23 Shtator, 2021 - 9:58 am
Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës vijon puna për rijetësimin e shtëpisë së shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri të ditur se “po rijetësojmë shtëpinë e gjeniut të letrave, Ismail Kadare, në Gjirokastër, për ta kthyer në një nga ndalesat më domethënëse të qytetit të gurtë”.
Shtëpia e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare është kthyer në muze. Në këtë shtëpi lindi dhe kaloi fëmijërinë e tij Kadare. Shtëpia duket e njohur për ata që kanë lexuar librin e tij “Kronikë në gur” ku ai përshkruan çdo qoshe të shtëpisë. Shtëpia u ndërtua në 1799, dhe është shpallur monument kulture në 1991.
Shtëpia muze e Kadaresë është hapur për publikun në 28 janar 2018 me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Kadaresë. Shtëpia e Kadaresë është në mes të lagjes historike Palorto dhe gjendet lehtë. Brenda saj ka ende disa objekte origjinale që i përkasin familjes si psh një sënduk, disa foto etj.
Nga trajtimi arkitektonik, banesa është cilësuar si një ndër më të arrirat dhe në pozicionin më dominues, përkrah edhe mjaft objekteve të tjera me vlerë. /atsh/ KultPlus.com