15 Nëntor, 2017 - 12:55 pm
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Anton Pashku, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, zhvilluan dje në mjediset e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë edicionin e dytë të Konferencës Shkencore dhe Ekspozitës “Anton Pashku – shkrimtari”.
Në këtë konferencë ishin të pranishëm studiues dhe kritikë nga Shqipëria e Kosova. Edicioni i saj i parë u mbajt me sukses në Prishtinë më 17 maj të po këtij viti, duke rikthyer procesin e thelluar të leximit e rileximit që nevojitet për veprën unike të Pashkut.
Ekspozita kushtuar Pashkut është një kontribut i specialistëve dhe bibliografëve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, duke sjellë për herë të parë për publikun në Shqipëri rrugëtimin e veprës së tij përmes botimit të shkrimeve të para, botimeve të sistemuara, raporteve që vepra e tij ndërtoi me kritikën letrare në bashkëkohësinë e vet etj.
Ajo sjell gjithashtu një dokumentim shembullor të faqeve të shtypit të kohës, lidhjeve të rëndësishme sa miqësore aq edhe letrare e intelektuale të autorit.
Këto konferenca dhe ekspozita janë pjesë e aktiviteteve të bashkërenduara në kuadër të bashkëpunimeve mes dy institucioneve tashmë prej vitesh.
Realizimi i ekspozitave, konferencave shkencore, bibliografive dhe botimeve të përbashkëta për veprën e De Radës, Kadaresë, Rugovës e Musine Kokalarit dhe së fundmi kushtuar veprës së çmuar të Anton Pashkut, na shtyjnë jo vetëm në një kremtim dhe përulje me nderim përpara veprës dhe kontributit të tyre, por na kthejnë te vetëdija për një moment të ri dhe cilësor reflektimi, njohjeje të ndërsjellë të autorëve dhe të personaliteteve të jetës shpirtërore të kombit.
Në kuadër të fushatës së Ministrisë së Kulturës “Takohemi për një libër”, gjatë ditëve që ekspozita do të qëndrojë e hapur, janë parashikuar edhe lexime të veprës së Anton Pashkut me nxënës të gjimnazeve të Tiranës.
Qysh prej botimeve të para më 1955 pena e Anton Pashkut vijoi deri në fund të mbetej nga më unikët dhe autentikët në letërsinë shqipe. Prozator e dramaturg, autor i i disa përmbledhjeve me tregime, i romanit të mirënjohur ”Oh” dhe dramave ”Gof e Sinkopa”, ai krijoi e botoi një letërsi me tipare të forta moderne, me vështrime të thella psikologjike, me pyetësim të përhershëm të njerëzores në kushtet e vetmisë dhe dashurimit, në hetim të identitares dhe mbijetesës kulturore në kushtet e totalitarizmit e dhunës, si dhe me kërkime formale që e shpinin gjithmonë drejt krijimit të përsosur.
Tregimet e tij antologjike si ”Nën qarr po rrinte vasha”,” Floçka”, ”Kulla”, ”Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë”, etj imponuan një prag të ri të shkrimit të prozës si për shkrimtarët më të rinj ashtu edhe për mendimin kritik letar në Kosovë, shkruan atsh.
Nga botimet më të rëndësishme përmendim:
“Tregime”, 1961; “Nji pjesë e lindjes”, 1965; “Kulla”, 1968; Sinkopa, 1969; “Oh”, 1971; “Kjasina”, 1973; “Gof”, 1976; “Lutjet e mbrëmjes”, 1978; “Tragjedi moderne”, 1982 si dhe botimin e veprës së tij të plotë nga shtëpia botuese e mirënjohur Rilindja me vëllimet “Tregime fantastike”, “Oh”; “Tragjedi moderne” te “Vepra letrare” (1986)./ KultPlus.com