1 Maj, 2018 - 6:30 pm
Dritëro Agollin vazhdojnë ta mbajnë gjallë fjalët e letrat e shumta që ai i ka shkruar sa ishte gjallë. Gati një vit pa praninë e tij fizike por prania e tij artistike vetëm se fuqizohet edhe më shumë.
Elona Agolli, e bija e poetit e shkrimtarit të madh, po thuajse çdo ditë kujton diçka nga letrat, bisedat, intervistat e shkrimet e tij, shkruan KultPlus.
Derisa një gazetar e kishte pyetur për ndërlidhjet e forta mes nocionit të Tokës dhe Gruas, Dritëro Agolli i kishte dhënë këtë përgjigje:
“Toka është e bukur. Ajo pjell gjithmonë , ku një herë në vit e ku dy herë. Pjell bukën që të mban në këmbë , pjell rrushin që t’i lëkund këmbët. Ajo është plot me plantacione të begata. Po pak plantacione të begata ka gruaja? Kodra, lugina, lule…
Edhe gruaja të deh e t’i lëkund këmbët. Lind si toka. Toka dhe gruaja kërkojnë mbrojtje ndaj pushtuesit. Prandaj unë them në një poemë :”Për gruan dhe tokën lë kokën”./ KultPlus.com