11 Shkurt, 2019 - 11:46 pm
Charles Baudelaire – Dehuni
Duhet të jesh i dehur gjithnjë. Kjo është e gjitha; zgjidhje tjetër s’ka. Që të mos ndjesh barrën e tmerrshme të kohës që shpinën ta thyen dhe përtokë të lëshon, duhet te jesh i dehur vazhdimisht.
Me se? Me verë, poezi, a virtyt, a ç’të duash. Vetëm dehu.
Dhe nëse ndonjëherë, në shkallët e pallatit zgjohesh, në barin e gjelbër të një hendeku, në vetminë pikëlluese të dhomës tënde, pija të ka dalë, e dehja të ka lënë, pyet erën, valën, yllin, zogun, orën, çdo gjë që fluturon, çdo gjë që rënkon, çdo gjë që rrotullohet, çdo gjë që këndon, çdo gjë që flet…
pyet ç’orë është; dhe era, vala, ylli, zogu, ora, do të përgjigjet: është koha për t’u dehur! Mos u bëj skllav martir i kohës, dehu, dehu papushim! Me verë, poezi, virtyt, a ç’të duash!/filozofia.al