16 Qershor, 2020 - 8:30 pm
Nga: Sinan Gashi
Autori i këtyre poezive, Tomorr Aliko (1925 – ) është nga Libohova (Shqipëri). Që 17 vjeç përqafoi idetë nacionaliste, kur edhe u bë anëtar i “Ballit Kombëtar”, udhëhequr nga Mit’hat Frashëri. Për idetë e tija denohet me burgim të përjetshëm. Lirohet më 1963, pas 17 vjet burgimi. Pastaj internohet në Mamurasë, deri më 1991. Pas këtyre katrahurave dhe përjetimeve rrëqethëse të burgjeve e inerenimeve, ai botoi librin “Fundi i udhës së gjatë” (Tiranë, 1999), ku janë dhënë kujtimet e trishta të dhunës, shprehur me plotë emocione. Për ata që ishin dënuar me pushkatim me varje, me burg të përjetshëm etj., jepen edhe lista të atyre që bëjnë vetëvrasje në qeli ose në spitalin e burgut.
Shkrimet ilustrohen me foto portrete dhe pamjeve të Burrelit, ku u dergjën intelektualë e krijues të shquar, shumica të shkolluar në universitetet perëndimore. Është domosdoshmëri të përmenden disa, si: Musine Kokalari, Xhevat Korça, Sabri Dangëllia, Zef Kadare, Terenc Toçi, Jakov Milaj, Gjergj Kokoshi, Hasan Reçi, Arif Gjyli, Pjetër Meshkalla, Mirash Ivanaj e të tjerë. Veç këtyre dokumentarëve, Aliko shkruan edhe vargje, të motivuara nga jeta e ferrit. Po i botojmë dy poezi që u kushtohen dy personaliteteve; shkrimtares e demokrates Musine Kokalari dhe atdhetarit Mirash Ivanaj, nga cikli i poezive “Vargjet e jetës time”.
Tomorr Aliko
BURRIT TË SHTETIT
(Atdhetarit Mirash Ivanaj)
MIRASH IVANAJ
1891-1953
Mërgove se s’pranove pushtimin
S’duroje tiranë, s’pranoje nënshtrimin
N’Azi u degdise, atje gjete strehimin
Shtatë vjet të tëra prite çlirimin
Erdhe se mendove që Shqipëria u çlirua
Që shqiptarët e shporrën robërinë
Nuk e dije që vendi prapë u zaptua
Nga klika komuniste e lidhur me Serbinë
Erdhe se në shpirt të vlonte malli
Për tokën mëmë, për Atdhetarë
Për ata që rrebeshit i bënë ballë
Për ata burra që dikur ishin ndarë
Të pruri balta, erdhe përsëri
E prisje këtë ditë me mall e dashuri
Se gjaku i kulluar të vlonte në gji
I gatshëm që jetën ta bëje fli
E kujtoj sa herë Mirash Ivananë
Atë burrë shteti që na mbante pranë
Sigurimsat për të çfarë nuk thanë
Agjent i Imperializmit anglo-amerikan
Si armik populli e dënuan
Patriotin e cilësuan armik
Në spitalin e burgut e helmuan
Agjentët e Bashkimit Sovjetik.
PISHTARES SË DEMOKRACISË
(Musine Kokalarit)
MUSINE KOKALARI
1917-1983
Më kujtohet ishte nëntori në të mbaruar
Të pashë Musine të përlotur, të trishtuar
Të ndoqa pas me një hov rinor në zemër
Ndalove sapo të thirra në emër
Në krahët e mi me dhimbje të pushtova
Për Muntazin e Vesimin të ngushëllova
Që terrori komunist u mori jetën
Se ishin shqiptarë, thonin të vërtetën
Një dhimbje ndjeva kur të pashë në sy
Gjithçka për ty ishte kthyer në zi
Si burrneshë dy fjalë m’i the
Vëllezërit e mi vdiqën për atdhe
Të pashë përsëri në burgun e vjetër
Muri që na ndante- i trashë një metër
Në mes të shoqeve flisje, ligjëroje
Në oborrin e burgut rrethuar me roje
Të burgosën Musine se kërkoje lirinë
Të dënuan xhelatët se doje Shqipërinë
Simbol u bëre për gruan shqiptare
Katër dekada qëndrove krenare
Me qëndresën tënde armikun tmerrove
Fjalën e lirë e the kudo që shkove
Në burgje, në kampe, në internim
Qëndrove kryelartë, u tregove trime
Jetë në vuajtje më tepër të forcoi
Optimizmi i fitores energjitë t’i shtoi
Komunizmit barbar kurrë s’ju përkule
Qysh në vajzëri derisa u rrudhën
Sot shokët e tu që për fat mbetën gjallë
Të kujtojnë Musine duke qenë krenarë
Se e mbylle jetën në emër të lirisë
Fitove titullin “Pishtare e demokracisë”
(Tiranë, Burgu i Vjetër, 1957) /KultPlus.com