Dy rrëfime dhe një zhanër

26 Gusht, 2022 - 12:57 pm



Nga Agron Gashi

(Rrno vetëm për me tregu e At Zef Pllumit dhe Jeto për ta treguar e Gabriel Garsia Markesit)

Në këtë kumtesë bëjmë një krahasim në mes të dy veprave me të njëjtin titull të të njëjtit zhanër, atë të At Zef Pllumit Rrno vetëm për me tregu dhe të Gabril Garsia Markesit Jeto për ta treguar, të cilat janë dy rrëfime dhe brenda një kodi zhanror. Nuk është vetëm titulli që i bën këto dy vepra të krahasueshme, por edhe modeli zhanror, i cili do të jetë fokusi ynë kryesor, më tej edhe shkrimi e rrëfimi autoreferencial dhe modeli i autorit.
Përgjatë kësaj analize krahasuese vihen në pah shenjuesit tekstualë që e bëjnë të përafërt njërën vepër me tjetrën përbrenda një ‘diagrami’ ku shqyrtohen të përbashkëtat dhe dallimet në mes dy këtyre dy autobiografive të shkruara në një distancë të afërt kohore, por në një hapësirë (topos) të largët.
Edhe pse këto dy vepra autobiografike janë të të njëjtit zhanër, autorët luajnë ndryshe me kufijtë zhanrorë, kronologjinë, modusit rrëfimorë, ndërsa emëruesit jo vetëm paratekstualë, tekstualë, por edhe ndërtekstualë janë e përbashkëta si për autorin, Zef Pllumi, ashtu dhe autoritetin letrar, G. G. Markes.
Pyetja e kërkimore e cila provon të marrë përgjigje gjatë këtij krahasimi analitik është: Cila janë të përbashkëtat dhe dallimet e këtyre dy veprave të të njëjtit zhanër me të njëjtin shenjues paratekstual?
Në analizë e sipër do të merren parasysh edhe modelet klasike nga Shën Augustini deri te Shatobriani, për të parë se si ka derivuar forma dhe trajta e ligjërimit nga autorët “epikë” te autorët që tutje zhvillojnë këtë ‘epizëm’ përbrenda ‘konvencave lirike’, aty ku retro dhe introspeksioni koekzistojnë njëkohshëm të cilët janë shndërruar në konstanta themelore letrare.
Rrno vetëm për me tregue e At Zef Pllumit për herë të parë u botua në Tiranë në vitin 2001 nga shtëpia botuese Hylli i Dritës dhe titulli tekstualisht është pjesë e frazës sugjeruese e konvokuese e At Marin Sirdanit drejtuar autorit diku në gjysmën e dytë e të viteve ’40-të, ndërsa Jeto për ta treguar (Living To Tell the Tale) e Markesit për herë të parë është botuar në vitin 2003 në New York dhe titulli kontekstualisht është pjesë e rrëfimit dhe moto e krijimit: jeta nuk është ajo që ke jetuar, është ajo që të kujtohet, dhe ashtu siç të kujtohet për ta rrëfyer.
Fjalët çelës: autor, model, zhanër, autobiografi, rrëfim, fakt, fiksion, autofiksion etj. 

(Kumtesë e lexuar në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.) / KultPlus.com

Të ngjajshme