20 Korrik, 2018 - 11:04 am
Në një intervistë të vitit 1996, pyetjes së gazetarit: “Ju lutem një barcoletë, por një barcoletë që disi i bashkon shqiptarët?”, shkrimtari Dritëro Agolli i përgjigjet me shumë humor:
“Barcoletat janë si poezia. Ato nuk tregohen, kur kërkohen. Të thuash trego një barcoletë është njëlloj si të thuash: bëj një poezi. Madje unë deri tash barcoleta kam treguar, megjithëse jam pa dhëmbë. Kur shkova para nja dy vjetësh tek dentisti të hiqja një dhëmb , e pyeta:” në cilën parti je?” Ai më vështroi dhe më tha se pse e pyesja .
“Pyes , i thashë, se ju mjekët aq jeni politizuar , sa mund të politizoni edhe këtë dhëmbin, më shkulni bashkë me dhëmbin edhe nofullën për të më rinovuar”. Ai qeshi dhe u kënaq se ishte i Partisë Demokratike. Ishte burrë i mirë dhe nuk më mori asnjë lek . Kur ika , i thashë:” Dhëmbët janë proletarët e gojës. Këta proletarë u lodhën dhe unë nuk kam fuqi t’i udhëheq më tutje”.
Dentisti qeshi përsëri dhe ne u bëmë miq.”