21 Mars, 2018 - 2:30 pm
Alberina Haxhijaj
Dita Botërore e Poezisë është shënuar sot në Fakultetin e Filologjisë. Aty studentët e Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në bashkëpunim me mësimdhënësit e tyre shënuan këtë ditë duke kujtuar njëkohësisht edhe poetin, studiuesin dhe profesorin Basri Çapriqi. Kështu para të pranishmëve erdhën disa nga poezitë më të bukura të poetit por njëkohësisht edhe krijime poetike të studentëve, shkruan KultPlus.
Pikërisht Shefi i Degës së Letërsisë Shqipe, Osman Gashi, e cilësoi poetin si shumë të veçantë dhe të denjë për t’u kujtuar në këtë ditë të rëndësishme të poezisë.
“Kemi vendosur që këtë ditë të ia kushtojmë krijuesit tonë të veçantë i cili ndërroi jetë para dy muajsh. Një organizim i tillë modest me krijime të zgjedhura të kolegut dhe profesorit tonë besoj që pajtohen të gjithë se është i qëlluar. Poezia e tij është e stërmbushur me figuracion, vlon nga fryma e ballafaqimit me të keqën me anën e errët të botës. Ai është poet në tërë kuptimin e fjalës”, tha ai duke shtuar se organizime të tilla do të bëhen edhe në të ardhmen.
Në anën tjetër Prodekani i Fakultetit të Filologjisë, Nysret Krasniqi lexoi një pjesë nga punimi i tij “Udha e figurimit poetik të Basri Çapriqi”, kushtuar poetit.
“Në vitin 2016 botova një libër për letërsinë e Kosovës dhe në momentin e botimit e shkrova një meditim ku thashë se librin e kam menduar dhe shkruar për autorët e këtij vendi. Kurse një pjesë që do e lexojë këtu është pjesë e një punimi më të madh për profesorin Basri Çapriqi”, u shpreh ai duke shpalosur para të pranishmëve disa nga veprat e poetit dhe analizën të cilën ai ua kishte bërë.
“Basri Çapriqi ndërton diskurs poeti të përbërë nga brikolazhi i figurave letrare, ambientale, figurave të krijuara nga loja stilistike me gjuhën dhe simbolin, me synim e krijimit të një tipi të poezisë e cila duke jetësuar reflektimin të ikën nga kuptimet tradicionale poetike. Kështu që më shumë kemi të bëjmë me hetimin e një fryme poetike sesa të një kërkimi të domethënieve të saj duke e bërë Çapriqi mik letrarë me Eqrem Bashën dhe me ndër-ndikime edhe me Ali Podrimën”, pohoi ai duke shtuar se kur vrojtojmë lakoren poetike të këtij autori në kohën e shfaqjes së tij dhe në kuadër të letërsisë shqipe në Kosovë vërejmë tri orientimet kryesore të tij: simbolin, ironinë dhe lojën.
Profesori dhe poeti Sali Bashota që ishte edhe mik shumë i mirë i poetit si dhe poetja Serafina Lajçi zgjodhën disa nga perlat që poeti i ka lënë pas. Poezitë si: “Përthyerja e zjarrit”, “Kitara”, “Pasqyra”, pastaj poezitë si ajo kushtuar Ali Podrimës u interpretuan para të pranishmëve nga studentët Maura Nuhiu, Flamur Foniqi, Eduarte Kafexholli, Ardit Mehmetaj, Jehona Gashi dhe Ardian Mezini.
Kurse dy studentet, Almira Gashi dhe Filloreta Jusufi sollën nga një poezi të cilën ia kishin kushtuar poetit Basri Çapriqi. Pjesa e dytë vazhdoi me krijues të rinj të cilët paraqiten krijimet e tyre. Krijimet e tyre i interpretuan para të pranishmëve Shqipnora Dauti, Endrite Imri, Donart Rexhbogaj, Elife Shabani, Festinë Hamiti, Xhemile Hysenaj dhe Bujar Meholli.
Kjo mesditë poetike u mbyllë me poezinë “Dritaren lëre hapur” të vetë poetit Çapriqi, lexuar nga Mirjeta Sadiku duke besuar në pavdekshmërinë e fjalës së tij poetike./ KultPlus.com