11 Mars, 2020 - 2:01 pm
Bujar Meholli
Shkrimtarët nuk vdesin, ata mbesin të përjetshëm me veprat e tyre për të qenë udhërrëfyes të brezave të rinj, shkruan KultPlus.
Musa Ramadani ishte nga ata shkrimtar që arritën të përjetësohen në art. Ai futi për herë të parë poezinë eksperimentale, duke u motivuar nga postmodernizmi që në vendin tonë ishte ende i panjohur. Kjo lloj poezie ishte konkrete dhe e ikonizuar me shkronja, duke krijuar formën e saj.
Krijimtaria e Ramadanit është e pasur në shumë gjini, duke përfshirë poezinë, romanin, dramën, kritikën, publicistikën e humoreskat që i bënte në periodikët e kohës.
Ikja e tij la të pikëlluar shumë personalitetet të kulturës, të cilët u mblodhën sot për t’i bërë homazhet në nder të tij si dhe për ta mbajtur mbledhjen përkujtimore në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me çka iu dha lamtumira e fundit këtij kolosi të letrave shqipe, i cili tashmë është përjetësuar në art dhe do të jetë objekt për studiuesit e vjetër dhe të rinj.
Personalitetet të shumta nga bota e artit dhe kulturës u drejtuan kah holli i Teatrit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit këtij njeriu që iu përkushtua artit me gjithë qenien.
Akademiku dhe profesori i letërsisë Sabri Hamiti, bëri një rikapitulim të biografisë dhe veprës së Musa Ramadanit gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje, ai çmoi lart individualitetin e tij si dhe veprimtarinë letrare.
“Musa Ramadani kulturalisht mund të cilësohet si autor i Rilindjes, më pastaj rrezatimi i tij si njeri dhe shkrimtar zgjerohet në botën letrare shqiptare. Arti letrar dhe talenti i tij është provuar në një kryqëzim të letërsisë me muzikën dhe artet pamore”, theksoi Hamiti.
“Vepra e tij letrare në tërësinë e saj shfaq një botë individuale që trupëzohet me stilin e tij origjinal. Kjo duket në poezi, që në librin e parë ‘Mëkatet e Adamit’deri në librin e fundit ‘Mëkatet e Havës’ duke rrokur çështjen e njerëzimit nga filli deri në zbërthimet moderne duke kërkuar në përballjet mitologjike bashkëkohore duke kërkuar figurën e vet letrare. Ky është një rebelim tematik i sojit të vet i shfaqur si refuzim i klisheve pararendëse në gjirin e poezisë shqipe”, tha tutje ai.
“Në prozën romansore të tij, Musa Ramadani është në kërkim të formës së romanit në nivelin struktural dhe në nivelin e artikulimit artistik ku kryqëzohen nivelet stilistike të poezisë dhe dramës. Pra, në fillim është vetja e gjetur në art kurse në fund është riprovimi i gjetjes së vetes”, u shpreh Akademik Hamiti.
Se Musa Ramadani është një emër që do t’i frymëzojë brezat e ardhshëm e tha edhe Ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi, e cila para të pranishmëve e ngriti lartë figurën e shkrimtarit Ramadani.
“Musa Ramadani ishte shkrimtar i madh dhe stilist i shkëlqyer, i cili i ka dhënë jetë kulturës së Kosovës. Ai krijoi shumë vepra të bukura letrare në shumë gjini duke ngrohur zemrat e lexuesve shqiptarë. Sot pa të, fjala shqipe është më e varfër, Prishtina më pak humane kurse komuniteti i letërsisë ndihet i pikëlluar nga ikja e tij”, tha ajo.
“Ramadani u përfshi në shumë antologji gjë që dëshmon peshën e veprimtarisë së tij. Sot kur po ndahemi fizikisht prej tij, fillon jetën e përjetshme vepra e tij letrare”, theksoi tutje Dumoshi duke treguar se Minstria e Kulturës do ta vlerësojë veprimtarinë e tij të cilën ajo e cilësoi si trashëgimi e pasur e historisë moderne të Kosovës.
Edhe studiuesi Agron Gashi zgjodhi fjalët më të mira për Ramadanin, të cilin e quajti artist të madh, të veçantë dhe mjeshtër të rrëfimit.
“Ai ishte dhe mbeti konsistent në veprime dhe i begatë në shkrime. E krahasuan me Kafkën dhe Borhesin, Xhojsin e Buxatin. Musa Ramadani jetën e bëri art, dashurinë dhe dhimbjen letërsi, ai ishte sharmi dhe eleganca e këtij brezi, duke qenë unik në kulturë dhe komunikim, dhe në artikulimin e ideve kërkues dhe eksperimentues i madh. Përgjithmonë i hapur ndaj frymës letrare evropiane”, tha Gashi.
“Letërsi, ngushëllime! Humbe njërin nga doajenët e fundit të letërsisë, njërin nga besnikët më të mëdhenj të artit”, u shpreh në fund të kësaj mbledhjeje e bija e Ramadanit, Arbnora Ramadani-Dragaj.
Ramadani do të mbetet padyshim përherë një emër i veçantë në fushën e letërsisë tonë, dhe veprimtaria e tij e pasur artistike do të jetë çdoherë në interesin e njerëzve të letërsisë dhe artit në përgjithësi. /KultPlus.com