë të rëndësishëm për procesin e vendimmarrjes intraoperative dhe perioperative, duke përfshirë pyetje bazë që nuk janë trajtuar siç duhet në literaturë. Shumë prej nesh marrim vendime bazuar në prova aktuale, por shpesh ato bazohen në “ndjenjën e brendshme”, “intuitë” apo “efektin e flokëve të thinjur,” ndër teknika të tjera. Në këtë libër, anatomia e këtyre vendimeve eksplorohet nga një këndvështrim teorik si dhe përmes të dhënave objektive që ne si kirurgë përdorim për të marrë vendime kirurgjikale. Askund tjetër, çështja e si marrim një vendim – shpesh me një sasi shumë të kufizuar të dhënash, vendime që vendosin mes jetës dhe vdekjes së dikujt – nuk është më e dukshme se në kirurgjinë e traumës dhe në operacionet komplekse, përfshirë kthimin e paparashikuar në sallën operatore. Përvoja jonë kolektive si kirurgë tregon se një kombinim faktorësh kontribuojnë në procesin tonë të vendimmarrjes perioperative dhe intraoperative, përfshirë arsimin, njohuritë klinike, mentorimin, si dhe kreativitetin dhe ekselencën që vijnë me praktikën e gjatë dhe disiplinën e rreptë. Edicioni i dytë i Surgical Decision-Making: Evidence and Beyond ofron një burim të veçantë dhe të vlefshëm në fushën e kirurgjisë për kirurgët që janë aktualisht në trajnim dhe për ata që tashmë ushtrojnë kirurgjinë në nivel akademik apo në komunitet.
Ndërkohë, për botën akademike shqiptare në fushën mjekësore – kirurgjikale vlerësohet se ky libër ka një vlerë të jashtëzakonshme./ KultPlus.com