14 Tetor, 2018 - 6:00 pm
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi mori pjesë në festën e 87-vjetorit të ditëlindjes së shkrimtarit të shquar të letrave shqipe, Dritëro Agollit, që u zhvillua në Menkulas të Devollit.
Me ftesë të Bashkisë së Devollit dhe Shoqatës “Devolli”, në vendlindjen e Dritëroit, Menkulas, u organizua një festë e bukur në nderim të këtij patriarku të kulturës shqiptare, në 13 tetor, ditën e tij të lindjes. Në këtë aktivitet ishin edhe deputetët Spartak Braho, Edlira Bode, Ilir Xhakolli, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane Haxhi Baba Edmond Brahimaj dhe personalitete të tjerë.
Festa filloi me këngët më të dashura të Dritëroit, ato që dëgjonte e këndonte me miqtë si dhe me këngë kushtuar poetit të madh nga artistët e zonës. Vajza e djem të zonës recituan poezi të Dritëroit dhe kërcyen valle tradicionale të Devollit.
Në përshëndetjen e tij, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, shprehu vlerësimet, ndjenjat dhe nderimin e thellë për veprën letrare, kontributin shoqëror e politik dhe përmasat e pakrahasueshme njerëzore të Dritëro Agollit, mikut, kolegut dhe shkrimtarit, kaq shumë të admiruar.
“Kam shkuar nëpër mend shumë vlerësime, por të gjitha më janë dukur të varfra para pasurisë së Dritëroit. Janë të vakëta, para furisë së pasionit dhe të cekëta para thellësisë së mendimit të tij. Tingëllojnë prozaike dhe rutinore, krahasuar me poetikën dhe talentin e tij. Dritëroi është ndër diamantet e letërsisë, kulturës dhe të botëve shqiptare të të gjitha kohrave. Dritëroi u bë shenjt i botës së letrave shqipe. Dritëroi është borizani që u priu socialistëve shqiptare drejt shndërrimit në një forcë politike e demokratike të majtë dhe i inspiroi atë të bëhen partia më progresiste e vendit. Dritëro Agolli është njeriu i madh që mbeti i drejtë, kur rrethohej nga padrejtësitë, i vërtetë përballë gënjeshtrës, i mirë përballë të keqes.”, u shpreh Ruçi.
Aktiviteti vazhdoi me mozaik urimesh në vargje, këngë e valle nga grupi i serenatave të Bilishtit dhe nxënës të shkollës “Dritëro Agolli”.
Elona Agolli, vajza e shkrimtarit te shquar, shprehu mirënjohjen për të gjithë dashamirësit dhe miqtë e Dritëroit dhe falënderoi organizatorët e kësaj feste të bukur./ata