26 Korrik, 2023 - 12:19 pm
Të enjten, më 27 korrik, në orën 19:00, shtëpia botuese “Dukagjini” organizon promovimin e librit “Dashuri dhe Pedagogji” të Miguel de Unamunos dhe, njëkohësisht, hap siparin e kolanës më të re të kësaj shtëpie botuese, “Effugium”, kolanë kjo e mbështetur nga Creative Europe.
“Dukagjini”, shtëpia e parë botuese në Kosovë e cila bëhet pjesë e këtij programi evropian, do të vijojë edhe me botimin e dhjetë librave të tjerë, pra në kuadër të kësaj kolane.
“Dashuri dhe Pedagogji” është një libër për dashurinë, shkencën, filozofinë, besimin, e shumë tema të tjera që e prekin qenien njerëzore në thelbin e saj; një libër që tragjiken dhe komiken i shkrin në një dhe e zhvesh njeriun përballë natyrës, brenda të cilit koekzistojnë e Arsyeshmja dhe Emocionalja.
Për librin do të flasin shkrimtari Gëzim Aliu dhe përkthyesja e librit, Orjela Stafasani, ndërsa do të lexohen edhe fragmente shumë interesante për diskutim, nga shkrimtari dhe aktori Shpëtim Selmani. ️
“E gjithë kjo botë dhe të gjitha historitë e saj do të zhduken dhe emri i Herostratit do të fshihet dhe askush nuk do ta dijë se kush qe Homeri, Napoleoni a Krishti… Të jetosh disa ditë, disa vjet, disa shekuj, disa mijëra shekuj, çfarë rëndësie ka? Meqë nuk besojmë në pavdekësinë e shpirtit, ëndërrojmë të lëmë një emër, të flitet për të, të jetojmë në kujtimet e të tjerëve. Jetë e mjerë!” (Fragment nga libri në fjalë)./ KultPlus.com